[email protected]
Daliq nuk ka dhënë arsye pse Kombëtarja e Shqipërisë duhej të kalonte grupin në “Euro 2024”
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar se përzgjedhësi i Kombëtares së Kroacisë në futboll, Zlatko Daliq, ka dhënë arsyet përse Shqipëria është dashur ta kalonte fazën e grupeve në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Publikimi është bërë të shtunën (29 qershor) nga faqja “Ntv Televizion” në Facebook. Në imazhin e publikuar, mbi fotografinë e Daliqit është shkruar: “DALIÇ FLET PER EUROPIANIN TREGON PSE SHQIPERIA DUHEJ TE KUALIFIKOHEJ NGA FAZA E GRUPEVE”.

Çka nuk shkon me këtë postim?

Publikimi në Facebook çon tek një artikull i portalit në gjuhën shqipe “ntv.al”. “Analiza e Zlatko Daliç pas Europianit: Shqipëria duhej të na bënte gol tjetër, Modriç dhe Kovaçic bënë gabime që…” mban titullin artikulli në fjalë.

Në këtë artikull nuk ka asnjë pjesë të përmbajtjes në të cilën Daliq ka thënë se Shqipëria e ka merituar të kalonte grupin apo se ka dhënë arsye përse Shqipëria e ka merituar kalimin tutje, siç është pretenduar në publikimin në Facebook.


Postimi në Facebook i publikuar nga faqja “Ntv Televizion”:

https://archive.is/nGT3H


Ndërsa artikulli, që hapet pas klikimit në komentin në postimin e “Ntv Televizion” në Facebook, ka marrë për bazë një deklaratë të Daliqit dhënë mediumit “HRT” në Kroaci. Aty ai ka folur për të ardhmen e tij si përzgjedhës i Kroacisë dhe ka bërë analizë të paraqitjeve të kombëtares kroate në tri ndeshjet në Grupin B të “Euro 2024”. Shqipëria dhe Kroacia u eliminua nga faza e grupeve. Tutje kaluan Spanja dhe Italia. Në ndeshjen mes vete, Shqipëria dhe Kroacia barazuan 2:2. Për ndeshjen me Shqipërinë, Daliq ka thënë se ka pasur seri gabimesh një pas tjetrit. Ai është ankuar për gabime sidomos te goli i dytë i Shqipërisë, që erdhi në minutat shtesë.

Pjesë nga artikulli i “ntv.al” për deklaratat e Daliqit lidhur me ndeshjen ndaj Shqipërisë:

“Ndeshja me Shqipërinë? Luanim ndaj Shqipërisë që kishte energji dhe motivim. Duhet të hedhësh në fushë më të mirët që ke në dispozicion. Plani ishte që të kalonte gjithçka nëpërmjet këtyre tre lojtarëve në mesfushë, kjo ishte taktika. Mbrojtësit supozohej se do të ishin në krahë dhe përpara. Ne vendosëm Petkoviç përpara se mund të mbajë topin dhe Majer djathtas e Kramariç majtas. U kërkuam këtyre lojtarëve dhe mbrojtësve që të shkonin në thellësi. Por pastaj ti pëson një gol në minutën e 11 dhe gjithçka fillon të shkërmoqet. Ai goli… Gvardiol ndjek Perishiç dhe pastaj e sheh hapësirën mes dy stoperave. Është e pamundur të krijosh në atë mënyrë. Asnjë nga katër lojtarët nuk e bllokon krosimin, askush nuk e ndjek lojtarin që hyn nga linja e dytë. Është një seri gabimesh të lidhura bashkë, ashtu si goli i tretë ndaj Spanjës. Por ne duhej të kishim pësuar një tjetër gol në pjesën e parë”


Vegëza e artikullit të “ntv.al”:

https://archive.ph/Yc9zb

Pra, Daliq në këtë shkrim nuk është cituar të ketë thënë se Shqipëria e ka merituar ta kalonte grupin apo të ketë dhënë arsye se pse Shqipëria e ka merituar ta kalonte grupin.


Çka tha Daliqi, sipas “HRT”:

Artikulli i fundit që gjendet në ueb-faqen “sport.hrt.hr” është i datës 27 qershor. Sipas titullit, Daliq ka thënë se nuk është person që largohet pas dështimit të parë. Në këtë shkrim, Daliq citohet të ketë dhënë arsyet e elidimit të Kroacisë në fazën e grupeve. As aty nuk citohet të ketë thënë se Shqipëria ka merituar kualifikimin, siç është pretenduar nga postimi i “Ntv Televizion” në Facebook.


Analiza:

Pretendimi se përzgjedhësi i Kombëtares së Kroacisë në futboll, Zlatko Daliq, ka dhënë arsye përse Shqipëria është dashur ta kalonte fazën e grupeve në “Euro 2024”, nuk është i saktë.

Publikimi u bë nga faqja “Ntv Televizion” në Facebook. Ndërsa në artikullin tek i cili çon postimi, pos që titulli është ndryshe, edhe përmbajtja nuk përkon aspak me titullin e publikimit në rrjetin social.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Dezinformatë” dhe “Clikbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »
1406