[email protected]
Përgënjeshtrohet prezenca e FSK-së në veri dhe pretendimi i pamundësisë së operimit të asnjë force të armatosur është i pabazë
shape
shape
shape

Artikulli me përmbajtje keqinformuese nga mediumi Kurir.rs u korrigjua pas trajtimit nga hibrid.info (shih artikullin e korrigjuar këtu)


Medium në gjuhën serbe “Novosti” dje (26 shator) ka publikuar një artikull me pretendimin se një kolonë e automjetesh të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të shtunën është parë në zonën e Zubin Potokut. Mediumi në fjalë këtë pretendim e bënë duke u bazuar në burime jo zyrtare, pretendime këto që nuk përcillen me fakte fotografike apo detaje të tjera.

Mbi pretendimet e të përditshmes serbe kanë ngritur reagime subjekti politik serb në Kosovë “Lista Serbe” (Srpska Lista) dhe shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të cilën e vlerëson si shkelje të marrëveshjes së vitit 2013 e të garantuar nga NATO, e cila garanton se asnjë formacion i armatosur i Prishtinës nuk mund të operojë në veri pa lejen e kryetarëve të komunave dhe komandantit të KFOR-it.

Pretendimin e prezencës së FSK-së, e ka demantuar ministri i mbrojtjes së republikës së kosovës, Armend Mehaj, nëpërmjet një reagimi në llogarinë e tij në Facebook.

Për më tepër, pretendimi për pamundësinë e operimit të asnjë formacioni të armatosur në veri pa lejen e KFOR-it dhe kryetarëve të komunave atje sipas marrëveshjes së vitit 2013, nuk qëndron për shkak se ajo marrëveshje e potencon vetëm FSK-në dhe jo formacionet tjera të armatosura.

Vegëza e artikullit të publikuar në “Novosti”:

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1157230/kurti-sad-vojskom-upada-sever-kim-pristina-zadala-jos-jedan-ozbiljan-udarac-miru-nasoj-juznoj-pokrajini

Pjesë të artikullit të publikuar në “Novosti”:

Gjegjësisht, siç mëson jozyrtarisht “Novosti”, të shtunën në zonën e Zubin Potokut, në malin Mokra Gora, është vërejtur se një kolonë automjetesh ka ardhur nga drejtimi i komunës së Istogut. të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), në të cilat ndodheshin tetë vetura: pesë “Land Rover Defenders” dhe tre “Mitsubishi Pajer”.

Deri më tani askush nga misioni ndërkombëtar i KFOR-it nuk e ka komentuar këtë veprim të egër të kryeministrit të Institucioneve të Përkohshme në Prishtinë, Albin Kurti, i cili kërcënon se do të kërcënojë paqen në Kosovë dhe Metohi, pa pëlqimin e të cilit dhe pa njoftim paraprak të përfaqësues të serbëve, asnjë formacion i armatosur nuk mund të hyjë në provincat veriore, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pretendimet e të përditshmes “Novosti” kanë zënë hapësira në mediat kryesore serbe. (këtu, këtu, këtu)


Për pretendimet e gazetës serbe ka reaguar edhe subjekti politik serb “Lista Serbe” (Srpska Lista)e cila thotë se, “Inkursioni i paligjshëm i pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës në territorin e komunës së Zubin Potokut është shkelje e rëndë e marrëveshjes së vitit 2013, të garantuar nga NATO, e cila garanton se asnjë formacion i armatosur i Prishtinës nuk mund të pushtojë komunat serbe në veri pa miratimin e kryetarëve të këtyre komunave dhe komandantit të KFOR-it.” (këtu)


Për pretendimet e mediumit në gjuhën serbe, ka reaguar edhe shefi i zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, i cili, në një postim në Facebook ka deklaruar se, “kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e marrëveshjes së vitit 2013 me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, sipas së cilës pjesëtarët e asnjë formacioni ushtarak që vjen nga Prishtina nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në veri të Republikës së Kosovës pa miratimin e dyfishtë, të KFOR-it dhe katër kryetarët serbë nga veriu.” (këtu)


Pretendimet e gazetës serbe, rreth prezencës së Forcave të Armatosura të Kosovës (FSK) në veri të vendit, më konkretisht në Zubin Potok, i ka përgënjeshtruar ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili, këto pretendime, i ka quajtur “dezinformata të rrezikshme me qëllim të krijimit të klimës së tensioneve dhe tendencës për dëmtimin e imazhit Republikës së Kosovës dhe të FSK-së në aspektin ndërkombëtar”. (këtu)

Pjesë të reagimit të ministritë Mehaj:

Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron lajmet e rrejshme që kanë qarkulluar në disa media serbe për gjoja lëvizjen e trupave të FSK-së në zonën e komunës së Zubin Potokut.

Këto lajme të rrejshme i cilësojmë dezinformata të rrezikshme me qëllim të krijimit të klimës së tensioneve dhe tendencës për dëmtimin e imazhit Republikës së Kosovës dhe të FSK-së në aspektin ndërkombëtar, por realisht qytetarët tanë pa dallim etnie kuptojnë drejt rolin mbrojtës të FSK-së dhe padyshim është e qartë edhe hapësira gjeografike që Ushtria e Republikës së Kosovës bashkë me partnerët ndërkombëtarë mbulon, pra çdo cep të shtetit.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, të gjitha aktivitetet stërvitore dhe operacionale, i realizojmë në bashkëpunim dhe bashkërendim me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, respektivisht KFOR-in në përputhje me mandatet tona kushtetuese dhe ligjore.

Reagimi ministritë Mehaj ka zënë ven edhe në mediumet në gjuhën serbe. (këtu, këtu, këtu)


Po ashtu, pretendimi tjetër që hedhet në të përditshmen serbe e që theksohet edhe nga “Lista Serbe” dhe shefi i zyrës për Kosovën, Petkoviq, është se sipas marrëveshjes së vitit 2013, e garantuar nga NATO, asnjë formacion i armatosur i Prishtinës nuk mund të operojë në veri pa miratimin e kryetarëve të këtyre komunave dhe komandantit të KFOR-it.

Për këtë, hibrid.info ka bërë konsultim me dokumentet zyrtare relevante me këtë çështje, dhe ka gjetur se pretendimi i subjektit politik serb dhe Petkoviqit, janë të pasakta. Dokumentet zyrtare që i klasifikojnë të pabaza pretendimet e zyrtarëve serb dhe e vërtetojnë se Policia e Kosovës vepron nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë:  Marrëveshja e 19 prillit 2013 mes ish-sekretarit gjeneral të NATO-s të, Anders Fogh Rasmussen dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit (shih këtu); Ligji Për Policinë, nenit 4, pika 3 (shih  këtu); Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i arritur 19 prill të vitit 2013 (shih këtu).


Pretendimet e lartcekura për ta ndërlidhë marrëveshjen 19 prillit 2013 mes ish-sekretarit gjeneral të NATO-s të, Anders Fogh Rasmussen dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, të dy këta në pozitë gjatë asaj kohe, për kufizimin e operimit të FSK në veri të Kosovës, pa lejen e KFOR-it, me Policinë e Kosovës, rezulton të jetë i pavërtetë (këtu).

Në fakt, në këtë Marrëveshje, nuk përmendet fare Policia e Kosovës.


Hibrid.info e shqyrtoi edhe Ligjin për Policinë e Kosovës për ta vërtetuar nëse deklarata e subjekteve të lartcekura qëndron, pasi që operimi i këtij institucioni të sigurisë në Kosovës rregullohet vetëm sipas këtij ligji përkatës. Sipas nenit 4, pika 3 e Ligjit Për Policinë, thuhet se “Policia vepron nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues në tërë territorin e Republikës së Kosovës” (shih ligjin këtu), duke mos e bërë ndonjë veçim rajonal.


Një tjetër dokument që e ka trajtuar hibrid.info është edhe ai i Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i arritur 19 prill të vitit 2013 mes dy kryeministrave të atëhershëm të Kosovës, respektivisht Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq, (këtu) që e parasheh më në detaje funksionimin e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Në këtë marrëveshje, e cila ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013 (këtu), funksionimi i Policisë së Kosovës parashihet:

“Në Kosovë do të ketë një forcë policore, e quajtur Policia e Kosovës. E tërë policia në Kosovën veriore do të integrohen në kornizën e Policisë së Kosovës. Pagat do të jenë vetëm nga PK-ja. 8. Pjesëtarëve të strukturave tjera serbe të sigurisë do t’u ofrohet vend në strukturat ekuivalente të Kosovës”. (shih pikën 7 të dokumentit të kësaj marrëveshje të ratifikuar këtu)

Pra, sipas kësaj marrëveshje të nënshkruar edhe nga vetë i pari i Qeverisë së Serbisë, pjesë e së cilës ishte edhe presidenti aktual Vuçiq si zëvendëskryeministër i parë (këtu), parashihet që Policia në Kosovën veriore të integrohet në kuadër në kornizën e Policisë së Kosovës. Ndërsa, ky dokument nuk përmban detaje rreth mënyrë së funksionimit të saj në veri.


Analiza:

E përditshmja serbe “Novosti” hedh pretendime për patrullim të FSK-së në zonën e Zubin Potokut, sipas, siç theksohet, burimeve jozyrtare. Pretendimin e gazetës e ka përgënjeshtruar ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, nëpërmjet një reagimi në llogarinë e tij në Facebook.

Për pretendimet e pabaza të gazetës kanë reaguar edhe subjekti politik serb “Lista Serbe” (Sprska Lista) dhe shefi i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të cilët, e kanë cilësuar si shkelje e marrëveshjes së 2013-tës, të garantuar nga NATO.

Në dokumentet e konsultuara dhe të trajtuara nga hibrid.info, pretendimi i zyrtarëve serb nuk qëndron, dhe se, marrëveshja e vitit 2013, e garantuar nga KFOR-i nuk përfshinë të gjitha formacionet e armatosura, por vetëm FSK-në.

Për këtë arsye, hibrid.info i vlerëson këto pretendime si “Dezinformatë” dhe “Manipulim të Fakteve”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others