Portali “kosovasot.info” ka publikuar një artikull me titull “Për herë të parë nuk raportohet asnjë viktimë nga Covid në 24 orë”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, rezulton që me këtë titull të vendosur, “kosova-sot.info” ka pas tendencë të dezinformimit të lexuesve, pasi ngjarja ka të bëjë me shtetin e Portugalisë.
Duke ditur se ky portal është në gjuhën shqipe dhe shumicën e lexuesve i ka kosovarë si dhe duke i vënë këtë titull përgjithësues, shumë lehtë mund të dezinformohen duke aluduar se ngjarja ka të bëjë me Kosovën.
Gjithashtu, fotografia e ilustruese e artikullit vërehet se është bërë në spitalet kosovare apo të vendeve përreth, pasi që shihet se në ambientin spitalor, gjendet një produkt (pije) kosovar.
Pjesë nga teksti i artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”:
Portugalia nuk ka raportuar asnjë viktimë në 24 orë për herë të parë që nga gushti, sipas autoriteteve. Numri i viktimave deri më tani është 16,965. Megjithatë, numri i rasteve të konfirmuara u rrit me 196 duke çuar numrin e përgjithshëm në 834,638. Portugalia vendosi masa të ashpra që në fillim të pandemisë duke mbajtur në kontroll përhapjen e virusit në krahasim me Spanjën. Në fund të majit 2020, Portugalia kishte regjistruar 1,300 viktima, krahasuar me 28,600 në Spanjë.
Vegëza e artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”:
Hibrid.info ka arritur të identifikoj edhe një detaj që argumenton se fotografia e përdorur në këtë artikull, është bërë në spitalet e Kosovës. Detaji i identifikuar është një produkt (lëngë frutash) i prodhuar nga një prodhues kosovar (Fruti), i cili vështirë se mund të jetë eksportuar në Portugali, vend i cili trajtohet në përmbajtje të këtij artikulli.
Analiza:
Portali “kosova-sot.info” ka përdorur një raport të shtetit portugez, ku thuhet se nuk gjatë 24 orëve të fundit nuk ka pasur asnjë viktimë, si pasojë e virusit korona.
Në titullin e këtij artikulli nuk qartësohet se për cilin shtet bëhet fjalë, dhe duke ditur se ky portal është në gjuhën shqipe dhe shumicën e lexuesve i ka kosovarë, shumë lehtë mund t’i dezinformojë ata duke menduar se fjala është për Kosovën.
Edhe me anë të fotografisë së vendosur, ka tendencë të dezinfomimit të lexuesve, pasi është vërejtur së bëhet fjalë për një hapësirë spitalore në Kosovë. Pra as titulli e as fotografia nuk i përgjigjen përmbajtjes së tekstit, pasi nuk tregon se bëhet fjalë për Portugalinë.
Pas analizës së kontrollit të fakteve nga hibrid.info, del që ky artikull vlerësohet si “clickbait” dhe “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.