Mediumi online në gjuhën serbe “Kosovo-online.net” ka publikuar artikullin me titull “Çitaku: Llogaria ime në Facebook është bllokuar për shkak të njoftimit për Gjokoviqin”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet e këtij artikulli të shkruar nga ky portal, dhe ka vërtetuar se titull ngritë një pretendim të sajuar. Edhe në përmbajtje paraqitet i njëjti sajim duke pretenduar rrejshëm se nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka thënë se “llogaria e saj në Facebook është bllokuar për shkak të një njoftimit për tenistin serb, Novak Gjokoviq”.
Ky pretendim i këtij mediumi në gjuhën serbe është i pasaktë, pasi Çitaku në Twitter ka njoftuar për bllokimin e llogarisë së saj në Facebook, por në asnjë rast nuk ka përmendur se kjo ka ndodhur për shkak të një njoftimi të saj për tenistin serb.
Pjesë nga artikulli i portalin në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” i përkthyer në gjuhën shqipe:
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se llogaria e saj në rrjetin social Facebook është bllokuar për një javë.
Në një postim në Twitter, Çitaku ka theksuar se shkak i bllokimit ka qenë postimi i saj në lidhje me Novak Gjokoviqin, si dhe se e dinte se kush e kishte denoncuar.
“Për shkak të postimit është bllokuar llogaria në Facebook prej një jave. Ata që më kanë ndjekur në rrjetet sociale e dinë shumë mirë sa korrekt jam në komunikimin publik. E marr me mend se kush më ka raportuar… nga lagjja veriore”. Jam këtu (në Twitter) e “verifikuar”, tha Çitaku.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin në gjuhën serbe “Kosovo-online.com”:
Të njëjtin artikull me pretendim të rremë e ka publikuar edhe mediumi rus “Sputnik” në gjuhën serbe. (shih këtu)
Në llogarinë e saj personale në Twitter, Vlora Çitaku ka njoftuar se llogaria e saj në Facebook është bllokuar për një javë, duke aluduar se një gjë e tillë ka mund të ketë ndodhur nga raportimet e bëra nga, siç është shprehur “fqinjësia veriore”. (shih këtu).
Pra, Çitaku në asnjë rast nuk ka përmendur se llogaria e saj në Facebook është bllokuar shkaku i një postimi për tenistin serb Novak Gjokoviq, siç pretendohet rrejshëm nga portali në gjuhën serbe “Kosovo-online.net”.
Analiza:
“Kosovo-online.net” ka pretenduar rrejshëm se Vlora Çitaku ka thënë se llogaria e saj në Facebook është bllokuar shkaku i një postimi për tenistin serb Gjokoviq.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, Çitaku në këtë njoftim në Twitter nuk ka përmendur asnjëherë emrin e tenistit serb.
Ky artikull me pretendim të rremë është publikuar edhe nga portali rus “Sputnik” në gjuhën serbe.
Nga analiza e kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.