[email protected]
Jo, aeroplanmbajtësja amerikane “Gerald Ford” nuk është nisur drejt Izraelit
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar se aeroplanmbajtësja amerikane “Gerald Ford” dhe flota shoqëruese janë nisur për në portin e Haifas në Izrael.

Publikimi është bërë në Facebook nga llogaria me emrin “Izet Laçi”.

Çfarë përmban postimi në fjalë dhe çka nuk shkon me të?

“Aeroplan mbajtesja Gerlad Ford dhe flota shoqeruese nisen per ne portin e Haifas. Si duket kercenimet e Hezbullahut jan reale”, thuhet në përshkrim të një imazhi që ka përdorur kjo llogari në Facebook. E në fotografi është aeroplanmbajtësja dhe flota shoqëruese. Por ky publikim përmban të pavërteta.

Pas verifikimit nga hibrid.info del se fotografia është e vjetër, ndërsa kjo aeroplanmbajtëse aktualisht është rikthyer në bazën e vet në Norfolk të Virginias nga janari.


Vegëza e postimit të llogarisë “Izet Laçi” në Facebook:

https://archive.is/rj8M1


Pas verifikimit nga hibrid.info del se kjo fotografi është shkrepur më 5 qershor 2023. Agjencia britanike e fotografive, “Alamy” kishte publikuar këtë fotografi për të cilën pati thënë se është gjatë një ngjarjeje lundruese të 5 qershorit të vitit të kaluar (shih këtu).


Për më shumë ueb-faqja “dvidshub.net”, që është nën pronësi të Aktivitetit të Mediave të Mbrojtjes (DMA) i Departamentit të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që ofron produktet e shërbimet multimediale, ka publikuar një fotografi të kësaj aeroplanmbajtëse në Norfolk e që mban datën 18 qershor 2024 (shih këtu).


Përderisa pretendimi është që kjo aeroplanmbajtëse është nisur drejt Izraelit, agjencia e lajmeve “Associated Press” më 19 qershor ka shkruar se ajo është në fazën e mirëmbajtjes. “USS Gerald R.Ford – sapo është kthyer nga dislokimi dhe ka hyrë në fazën e mirëmbajtjes, që duhet të zgjasë rreth një vit”, thuhet në pjesën e artikullit të AP-së dedikuar kësaj aeroplanmbajtëseje (shih këtu). 11 aeroplanmbajtëset e flotës amerikane në këtë artikull u ndanë në katër fusha: Të dislokuara; duke u përgatitur për dislokim; duke u riparuar dhe jashtë shërbimit.

E në ueb-faqen zyrtare të kësaj aeroplanmbajtëse amerikane, lajmi i fundit në listën e publikimeve ka të bëjë me rikthimin e saj në bazë në janar pas dislokimit historik (shih këtu). Kjo aeroplanmbajtëse ka qëndruar tetë muaj jashtë stacionit detar. Aeroplanmbajtësja për këtë periudhë kishte vizituar portet në Kroaci, Greqi, Itali, Norvegji dhe Turqi. Pas tyre iu zgjat shërbimi edhe për 76 ditë pas shpërthimit të luftimeve në konfliktin në Izrael dhe ka operuar në Detin Mesdhe me qëllim të parandalimit të përshkallëzimit dhe për ta mbështetur Izraelin (shih këtu).

Hibrid.info ka përdorur edhe makinat online të kërkimit për të kërkuar artikuj lidhur me pretendimin se kjo aeroplanmbajtëse është nisur për në Izrael. Një gjë e tillë nuk është raportuar muajin e fundit (shih këtu)


Analiza:

Llogaria me emrin “Izet Laçi” në Facebook ka publikuar një fotografi nëpërmjet së cilës pretendonte se aeroplanmbajtësja amerikane “Gerald Ford” është nisur për në Izrael. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se fotografia është e vjetër e se aeroplanmbajtësja aktualisht gjendet në bazën e saj në SHBA.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »
1406