[email protected]
Nuk ka aksion të Policisë së Kosovës për konfiskimin e veturave që shkaktojnë zhurmë me pajisje të vendosura
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet video-material me mbishkrimin që pretendon se Policia e Kosovës ka nisur aksion për konfiskimin e veturave, të cilave shoferët u vendosin pajisje për të rritur zhurmën e tyre.

Kjo përmbajtje është publikuar në TikTok me 19 maj, nga një llogari me emrin “mossii022”.

E vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se Policia e Kosovës ka nisur një aksion të tillë. Po ashtu edhe Ligji për rregullat e trafikut rrugor nuk parasheh konfiskimin e veturave në raste të tilla.


Vegëza e video-materialit të publikuar nga llogaria “mossii022”:

https://archive.is/11CI9


Hibrid.info ka kontrolluar në ueb-faqen e Policisë së Kosovës dhe në faqen e këtij institucioni në Facebook, por nuk ka gjetur asnjë komunikatë apo njoftim që tregon për aksionin e mësipërm të pretenduar (shih këtu dhe këtu).

Gjithashtu edhe pas kërkimit me anë të “Google”, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë raportim nga mediat në lidhje me ndonjë aksion të kësaj natyre nga Policia e Kosovës (shih këtu).


Ndërsa, sipas Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, i publikuar në gazetën zyrtare me 19 mars, hibrid.info ka gjetur se në rastet e tilla, nuk parashihet konfiskim i veturave (shih këtu).

Neni 173 për përdorimin e pajisjeve të veçanta të zërit dhe dritës, tregon rastet kur mund të vendosen ato. Paragrafi 5 i këtij neni parasheh se shoferi i cili merr pjesë në trafik me pajisje të montuara në kundërshtim me këtë nen, i shqiptohet gjobë, i ndalohet drejtimi i automjetit deri në tre muaj si dhe i konfiskohet pajisja e montuar.

Sa i përket zhurmës, ajo sqarohet në nenin 230 të këtij Ligji, për mbrojtjen e ambientit.


Analiza:

Pretendimi se Policia e Kosovës ka nisur aksion për konfiskimin e veturave, të cilave shoferët u vendosin pajisje për të rritur zhurmën e tyre, është i pa saktë.

Nuk ka asnjë informacion zyrtar që njofton se ky institucion ka ndërmarrë hapa për nisjen e ndonjë aksioni të tillë. Po ashtu edhe Ligji nuk parasheh konfiskimin e veturave për rastin në fjalë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »
1406