[email protected]
Nuk është hapur Ura e Ibrit dhe BE-ja nuk e përkrahë këtë iniciativë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes titullit të një përmbajtjeje pretendohet se “Hapet Ura e Ibrit”, ndërsa në kopertinën e video-materialit gjendet mbishkrimi “BE NE KRAHE TE KOSOVES”.

Pretendimi është hasur në video-materialin e publikuar me datë 7 gusht në kanalin e televizionit  NTV në Youtube.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se pretendimi që Ura e Ibrit është hapur, nuk është i saktë. Po ashtu, Bashkimi Evropian (BE) nuk ka dal në krahë të Kosovës lidhur me çështjen për hapjen e kësaj ure, siç pretendohet nga kanali i lartcekur.


Vegëza e video-materialit të publikuar në Youtube nga kanali NTV Televizion:

Kopertina e bashkangjitur në këtë video-material:


Çka përmban kjo video?

Në përmbajtje të këtij video-materiali gjendet e një deklaratë e ministrit të Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, i cili citohet të ketë thënë “Ura do të hapet, nuk ka asnjë arsye që të mos hapet. Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”.

Çka tha faktori ndërkombëtar?

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten (2 gusht) se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha Hovenier për gazetarë pas takimit, raportoi Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se Ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të hapet, duke shtuar se ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. (shih këtu)


Analiza:

Pretendimet se “Ura e Ibrit është hapur” dhe “BE në krahë të Kosovës”, janë të rreme.

Hibrid.info pas verifikimit të fakteve, ka vërtetuar se pretendimi i bërë përmes titullit të kësaj përmbajtje, nuk gjendet edhe brenda videos.

Ndërsa sa i përket pretendimit se BE është në krahë të Kosovës lidhur me iniciativën për hapjen e Urës së Ibrit, u vërtetua se është i pasaktë. Faktori ndërkombëtar nuk e mbështet hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »
1406