Përgatiti: Etrit Rexhepi
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) organizon një tubim për pritjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ish-krerëve të këtij subjekti politik, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 20 dhjetor. Ky pretendim është paraqitur me anë të një postimi në Facebook nga faqja e aeroportit. Fotografia e këtij postimi është gjetur e publikuar në TikTok nga një llogari me emrin “kadriveseloficial_”.

Në mesin e përmbajtjeve të kësaj llogarie janë hasur publikime të ngjashme me këtë, ku paraqiten postime në Facebook të figurave publike, si kryeministri shqiptar Edi Rama, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku. Të gjitha këto përmbajtje ndajnë të njëjtin pretendim: se Thaçi dhe Veseli janë liruar dhe do të vijnë në Kosovë më 20 dhjetor.

Platforma për kontrollin e fakteve, hibrid.info ka trajtuar gjashtë nga këto përmbajtje, që datojnë nga 24 nëntori deri më 3 dhjetor të këtij viti, duke i përfshirë në pesë artikuj, ku hidhet dritë mbi pretendimin, e të cilët janë cilësuar si “Mashtrim” dhe “Lajm i rremë”, bazuar në metodologjinë e vlerësimit të kësaj platforme (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Nuk dihet se kur është hapur kjo llogari në TikTok, por postimin e parë ka të publikuar më 11 nëntor (shih këtu) dhe se në pjesën më të madhe të publikimeve, vërehet mbështetje politike për ish-udhëheqësit dhe figurat publike të cilat aktualisht janë në funksion drejtues në PDK.
Për çfarë akuzohen Thaçi e Veseli në Hagë?
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Dhomat e Specializuara janë krijuar si institucione të përkohshme për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e rënda që lidhen me konfliktin në Kosovë, duke përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të ndodhura ndërmjet viteve 1998 dhe 2000. Ato funksionojnë si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por selia e tyre është vendosur në Hagë, Holandë, për të siguruar një proces të pavarur dhe të paanshëm.
Sipas këtij institucioni, pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi si anëtarë të UÇK-së kryen krime kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Sipas aktakuzës, krimet e përmendura u kryen nga marsi 1998 deri në shtator 1999 në Kosovë dhe disa zona në Shqipërinë Veriore. Ata akuzohen për përgjegjësi penale individuale. Akuzat përfshijnë:
Krime kundër njerëzimit (6 akuza): përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, dhe zhdukje me forcë.
Krime lufte (4 akuza): ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë, dhe vrasje të paligjshme.
Krimet pretendohet se ndodhën në kuadër të një konflikti jondërkombëtar dhe të një sulmi sistematik kundër kundërshtarëve të dyshuar të UÇK-së.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe është ndryshuar disa herë. Në korrik 2021, gjykata urdhëroi korrigjime duke përjashtuar disa përgjegjësi, ndërsa më 2022 dhe 2023, u përfshinë akuza të reja dhe u saktësuan detaje për autorët, viktimat dhe vendndodhjet. Në shtator 2022, pretendimet për krime në Ferizaj u tërhoqën. Aktakuza aktuale, me ndryshime dhe përditësime, u finalizua në shkurt 2023 dhe është ende në fuqi.
Kur ka filluar gjykimi dhe kur pritet përfundojë?
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishte filluar më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023. Në këtë çështje gjyqësore janë 153 viktima pjesëmarrëse. Në bazë të informacioneve në ueb-faqen e institucionit të krijuar për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve për të cilat akuzohen Thaçi e Veseli, mbetet në gjykim.
Në konferencën përgatitore të Prokurorit të Specializuar – 15 shkurt 2023, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith kishte deklaruar se trupi gjykues ka përcaktuar datën e mbylljes së çështjes së prokurorisë me 1 prill 2025.
Ngjashëm ishte shprehur edhe zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, i cili në një intervistë për agjencinë e lajmeve “ekonomiaonline.com” tregonte se Prokuroria e këtij institucioni pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, deri në prillin e vitit të2025, duke e paralajmëruar edhe përfundimin e këtij gjykimi në vitin e ardhshëm.
Cili mund të jetë shkaku i publikimit?
Në bazë të të dhënave më të fundit mbi keqinformatat për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, hibrid.info ka gjetur se, që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, janë identifikuar dhe verifikuar 14 sondazhe të rreme, shumica prej tyre të publikuara në TikTok.
Hibrid tutje vlerëson se formatet e thjeshta të videove në TikTok ndihmojnë në përhapjen më të shpejtë të keqinformatave, duke ndikuar kryesisht në politikë dhe fushata zgjedhore.
Kontekst
Hibrid.info në të kaluarën ka trajtuar disa përmbajtje ku është pretenduar rrejshëm mbi verdiktin përfundimtar të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Donald Trump kishte siguruar votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), duke mposhtur Kamala Harrisin.
Richard Grenell, ish i dërguar i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në mandatine parë, në disa raste ishte shprehur se Thaçi duhet të lirohet dhe se kishte deklaruar se nëse Trump vjen në pushtet, do të punojë për ta nxjerrë nga burgu ish-presidentin e Kosovës.