[email protected]
Rishikimi i javës: SMS me vegëz mashtruese, lajm i rremë se Hovenier e mbështetë Hamzën për kryeministër, Papa nuk e ka bërë simbolin e shqiponjës si përshëndetje të kombëtares shqiptare
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Përmbajtjet mashtruese dhe lajmet e rreme janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Mashtrimet u publikuan në media sociale përfshirë pretendime se Ministria e Financave do të japë kredi pa interes për personat mbi 35 vjeç nga data 19 qershor; se Arnold Schwarzenegger ka lavdëruar kombëtaren shqiptare të futbollit; se produkti “U Caps” është ilaç që ndihmon në rikthimin e dëgjimit; se kërkohet ndihmë financiare për një foshnje 5 muajsh të sëmurë, e cila ka nevojë për operim; dhe një mesazh (SMS) mashtrues iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës në të cilin shkruan “Pakoja juaj nuk mund të dorëzohet sepse nuk ka numër shtëpie në adresë”.

Lajmet e rreme u publikuan në media sociale përfshirë pretendimet se Policia e Kosovës ka nisur aksion për konfiskimin e veturave, të cilave shoferët u vendosin pajisje për të rritur zhurmën e tyre; se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e mbështet Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër të vendit; se kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, gjatë një takimi të enjten ka dalë kundër idesë për hapjen e Urës së Ibrit; se Bedri Hamza është deklaruar se në rast të marrjes së këtij postit të kryeministrit, do t’i rritë pensionet për veteranët e luftës deri në 1500 euro; se ish-futbollisti gjerman Lothar Matthaus ka vlerësuar paraqitjen e kombëtares shqiptare si më të mirë, përballë Spanjës në ndeshjen në kuadër të Euro 2024 në futboll.

Teoria konspirative është publikuar në media sociale me pretendimin se makineria HAARP ndryshon klimën, krijon stuhi, tërmet e vullkan, si dhe krijon tharje të tokës.

Dezinformata është publikuar në rrjetin social, Facebook, me pretendimin se aeroplanmbajtësja amerikane “Gerald Ford” dhe flota shoqëruese janë nisur për në portin e Haifas në Izrael.

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë është vlerësuar pretendimi i publikuar në media ku nëpërmjet një fotografie të publikuar ku shihet Papa Francesku duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dy krenare, u pretendua se ai ka përshëndetur kombëtaren shqiptare në futboll.

Dezinformatë/clickbait është vlerësuar pretendimi se përzgjedhësi i Kombëtares së Kroacisë në futboll, Zlatko Daliq, ka dhënë arsyet përse Shqipëria është dashur ta kalonte fazën e grupeve në Kampionatin Evropian “Euro 2024”; si dhe artikulli i titulluar “Lajçak shokon Kosovën: Kurti pranon Draft-Statutin e Asociacionit”.

Clickbait artikujt u publikuan në media ku është pretenduar se Qeveria e Kosovës  (28 qershor) do të vendosë se a do ta ndalojë TikTok-un pa e bërë të ditur në titull se vendimi vlen vetëm për institucionet.

Teori konspirative

Pretendohet se makineria HAARP ndryshon klimën, krijon stuhi, tërmet e vullkan, si dhe krijon tharje të tokës. Ky pretendim u publikua në median sociale TikTok nga llogaria “gentianlleshi11”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim është i pasaktë. HAARP është Programi Kërkimor Aktiv Auroral me frekuencë të lartë, që është përpjekje shkencore e cila synon studimin e vetive dhe sjelljes së jonosferës. (këtu)

Lajm i rremë

Publikohet video-material me mbishkrimin që pretendon se Policia e Kosovës ka nisur aksion për konfiskimin e veturave, të cilave shoferët u vendosin pajisje për të rritur zhurmën e tyre. Kjo përmbajtje është publikuar në TikTok me 19 maj, nga një llogari me emrin “mossii022”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se Policia e Kosovës ka nisur një aksion të tillë. Po ashtu edhe Ligji për rregullat e trafikut rrugor nuk parasheh konfiskimin e veturave në raste të tilla. (këtu)

