info@hibrid.info
Pretendohet rrejshëm se 800 ushtarë hyjnë në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Ka rrezik të përsëritet Banjska/ 800 ushtarë hyjnë në Kosovë”, mban titullin një video-material i publikuar në Youtube.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (1 tetor) në kanalin zyrtar të “NTV Televizion” në Youtube, kanal ky që publikon përmbajtje në gjuhën shqipe.

Por, cila është e vërteta?

Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se informacionet e shfaqura në video nuk pasqyrojnë pretendimin në titull.

Në përmbajtje të video-materialit flet deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili ka deklaruar se janë mbi 600 ushtarë të Serbisë në kufi me Kosovën, të cilët siç thotë ai, presin një vendim për të hyrë në Kosovë.

Pra, pretendimi se “800 ushtarë hyjnë në Kosovë”, duke iu referuar trupave serbe, është i rremë.


Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka gjetur deklaratën e Bajqinovcit dhënë në emisionin “DPT te Fidani” në televizionin Klan Kosova. (shih videon këtu nga minuta 49-të)

Çka tha Bajqinovci?

Deputeti i LVV-së është shprehur se ka rrezik të përsëritet një sulm terrorist sikur ai i Banjskës më 24 shtator të vitit 2023, duke shtuar se janë rreth 600 apo 800 ushtarë, me mbi 40 baza ushtarake që po stërviten dhe janë në pritje për një vendim për të hyrë në Kosovë. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Përmes një video-materiali pretendohet se 800 ushtarë hyjnë në Kosovë.

Pas verifikimi të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Pasi të klikohet në video, sqarohet se bëhet fjalë për një deklaratë të bërë nga deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci.

Bajqinovci, i ftuar në një emision në Klan Kosova tha se ka rrezik të përsëritet një sulm terrorist sikur ai i Banjskës, duke shtuar se janë rreth 600 apo 800 ushtarë në pritje për një vendim për të hyrë në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim të bërë nga “NTV Televizion” si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »