[email protected]
Mashtrohet përmes postimit “për ndihmë humanitare” lidhur me medikamentin për prostatë
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar për ndihmë humanitare për një medikament për trajtimin e prostatës.

Llogaria me emrin “Medical Office – EU” ka publikuar më 7 maj një postim në të cilin ka bërë thirrje që njerëzit të marrin një ilaç për trajtim të prostatit. Thirrja është bërë duke thënë se kjo është ndihmë humanitare.

“Ngutuni të merrni – Vëmendje! Ndihmë humanitare është caktuar për të gjithë banorët e Kosovës! Ilac për trajtimin e prostatit për vetëm 3 ditë! Nxitoni të merrni”, shkruan në postim duke mos u dhënë detaje të tjera.

Çka nuk shkon me postimin?

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se postimi përdor fotografi të vjetër e nga një vend i huaj; klikimi në artikull çon në faqe të dyshimtë; si dhe se medikamenti në fjalë “Prostafix” nuk është në listën e produkteve me autorizim për marketing në Republikën e Kosovës.


Vegëza e postimit të “Medical Office – EU”:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid0jQSNSMbfsdmHkbmvuWi37tUguxAdnSne91zDFTCpfPZPpuyoxD1hFrNrBiiDytRCl&id=100094966789357


Verifikimi ka nxjerrë në pah se fotografia e këtij postimi është përdorur edhe në vitin 2021 në Ukrainë në lajmërimin se vaksina “AstraZeneca” ka mbërritur për të luftuar COVID-19. (shih këtu)

Postimi në Facebook ka marrë disa komente. Ka prej tyre që në komente kanë ofruar edhe të dhëna personale, në përpjekje për të marrë medikamentin.


Po që se klikohet në postim, hapet faqja e dyshimtë “lollu.site”. Pas hyrjes në këtë faqe, çfarëdo klikimi çon te pagesa prej pesë eurosh. Pra, nuk bëhet fjalë për ndihmë humanitare. (shih këtu)

Në artikullin që hapet pas klikimit shfaqet një përmbajtje në të cilin flitet për “rritjen e shpejtë të shkallës së vdekshmërisë” nga ndërlikimet e prostatit. Aty fillimisht përdoret një fotografi e para më shumë se katër vjetësh e Kuvendit të Kosovës.

Brenda artikullit po ashtu shfaqet edhe fotografia e një mjeku. E fotografia është e urologut Hugo Davila nga Instituti i Kërkimeve të Kancerit në Florida (shih këtu).

Në fund të kësaj përmbajtjeje promovuese të publikuar në ueb-faqen e dyshimtë gjendet edhe një pjesë e komenteve, të cilët e kanë lavdëruar këtë produkt apo kanë shtruar pyetje për të. Megjithatë asnjëri nga këto profile nuk është e mundur që të klikohet në mënyrë që të vërtetohet se të njëjtit janë persona realë.


Po që se shkohet në fund të faqes, figuron me adresë në Moskë të Rusisë. Gjuha ruse përdoret në përshkrimin për “Politikat e privatësisë” dhe “Kushtet e përdorimit”.


Pas verifikimit, del se ilaçi “Prostafix” nuk është pjesë e listës së produkteve me autorizim për marketing në Kosovë, të ofruar nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM). Lista e fundit mban datën e 15 prillit 2024. Autorizim-Marketingu është dokument që garanton kualitetin, cilësinë dhe efikasitetin e barnave. (shih këtu)


Analiza:

Llogaria “Medical Office – EU” në Facebook ka publikuar një fotografi nëpërmjet të cilës është pretenduar për ndihma humanitare për banorët e Kosovës për ta trajtuar prostatin.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se përmbajtja përdor fotografi të vjetër dhe që s’ka të bëjë me ilaçin që e reklamon faqja. Po ashtu për ta reklamuar këtë medikament përdoret një uebfaqe e dyshimtë e në të cilën ka edhe të dhëna në gjuhën ruse e fotografi që nuk lidhen me përmbajtjen. Po ashtu medikamenti i reklamuar nuk vjen falas siç edhe proklamohet. Medikamenti i trajtuar del se nuk është as pjesë e listës së ilaçeve me autorizim-marketingu në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “mashtrim”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »
1406