Nëpërmjet një fotografie të publikuar në rrjetin social TikTok është pretenduar se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e mbështet Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër të vendit. Pretendimi është publikuar nga llogaria “tavnikcitypdk” të mërkurën (26 qershor). Pas verifikimit nga hibrid.info, del se pretendimi i bërë nga kjo llogari është i rremë. “Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier mbështet Bedri Hamzen për Kryeministër!” është mbishkrimi që llogaria në fjalë ia ka vënë sipër një fotografie të Hovenierit dhe Hamzës. (këtu)

Pretendohet se kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, gjatë një takimi të enjten ka dalë kundër idesë për hapjen e Urës së Ibrit. Ky pretendim u publikua (27 qershor) nga një llogari në Facebook që mban emrin “Lule Gjeli”. Hibrid.info pas hulumtimit të kryer, nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar lidhur me këtë, i cili do ta mbështeste pretendimin nga llogaria e lartcekur. (këtu)

Është publikuar një përmbajtje ku pretendohet se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza është deklaruar se në rast të marrjes së këtij posti, do t’i rritë pensionet për veteranët e luftës deri në 1500 euro. Pretendimi është publikuar (28 qershor) me anë të një fotografie në TikTok nga llogaria me emrin “albiin_kurti”, ku shfaqet Bedri Hamza dhe me mbishkrimin që e citon atë në formë të përfolur. I pari i komunës së Mitrovicës së Jugut nuk ka përmendur publikisht shumën e pretenduar, për rritjen e pensioneve për këtë kategorie. (këtu)

Publikohet përmbajtje që pretendon se ish-futbollisti gjerman, Lothar Matthaus ka vlerësuar paraqitjen e kombëtares shqiptare si më të mirë, përballë Spanjës në ndeshjen në kuadër të Euro 2024 në futboll. Përmbajtja është publikuar (25 qershor) në një grup publik në Facebook, me emrin “Kombëtarja Kuq e Zi” dhe po ashtu nga disa portale informative në gjuhën shqipe. Hibrid.info nuk ka arritur të gjejë nga burimet kredibile të informacionit, që dëshmojnë se kjo deklaratë ka ardhur nga lojtari me më së shumti paraqitje në kombëtaren gjermane. (këtu)

Dezinformatë

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar se aeroplanmbajtësja amerikane “Gerald Ford” dhe flota shoqëruese janë nisur për në portin e Haifas në Izrael. Publikimi është bërë në Facebook nga llogaria me emrin “Izet Laçi”. “Aeroplan mbajtesja Gerlad Ford dhe flota shoqeruese nisen per ne portin e Haifas. Si duket kercenimet e Hezbullahut jan reale”, thuhet në përshkrim të një imazhi që ka përdorur kjo llogari në Facebook. E në fotografi është aeroplanmbajtësja dhe flota shoqëruese. Por ky publikim përmban të pavërteta. Pas verifikimit nga hibrid.info del se fotografia është e vjetër, ndërsa kjo aeroplanmbajtëse aktualisht është rikthyer në bazën e vet në Norfolk të Virginias nga janari. (këtu)

Mashtrim

Një mesazh (SMS) iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës në të cilin shkruan “Pakoja juaj nuk mund të dorëzohet sepse nuk ka numër shtëpie në adresë”. Përmes këtij SMS-i bëhet thirrje të klikohet në një vegëz, me arsyetimin të përditësohet adresa e shtëpisë për t’iu riorganizuar dorëzimi i pakos. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se numri që ka dërguar këtë mesazh në telefon ka prefiksin +63 që i takon shtetit të Filipineve. Ndërsa, vegëza e paraqitur në SMS është e dyshimtë dhe ka për qëllim marrjen dhe keqpërdorimin e të dhënave personale. (këtu)

Publikohet një vegëz në formë imazhi, me anë së cilës pretendohet se Ministria e Financave do të japë kredi pa interes për personat mbi 35 vjeç nga data 19 qershor. Kjo përmbajtje është publikuar si e sponsorizuar, më 19 qershor në Facebook, nga një faqe me emrin “Unconditional Loan”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ekziston asnjë mundësi për kredi pa interes nga Ministria e Financave. (këtu)

U publikua një video-material që shfaq  ish-aktorin Arnold Schwarzenegger, me pretendimin se ai ka lavdëruar kombëtaren shqiptare të futbollit. Ky video-material u publikua me datë 25 qershor në median sociale TikTok nga llogaria “DardaniaTimes”. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky video-material është gjeneruar me inteligjencë artificiale. Pra, një deklaratë e tillë nuk është bërë nga Schwarzenegger. (këtu)

Është publikuar një përmbajtje në gjuhën shqipe, ku kërkohet ndihmë financiare për një foshnje 5 muajsh të sëmurë, e cila ka nevojë për operim. Teksti i shoqëruar edhe me fotografi të foshnjës, është publikuar (26 qershor) në një grup në Facebook me emrin “DIASPORA SHQIPTARE”, nga një llogari me emrin “Rena Capo”. Hibrid.info e ka trajtuar edhe më herët të njëjtin publikim, të postuar nga e njëjta llogari (shih këtu). Në postim nuk shfaqet xhirollogari bankare për ndihmën financiare të kërkuar dhe informacione tjera, e madje është gjetur identiteti i foshnjës së shfaqur në fotografi. (këtu)

Një produkt që mban emrin “U Caps” është hedhur për shitje online në Facebook, me pretendimin se i njëjti është ilaç që ndihmon në rikthimin e dëgjimit. Produkti u gjet i publikuar nga faqja “OSW Association” në Facebook me datë 27 qershor. Në postim ndër të tjerash thuhet se për këtë produkt garantohet cilësi dhe se çmimi i tij është 20 euro. Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka vërtetuar se ky produkt është i rremë. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Nëpërmjet një fotografie të publikuar ku shihet Papa Françesku duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dy krenare, u pretendua se ai ka përshëndetur kombëtaren shqiptare në futboll. Ky pretendim erdhi nga disa media në gjuhën shqipe. Fotografia e Papa Françeskut ku shihet duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dy krenare është vjetër dhe nuk ka të bëjë më kombëtaren shqiptare. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

Është publikuar një artikull i titulluar “Lajçak shokon Kosovën: Kurti pranon Draft-Statutin e Asociacionit”. Ky tekst me këtë titull është publikuar (25 qershor) nga portali i televizionit informativ “NTV Televizion”. Hibrid.info ka gjetur se deklarata e të deleguarit të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është paraqitur në mënyrë të pa saktë, në titullin e artikullit. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar se përzgjedhësi i Kombëtares së Kroacisë në futboll, Zlatko Daliq, ka dhënë arsyet përse Shqipëria është dashur ta kalonte fazën e grupeve në Kampionatin Evropian “Euro 2024”. Publikimi është bërë të shtunën (29 qershor) nga faqja “Ntv Televizion” në Facebook. Në imazhin e publikuar, mbi fotografinë e Daliqit është shkruar: “DALIÇ FLET PER EUROPIANIN TREGON PSE SHQIPERIA DUHEJ TE KUALIFIKOHEJ NGA FAZA E GRUPEVE”. Në këtë artikull nuk ka asnjë pjesë të përmbajtjes në të cilën Daliq ka thënë se Shqipëria e ka merituar të kalonte grupin apo se ka dhënë arsye përse Shqipëria e ka merituar kalimin tutje, siç është pretenduar në publikimin në Facebook. (këtu)

Clickbait

Portali në gjuhën shqipe “ntv.al” ka përdorur një titull që nuk përkon aspak me artikullin në të cilin raportohet për një intervistë të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Titulli pretendon për dokument që ka ndarë Kosovën, ndërsa artikulli nuk lidhet fare me këtë pretendim. Artikulli flet për qëndrimet e Lajçakut se “nuk ka arsye për frikë” nga drafti evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e se nuk do të propozonte ndonjë draft të cilin s’do t’ia propozonte as shtetit të vet. Titulli nuk përkon fare me artikullin. (këtu)

Nëpërmjet një titulli është pretenduar se Qeveria e Kosovës  (28 qershor) do të vendosë se a do ta mbyllë një rrjet social. Artikulli është publikuar nga portali në gjuhën shqipe “telenews.al”. Vetëm pas klikimit në artikull kuptohet se propozimi është për ndalim të rrjetit social TikTok vetëm për institucionet. “Qeveria e Kosovës sot vendos se a do ta mbyll këtë rrjet social!”, mban titullin artikulli i “telenews.al”. (këtu)

Share With Others

Translate »