[email protected]
Interpretim i pasaktë i deklaratave të Edi Ramës për Izraelin dhe Palestinën
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

“Albanian PM puts Blinken in his place about Palestine” apo në shqip, “Kryeministri shqiptar i tregon vendin Blinkenit sa i përket Palestinës” thotë teksti që i është vendosur një video-materiali të shkëputur nga konferenca për media, pas takimit të zhvilluar në Tiranë, ndërmjet kryeministrit Edi Ramës dhe Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

Videoja është gjetur e publikuar në Instagram, nga llogaritë “thisisappa” (8 prill) dhe “alhelou.y” (9 prill).

Pas verifikimit të përmbajtjes, është gjetur se kryeministri Rama flet për kontekstin historik të rolit dhe qëndrimeve të Shqipërisë, në raport me Izraelin e Palestinën.


Vegëza e video-materialit të publikuar nga llogaritë “thisisappa” dhe “alhelou.y” në Instagram:

https://archive.is/NPriO

https://archive.is/Gd49B

Videot në fjalë kanë nga 35 mijë deri në 47 mijë pëlqime në Instagram dhe kanë mbi 1 mijë komente, shumë prej të cilëve shprehin se kanë marrë si të mirëqenë pretendimin.


Hibrid.info e ka gjetur të njëjtin video-material të publikuar edhe në TikTok (shih këtu).

Mbishkrimi i videos në Instagram nga llogaria “alhelou.y”, në profilin e së cilës tregohet se i përket një gazetari të luftës në Gaza, me emrin Yousef Alhelou (këtu).

“Shqipëria e njohu Palestinën 36 vjet më parë në 1988 dhe ishte gjithashtu i vetmi vend në Evropë ku hebrenjtë ishin të sigurt nga ndjekja penale e nazistëve. Këto janë fakte historike. Liderët botërorë duhet të veprojnë si kryeministri shqiptar Edi Rama dhe të zmbrapsen kundër imperializmit dhe hipokrizisë perëndimore, e cila shfaqet nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.”


Disa nga faktet historike në lidhje me çështjen, të përmendura në këtë përshkrim theksohen nga kryeministri Rama, i cili i përgjigjet një pyetje (këtu) në konferencë për media (shih këtu).


Deklarata e Ramës e shkëputur nga videoja dhe marrë nga transkripti i konferencës së publikuar në ueb-faqen e Departamentit të Shtetit:

“po, Shqipëria e ka njohur Palestinën shumë kohë më parë.

Për t’ju dhënë pak histori, Shqipëria ishte një diktaturë komuniste dhe diktatori ynë ishte një nga miqtë dhe aleatët më të ngushtë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, PLO, dhe të Jaser Arafatit. Dhe nga ana tjetër, regjimi ynë ishte shumë i egër kundër tre djajve të mëdhenj – Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Izraelit, pra me fjalë të tjera, imperializmit amerikan, social-imperializmit sovjetik dhe sionizmit hebre. Por ky vend, nga ana tjetër, është i vetmi vend në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore kishte më shumë hebrenj se më parë, dhe është i vetmi vend ku hebrenjtë nuk fluturuan jashtë, por fluturuan për t’u mbrojtur. Dhe siç tregohet shumë mirë në Yad Vashem, është një vend ku nazistët nuk ia dolën të merrnin një hebre të vetëm. Ky është konteksti.”

Pra, siç edhe shihet në fjalinë e fundit, kryeministri Rama e bën të qartë se bëhet fjalë për kontekst historik të ngjarjeve.


Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinave të kërkimit, për qëndrimet zyrtare të institucioneve shqiptare, të cilët që nga shpërthimi i konfliktit në vitin e kaluar ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, në shumicën e rasteve, e kanë vlerësuar organizatën të shpallur terroriste nga SHBA-ja, si përgjegjëse për situatën e krijuar, qëndrime këto të ngjashme me aleatët perëndimorë (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Deklaratat e kryeministrit Rama teksa shpjegon pozicionin e Shqipërisë komuniste, në raport me konfliktin izraelito-palestinez, interpretohen shtrembërisht si qortim i kryeministrit shqiptar ndaj Sekretarit Blinken.

Gjithashtu, Shqipëria në pothuajse shumicën e rasteve ka bërë përgjegjëse organizatën terroriste Hamas, për konfliktin në Gaza.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others