[email protected]
Pretendohet rrejshëm se Edi Rama ka mbajtur tubim në Greqi pa pëlqimin e autoriteteve greke
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U pretendua se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një tubim në Greqi pa pëlqimin e autoriteteve greke.

Kjo përmbajtje u publikua sot (13 maj) nga një llogari në median sociale “Telegram” me përmbajtje në gjuhën serbe.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi i bërë nga llogaria e lartcekur, nuk qëndron.

Duke u bazuar në raportimet në mediat greke thuhet se vizita e Edi Ramës ishte private pa karakter zyrtar, dhe se Qeveria e Greqisë nuk e ka ndaluar këtë tubim.


Vegëza e postimit të publikuar në Telegram nga llogaria “БУНТ је стање духа” (shqip: rebelimi është një gjendje shpirtërore)”:

https://ghostarchive.org/archive/DrqVP


Pjesë nga përmbajtja e publikuar në Telegram, e përkthyer në shqip:

Kryeministri shqiptar Edi Rama ndodhet në Greqi, ku pa pëlqimin e autoriteteve greke ka zhvilluar një tubim për mbështetësit e tij në arenën “Galaci” në Athinë dhe më pas ka postuar një video të ngjarjes në rrjetet e tij sociale.


Zëdhënësi i qeverisë së Greqisë, Pavlos Marinakis, gjatë një interviste dhënë për televizionin SKAI tha se “qeveria greke as nuk e ka ftuar zotin Rama, as nuk është një takim dypalësh dhe as nuk ka mundur – dhe askush nuk ka thënë ndryshe, sepse nuk ka si të thuhet – të ndalojë një tubim”. (shih këtu)

Mediumi tjetër grek “Himara.gr” ka raportuar paraprakisht se vizita e Ramës në Greqi do të mbahej në Teatrin e Krishtlindjeve, në Qendrën Olimpike Galatsi dhe se fillimisht pjesëmarrësit kishin marrë një përgjigje negative për këtë hapësirë ​​specifike, por siç shkruan ky medium, pas prapavijës së dendur diplomatike, iu dha drita jeshile. (shih këtu)

E ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis, siç pati shkruar “euronews.al”, kishte thënë se Rama nuk do të pengohet nga MPJ-ja greke dhe se autoritetet do t’i garantojnë sigurinë përfaqësuesve të shtetit shqiptar. (shih këtu)


Analiza:

Një llogari në Telegram në gjuhën serbe, përmes një postimi të publikuar sot (13 maj) pretendoi se kryeministri shqiptar Edi Rama, ka zhvilluar një tubim në Greqi me mbështetësit e tij pa pëlqimin e autoriteteve greke.

Ishte zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, i cili potencoi se qeveria e Greqisë nuk e ka ndaluar këtë tubim. E ministri i Jashtëm, Georgios Gerapetritis, pati thënë se Rama nuk do të pengohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë e se autoritetet do t’i garantonin sigurinë përfaqësuesve të shtetit shqiptar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »