[email protected]
Jo, Serbia nuk e ka njohur Kosovën
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një video-material me mbishkrimin “Serbia njeh Kosovën/ Ja lajmi I madh”.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (30 shtator) në kanalin zyrtar të “NTV Televizion” në Youtube, kanal ky që publikon përmbajtje në gjuhën shqipe.

E vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se informacionet e shfaqura në video, nuk pasqyrojnë pretendimin në titull.

Videoja në fjalë, deri në momentin e trajtimit, ka marrë mbi 11 mijë klikime (shih këtu).

Çka gjeti hibrid.info?

Hibrid.info, pas kontrollit të përmbajtjes së videos, ka gjetur se bëhet fjalë për një shkrim autorial të Dragan Sormaz, ish-deputet i Kuvendit në Serbi (shih këtu).

Në shkrimin e tij, të cilin hibrid.info e ka gjetur të përkthyer në gjuhën shqipe, Sormaz parashikon se veprimet e presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, do të çojnë në njohjen e Kosovës nga Serbia (shih këtu).

Në titullin e përmbajtjes së trajtuar, nuk qartësohet se bëhet fjalë për informacion të bazuar në opinionin e Sormaz. Madje pjesa e parë e titullit është shkruar në kohën e tashme të mënyrës dëftore (këtu), pasuar nga përshkrimi se ky informacion paraqet lajm të madh.

Me këtë nënkuptohet se ka hapësirë që informacioni i pretenduar mund të lexohet si i vërtetë.

Për të konfirmuar vërtetësinë e informacionit, hibrid.info ka kontrolluar burimet institucionale të informacionit, të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht ueb-faqen e kryeministrit të Kosovës dhe atë të presidentit të Serbisë, në të cilat nuk konfirmohet njohja e Serbisë nga Kosova (shih këtu dhe këtu).

Edhe hulumtimi me anë të makinës së kërkimit “Google” për lajmin e pretenduar, nuk shfaq artikuj ku vërtetohet ajo që thuhet në titullin e materialit të trajtuar (shih këtu).

Tutje, hibrid.info ka gjetur se lista e shteteve që e njohin Kosovën, vazhdon të jetë e pandryshueshme (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se Serbia njeh Kosovën, nuk është i saktë.

Hibrid.info ka gjetur se bëhet fjalë për një opinion të një ish-deputeti serb, gjë e cila nuk sqarohet në titullin e video-materialit të publikuar nga “NTV Televizion”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »