[email protected]
Stano s’e ka ndërlidhur ndalimin e vizitës së Porfirijes me vazhdimin e masave ndaj Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Është pretenduar ndërlidhje në mes të ndalimit të vizitës së patriarkut Porfirije në Kosovë dhe sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Harroni heqjen e sanksioneve, Stano për ndalimin e hyrjes së Porfirie” është titulli që portali “ntv.al” ka publikuar më 15 maj. 

Por çka nuk shkon me këtë titull?

Artikulli i vetë mediumit nuk përkon me titullin. Në përmbajtje të artikullit s’ka pasur asnjë ndërlidhje të ndalimit të vizitës së Porfirijes me vazhdimin e masave ndaj Kosovës.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “ntv.al”:

https://archive.is/pKUs3


Në artikullin e “ntv.al” bëhet e ditur se Stano ka thënë se Prishtina me ndalimin e hyrjes së Porfirijes ka shkelur Marrëveshjen për vizitat zyrtare, të rënë dakord në Bruksel më 2014. Ai ka përsëritur thirrjen e BE-së që të zbatohen të plota dhe të pakushtëzuara të gjitha marrëveshjet nga dialogu.


Pjesë nga artikulli që flet për deklaratën e Stanos lidhur me ndalimin e hyrjes në Kosovë, të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije dhe priftërinjve të tjerë:

“Peter Stano, ka thënë se Prishtina me ndalimin e hyrjes së Patriarkut Porfirie, ka shkelur Marrëveshjen për vizitat zyrtare të rënë dakord në Bruksel në vitin 2014. Ai theksoi se tema e takimit të sotëm në Bruksel do të jetë dinari, por se BE-ja nuk e humb rastin për të përcjellë mesazhet e saj, si dhe pakënaqësinë me veprime të caktuara. “Vizita e Patriarkut Porfiri në Kosovë është pjesë e një Marrëveshjeje të rëndësishme të Dialogut dhe është dashur të lejohet. Duke refuzuar hyrjen e tij, Qeveria e Kosovës ka shkelur Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare që Kisha Ortodokse Serbe të jetë në kontakt me besimtarët në Kosovë”- deklaroi Stano dhe shtoi se një veprim i tillë është kundër parimeve themelore të çdo shoqërie demokratike multietnike dhe tolerante. “Bashkimi Evropian vazhdon të përsërisë thirrjen e tij për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu, përfshirë atë për vizitat zyrtare”, tha zëdhënësi i BE-së dhe sipas tij, takimi i sotëm në Bruksel do fokusohet në një agjendë shumë të specializuar, por se BE-ja nuk do të mungojë të shprehë qëndrimin e saj”.

Pra në përmbajtje nuk përmenden masat ndaj Kosovës.

Artikulli vazhdon me reagimin e shteteve anëtare të QUINT-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) për moslejimin e vizitës së peshkopit Porfirije në Patrikanën e Pejës.


As në deklaratën me shkrim të BE-së dhe QUINT-it nuk përmenden masat. (shih këtu)


Kontekst mbi masat ndaj Kosovës:

Bashkimi Evropian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, duke thënë se s’ka bërë sa duhet për ta shtensionuar situatën që pati ndodhur paraprakisht në maj në veri. Në veri, situata kishte përshkallëzuar pas protestave të serbëve lokalë kundër vendosjes së kryetarëve të rinj, shqiptarë, në objektet komunale në katër komunat në veri. Në protesta, disa pjesëtarë të KFOR-it ishin plagosur rëndë. Suspendimi i përkohshëm i grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesa në takime të nivelit të lartë dhe suspendimi i vizitave bilaterale ishin ndër masat e vendosura. U suspendua edhe programi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh. E pas votimit më 21 prill për shkarkimin e kryetarëve në veri që ishte kusht i BE-së, zëdhënësi i BE-së, Stano u shpreh (2 maj) se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës. (shih këtu)


Analiza:

Nëpërmjet një titulli të portalit “ntv.al” është pretenduar ndërlidhje e ndalimit të vizitës së patriarkut Porfirije me vazhdim të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se kjo nuk është thënë nga zyrtarët e BE-së e madje nuk është e përmendur as në vetë artikullin e mediumit në fjalë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »