[email protected]
Përveç që nuk janë të bazuara pretendimet për ndalimin e barnave me origjinë serbe në veri, të njëjtat demantohen
shape
shape
shape

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e mallrave nga Serbia, përkundër faktit që raportohet për mungesë të produkteve serbe në veri, mediat në gjuhën serbe pretendojnë dhe për mungesën e barnave apo medikamenteve mjekësore.

Edhe pse në media u raportua për mungesën e produkteve serbe në dyqane në veri (të cilat ishin zëvendësuar me produkte alternative të vendeve tjera) zyrtarët serbë dhe disa media në gjuhën serbe pretenduan për ndalimin e importimit të medikamenteve (barnave) nga Serbia.

Përveç pretendimit të mungesës së barnave, nga të njëjtit u bënë edhe pretendime tjera me interpretime të pabazuara “si politikë për vështirësimin e jetës së qytetarëve serbë në Kosovë dhe tendencën për spastrim etnik”.

E përditshmja serbe “Politika” më 29 korrik raportoi për mungesën e produkteve serbe në veri, në mesin e të cilave i përfshiu edhe barnat.(këtu)

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, në deklaratat e bëra me 3 gusht dhe 11 gusht, përveçse pretendoi për mungesë të barnave në veri të Kosovës, ai bëri edhe një krahasim të paqëndrueshëm.

Vuçeviq morri si shembull krahasues rastin e mungesës së barnave gjatë periudhës së luftës (viti 1992) në Banjallukë të Bosnje e Hercegovinës. Për më tepër, Vuçeviq mungesën e barnave e interpretoi si “politikë e regjimit të Kurtit” që, sipas tij, po “vazhdon me agjendën për spastrimin etnik të Kosovës nga serbët”. (këtu, këtu)

Kryetari i Komisionit për Kosovë në Parlamentin e Serbisë, Milovan Drecun dhe ish kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, pretendimin për mungesën e barnave në veri të Kosovës e vlerësuan si kërcënim të jetës së serbëve në Kosovë. (këtu, këtu, këtu)


Përkundër pretendimeve të tilla rreth ndalimit të transportimit të barnave nga Serbia dhe interpretimeve politike nga zyrtarët serbë dhe mediat në gjuhën serbe, një pretendim i tillë u përgënjeshtrua.

Këtë përgënjeshtrim e bëri ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier gjatë një interviste me gazetarë ditën e mërkurë (16 gusht), pasi kishte mbledh informacione nga organet e Qeverisë së Kosovës dhe homologët serbë rreth gjendjes së importimit të barnave.

Ai i ka quajtur keqinterpretime pretendimet se Kosova nuk po e lejon importimin e medikamenteve dhe furnizimeve mjekësore nga Serbia, duke shtuar se barnat dhe furnizimet mjekësore importohen nga Serbia sot, në të njëjtën mënyrë si importoheshin para datës 14 qershor. (këtu)

“Kjo është një gjë vërtetë serioze dhe ne e marrim atë shumë seriozisht. Kështu që ne biseduam me autoritetet, si me Qeverinë e Kosovës dhe bëmë maksimumin për të marrë njohuri nga homologët serbë për të na ndihmuar të kuptojmë situatën dhe duhet të jem i qartë se është kuptimi ynë që ilaçet dhe furnizimet mjekësore importohen nga Serbia sot, në të njëjtën mënyrë si importoheshin para datës 14 qershor, kur u vendos për herë të parë kjo masë”.

“Kemi pasur një bisedë shumë të qartë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe MSH-ja nuk duket të ketë dijeni për ndonjë kërkesë për import të barnave ose furnizime mjekësore të cilave ata nuk u janë përgjigjur pozitivisht”.


Për më tepër, edhe në një raportim të portalit informativ në gjuhën serbe “kossev.info” rreth gjendjes me barna në barnatoret në veri bëhet e ditur, bazuar në deklaratën e një farmacisti, se nuk ka mungesë të barnave esenciale, përveç atyre barnave që tashmë ishin në deficit. (këtu)

“Tani për tani kemi atë që kërkohet, nuk mungon pothuajse asgjë, përveç atyre barnave që kanë muaj deficit. Edhe qytetarët vijnë dhe pyesin me shqetësim, por qetësohen kur shohin se situata, të paktën tani për tani, është krejtësisht e mirë”.


Më 14 qershor, kur autoritetet serbe arrestuan tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës në rajonin e Rashkës, Qeveria e Kosovës, të cilën e interpretoi si “rrëmbim” në komunën e Leposaviqit, vendosi të ndalojë “për siguri, jo arsye ekonomike” importin e mallrave nga Serbia.

Edhe pse në media u theksua se Qeveria nuk publikoi asnjëherë dokument të shkruar për këtë vendim, dhe disa zyrtarë ndërkombëtarë i kërkuan ekzekutivit kosovar që të tërheqë vendimin. Megjithatë, Prishtina ende vazhdon ta zbatojë në praktikë vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

Si rezultat i kësaj, siç është bërë e ditur në media, për herë të parë në periudhën e pasluftës, në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, pothuajse nuk ka produkte nga Serbia. Mungesë e këtyre produkteve vërehet edhe në komunat tjera të Kosovës. (këtu)


Analiza:

Nga kontrolli i fakteve dhe analiza e tyre rezulton se pretendimi i bërë nga zyrtarët serbë dhe disa media në gjuhën serbe për ndalimin e importimit të medikamenteve nga Serbia është keqinterpretuar.

Për më tepër, ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier e ka përgënjeshtruar atë këtë pretendim, pas mbledhjes së informative rreth situatës nga zyrtarët qeveritarë të Kosovës dhe homologët serbë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »