[email protected]
Lajçak nuk ka deklaruar se “Kurti pranon draft-statutin e Asociacionit”
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull i titulluar “Lajçak shokon Kosovën: Kurti pranon Draft-Statutin e Asociacionit”.

Ky tekst me këtë titull është publikuar dje (25 qershor) nga portali i televizionit informativ “NTV Televizion”.

E vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se deklarata e të deleguarit të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është paraqitur në mënyrë të pa saktë, në titullin e artikullit.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “ntv.al’:

https://archive.ph/3lTk1


Pas verifikimit të artikullit, hibrid.info ka gjetur se brenda përmbajtjes, më saktësisht në hyrje, tregohet se Lajçak ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i gatshëm ta pranojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kreu i artikullit:

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosove-Serbi, Miroslav Lajçak, ka potencuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte deklaruar i gatshëm ta pranojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – i përpiluar nga BE-ja me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – ashtu siç është.


Në bazë të këtij informacioni, kuptohet se Lajçak i ishte referuar deklaratave në të kaluarën, kur kryeministri Kurti shprehej i gatshëm ta pranojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të paraqitur nga BE.

Tutje nga deklarata e cituar e Lajçak, në intervistën dhënë për organizatën joqeveritare me seli në Kosovë, Sbunker (këtu), prej nga edhe është bazuar raportimi në artikullin e mësipërm, mësohet se ky i fundit ka përmendur edhe kushtëzimin e Kurtit për pranimin e këtij draft-statuti, që lidhet me nënshkrimin e marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia, gjë e cila po ashtu nuk bëhet e qartë as në titull e as në kre.

Deklarata e Miroslav Lajçak nga artikulli:

“Ata kanë dërguar komentet e tyre për tekstin. Ne morëm dy grupe komentesh, një nga Qeveria, një nga Presidenca. Për këtë kemi diskutuar më 26 tetor, ku kryeministri Kurti tha se është i gatshëm ta pranojë këtë dokument ashtu siç është, me kusht që të nënshkruhet nga Kosova dhe Serbia së bashku me marrëveshjet e Ohrit”

Çka do të thotë se deklarata e Lajçak është paraqitur e pa saktë dhe jo e plotë.


Nga hulumtimi më i thellë, hibrid.info ka gjetur se fillimisht ky artikulli është publikuar në portalin informativ  “albanianpost.com”, me autor, Dreni Himbeqa, emri i të cilit nuk gjendet në publikimin e këtij artikulli nga portali “ntv.al” (shih këtu).

Ndonëse në titullin e kësaj përmbajtjeje bëhet e qartë se Lajçak është bazuar në qëndrimet e së kaluarës së Kurtit, sa i përket draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të paraqitur nga BE, edhe në këtë artikull nuk tregohet në titull është se gatishmëria e kryeministrit për pranim të marrëveshjes, lidhet me nënshkrimin e saj nga të dyja palët, gjë e cila nuk ka ndodhur, deri më tani (shih këtu).


Analiza:

Pretendim i pa saktë në titullin e një artikulli se i deleguarit i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur që kryeministri i Kosovës Albin Kurti e pranon draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të paraqitur nga BE.

Lajçak ka nënvizuar se kryeministri Kurti në takimin e 26 tetorit të vitit 2023, kishte shprehur gatishmëri  ta pranojë dokumentin e draft-statutit të këtij Asociacioni, me kusht që të nënshkruhet nga Kosova dhe Serbia së bashku me marrëveshjet e Ohrit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clikbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »
1406