[email protected]
Mashtrim nëpërmjet postimit “për ndihmë nga Kryqi i Kuq për diabetikët”
shape
shape
shape

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar për ndihmë nga Kryqi i Kuq i Kosovës për personat që vuajnë nga diabeti.

“Dismal Unequaled”, llogari në Facebook, ka publikuar një postim më 13 maj në të cilin ka bërë thirrje që njerëzit që kanë diabet të bëjnë kërkesë për të marrë ndihmë nga Kryqi i Kuq.

“Fondacioni i Kryqit të Kuq për Diabet. Çdo diabetik që do të bëjë kërkesë sot do të marrë ndihmë nga kryqi i kuq”, thuhet në përshkrim të fotografisë së publikuar në Facebook nga kjo llogari, shoqëruar me flamurin e Kosovës.

Çka nuk shkon me këtë postim?

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se postimi përdor fotografi të vjetra nga vende të huaja e se klikimi në artikull çon në faqe të dyshimtë me artikull të rremë.


Vegëza e postimit të “Dismal Unequaled” në Facebook:

https://archive.is/BzuQ7


Fotografia e përdorur në këtë rast, në internet ka qarkulluar që nga viti 2022, kur Kryqi i Kuq Ndërkombëtar pati njoftuar për dhënie të ndihmave në Kherson pas nisjes së luftës në Ukrainë. (shih këtu)

E postimi në Facebook ka marrë komente që dëshmojnë se lexuesit i kanë besuar përmbajtjes.


Faqja e Shoqatës “Kryqi i Kuq” në Kosovë në Facebook nuk ka bërë publikim të tillë e hibrid.info duke kërkuar në llogarinë e saj nuk ka gjetur asnjë postim që lidhet me ndihma të ngjashme për njerëzit me probleme me diabetin, siç është pretenduar nga “Dismal Unequaled”. (shih këtu)


Pse është e dyshimtë kjo ueb-faqe?

Vegëza e artikullit

https://archive.is/Xwzt1

Klikimi në fotografinë e shpërndarë në Facebook çon në faqen e dyshimtë “al7.diefiltertea.info”. Artikulli që hapet shpie në përmbajtje të rreme e me fotografi të vjetra dhe të marra nga vende të tjera, por duke i ndërlidhur me Kosovën.

“Më 13.05.2024 u mor vendimi për ndarjen e kuotës për trajtimin e diabetit”, titullohet ky artikull.

Por fotografia kryesore e artikullit del të jetë marrë nga një takim i Komitetit për shëndetësi në Parlamentin e Ukrainës. (shih këtu)

Madje përdoret emri “Ajsha Krasta” si endrokrinologe që ka inicuar “vendimin për kuotën për trajtim të diabetit”. Por pas hulumtimit të hibrid.info del se fotografia e përdorur në këtë rast është e doktoreshës turke Meltem Goreli e nxjerrë nga një video e 3 janarit të 2022-s në Instagram. (shih këtu)


Të dyshimtë faqen e bën edhe përdorimi i disa fjalëve nga gjuhë të tjera.


Në fund artikulli çon në “ofertën e zbritjes” për të blerë produktin “Diatea”. Për të alarmuar aty thuhet se “për shkak të numrit të madh të porosive, prodhuesi duhej të kufizonte kushtet”. “Aksioni zgjat deri më 15.05.2024 përfshirëse”, thuhet në fund të artikullit. E ky produkt ofrohet “me zbritje 50 për qind” dhe kushton 20 euro. Aty është edhe një kohëmatës që shkon duke numëruar së prapthi, por sapo të arrin në 0, rikthehet sërish nga fillimi.


Në fund të përmbajtjes promovuese në ueb-faqen e dyshimtë janë edhe disa komente që e lavdërojnë produktin. Por profilet e tyre nuk është e mundur të klikohen që të vërtetohet se janë reale.


Në fund të faqes figuron edhe një adresë në Moskë të Rusisë.


Analiza:

Llogaria “Dismal Unequaled” në Facebook ka publikuar një fotografi nëpërmjet të cilës është pretenduar për ndihmë nga Kryqi i Kuq i Kosovës për diabetikët. 

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se përmbajtja përdor fotografi të vjetër dhe që s’ka të bëjë me çështjen e pretenduar që e reklamon faqja. Po ashtu faqja në Facebook shpërndan ueb-faqe të dyshimtë që ka përmbajtje edhe në gjuhë ruse e fotografi që nuk lidhen fare me të.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “mashtrim”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »