[email protected]
Kadare nuk ka bërë krahasime publike ndërmjet Thaçit e Kurtit
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

“Në politikë s’ka personalitet që inkuadrohet dhe largohet pa gabime. Por, thënë troç: në peshoren e historisë, Kurti nuk mund të krahasohet me Thaçin sa i përket kontributit për liri. Thaçi nuk është politikan i rëndomtë, është epokë”.

Kjo është e deklarata e pretenduar të jetë bërë nga shkrimtari Ismail Kadare, e publikuar dje (1 korrik) nëpërmjet një fotografie me mbishkrim, në TikTok nga llogaria me emrin “ilirnews”.

Çka kishte thënë në të vërtetë shkrimtari?

Kadare ka dhënë komentet e tij për ish-presidentin Thaçi, po asnjëherë në raport me ndonjë politikan tjetër.


Vegëza e video-materialit të publikuar nga llogaria “ilirnews” në TikTok:

https://archive.is/ifuG9


Fillimisht, hibrid.info ka hulumtuar për fotografinë e mësipërme dhe ka gjetur se e njëjta është shkrepur në prillin e vitit 2017, kur ish-presidenti Thaçi, kishte pritur në takim në zyren e tij, shkrimtarin tashmë të ndjerë (shih këtu).

Sa i përket qëndrimeve publike për ish-presidentin Thaçi, është ai të cilin Kadare e ka shprehur në librin e tij, “Ra ky mort e u pamë” – Ditar për Kosovën, të cilin hibrid.info e ka gjetur si të vetmin rast kur shkrimtari i ndjerë ka folur për ish-kryeministrin e Kosovës (shih këtu dhe këtu).


Pjesë nga libri i Ismail Kadaresë:

“Në mbrëmje vonë, Hashim Thaçi, shpreh dëshirën të më takojë. Vjen gati në mesnatë me Ramë Bujën dhe përkthyesen e delegacionit, Bukurije Gjonbali. Një copë herë bisedojmë kokë më kokë. Në dhomën tjetër pinë kafe njerëzit e familjes sime, dy shoqëruesit e Thaçit dhe ambasadori shqiptar në Paris. Rojat e policisë së fshehtë franceze janë kudo nëpër shkallët e ndërtesës.

Thaçi është i paqetë. Natyrisht, ka vendosur të nënshkruajë, por ka shumë presione. Në Kosovë, Adem Demaçi vazhdon të ngucë pakënaqësira kundër delegacionit, madje t’i quajë tradhtarë. Disa nga komandantët e UÇK-së mund të krijojnë ngatërresa përsëri. Thaçi përmend letrën që i kam dërguar delegacionit në Rambouillet, si dhe shkrimin “Kapardisja shqiptare”, që e botova tri ditë më pas. Thotë se ai përpiqet të nxjerrë mësime nga çdo kritikë, por gjendja s’është aq e thjeshtë. Ai më bën një pyetje që është, njëkohësisht, një kërkesë: në rast se sonte e nënshkruante marrëveshjen, unë si shkrimtar shqiptar, a do ta përkrahja atë akt publikisht?

Pa asnjë ngurrim, iu përgjigja se do ta përkrahja. Madje qysh në atë çast.

Mbaron biseda kokë më kokë. I ftojmë të gjithë në sallonin e ndejës. Jam i gëzuar dyfish. E para, se kjo punë po kryhet. E dyta, sepse në këtë këshillim të luftëtarëve të Kosovës me një njeri të kulturës, shoh një ogur të mirë. Sa shpifje janë bërë kundër UÇK-së. Shpifje nga propaganda serbe, nga gazetat ruse, nga një pjesë e shtypit perëndimor, nga vetë ultrapacifistët shqiptarë.

Kurse ata, me këtë gjest, me këtë këshillim, tregojnë se, pavarësisht nga shtresimet e pashmangshme të një guerileje ballkanase, e kanë një dozë të fortë idealizmi, një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin europian.”


Ndërsa sa i përket komenteve dhe vlerësimeve të Kadaresë për kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin, hibrid.info ka trajtuar në disa raste pretendimet duke i vlerësuar si të rreme dhe duke gjetur komentet që realisht kishte dhënë shkrimtari, në formë indirekte për Kurtin (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Pretendimi se shkrimtari Ismail Kadare ka vlerësuar lartë kontributin e ish-presidentit Thaçi në luftën për liri, duke e krahasuar me kryeminitrin aktual, Albin Kurti, është i pa vërtetë.

Shkrimtari i ndjerë nuk ka dhënë asnjëherë komente apo vlerësime publike krahasuese për asnjë nga politikanët në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »