Portali i dyshimtë në gjuhën shqipe “onlinenews52.com” ka publikuar një artikull me pretendim të rremë se pritet të hiqet ora policore, si dhe mbajtja e maskës si pasojë e masave anti-Covid.
Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, ku është vërtetuar se titulli është i rremë, ndërsa në përmbajtje është një lajm komplet tjetër.
Në pjesën e parë të tekstit gjendet një njoftim i vjetër nga Prokuroria Themelore e Pejës dhe Gjakovës rreth arrestimit të gjashtë (6) persona për fajde, i publikuar me datë 16 shtator të këtij viti. Ndërsa në pjesën e fundit të tekstit gjendet një pretendim i rremë se gjoja ora policore do të ndryshojë nga 12 e mesnatës në ora 1.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë vendim të ri për ndryshimin e masave anti-Covid.
Vegëza e artikullit të publikuar në “onlinenews52.com”:
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “Gazeta Aktive”, e cila numëron mbi 90 mijë ndjekës.
Vegëza e postimit të artikullit në Facebook nga faqja “Gazeta Aktive”:
https://www.facebook.com/GazetaAktive/posts/260454709457887
Më poshtë mund të gjeni njoftimin e datës 16 shtator 2021 të bërë nga Prokuroria Themelore e Pejës dhe Gjakovës, i cili është publikuar në artikullin e portalit të dyshimtë “onlinenews52.com”.
https://prokuroria-rks.org/psh/lajm/7344
Analiza:
Portali i dyshimtë “onlinenews52.com” ka përdorur një njoftim të vjetër të Prokurorisë Themelore të Pejës dhe Gjakovës, të cilit i ka bashkangjitur një pretendim të rremë, si dhe më pas i është vënë titull i sajuar se gjoja pritet të hiqet ora policore dhe mbajtja e maskës.
Pas analizës së kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.