[email protected]
BE të shqetësuar: Përveç Kinës e Rusisë, dezinformata kundër BE-së vijnë edhe nga Hungaria
shape
shape
shape

BE-ja ka të ngjarë të mbetet “pa dhëmbë” kundër politikanëve, qeverive apo institucioneve publike në shtetet anëtare që përhapin dezinformata.

“Problemi është, çka nëse qeveria shpërndan tërësisht ose pjesërisht lajme të rreme”, i tha një grupi gazetarësh euro-deputetja letoneze, Sandra Kalniete, një ligjvënëse kyçe në luftën kundër dezinformimit Parlamentit Evropian.

Euro-deputetja tha se gjëja kryesore që BE mund të bëjë “është të tregojë se ky është një lajm i rremë, ose se tejkalon realitetin dhe faktet objektive”.

“Por çfarë tjetër, unë do të hezitoja të propozoja, sepse është një situatë krejt e re”, tha ajo, duke shtuar se ajo lidhet me kompetencat kombëtare – kështu që BE-ja ka pak hapësirë ​​për manovrim.

Polonia dhe Hungaria kanë qenë nën vëzhgimin e BE-së për shqetësimet mbi sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, dhe ekspertët kanë vënë në dukje gjithashtu institucionet publike hungareze që përhapin dezinformata.

Euro-deputetja 68-vjeçare e qendrës së djathtë ka hartuar një raport që përfshin rekomandime për Komisionin e BE-së dhe shteteve anëtare, që kanë zbrazëtira legjislative, e të cilat duhet të mbyllen për të luftuar ndërhyrjen e huaj në BE.

Ai u hartua në nga komiteti i posaçëm që merret me ndërhyrjet e huaja.

Ky raport përfshin propozime për bërjen e paligjshme të të gjitha llojeve të kontributeve të partive politike nga jashtë BE-së në çdo shtet anëtar, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, trajtimin e “kapjes së elitës” në vendet e BE-së, mbështetjen e gazetarisë së pavarur dhe rritjen e njohurive në gjuhën mandarine në shërbim të krijimit të njësiteve kundër-dezinformimin.

Draft-raporti theksoi gjithashtu se ngritja e ndërgjegjësimit ishte thelbësore në shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për ndikimin e huaj keqdashës.

“Rusia, Kina dhe regjimet e tjera autoritare kanë derdhur më shumë se 300 milionë dollarë [259 milionë euro] në 33 vende për të ndërhyrë në proceset demokratike”, thuhej në draft.

E pyetur se cila është vija e kuqe kur përpjekjet për ndikim të huaj në fakt japin fryte dhe ndryshojnë proceset politike evropiane, Kalniete tha se ishte e vështirë të përcaktohej një pikë referimi e vetme.

“Kjo nuk është plotësisht e mundur të shprehet në gjuhën ligjore”, tha ajo.

“Ekziston vetëm një ilaç përfundimisht i sigurt, që kërkon kohë, që është ndërtimi i aftësisë përballuese në shoqëri”, tha ajo.

Kalniete tha se ishte shumë e rëndësishme që BE të gjente mënyra për të mbështetur gazetarinë cilësore. Një tjetër mjet kyç, tha ajo, ishte edukimi i cili “mund të sigurojë jo vetëm fakte, por edhe aftësi për edukimin mediatik dhe të mos jetë naiv dhe të bjerë në çdo dezinformim”.

(artikulli i plotë në anglisht, i publikuar nga euobserver.com)

Share With Others