[email protected]
Pretendohet pa fakte se FSK-ja është furnizuar me 33 automjete “BMC Vuran”
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Është pretenduar se në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë mbërritur 33 automjete ushtarake “BMC Vuran” nga Turqia.

Pretendimi është bërë nga faqja në Facebook “Diaspora me Albinin” nëpërmjet një postimi të publikuar të dielën (12 maj).

Megjithatë, pas kërkimit nga hibrid.info del se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga institucionet për numrin e këtij lloji të armëve që e posdon FSK-ja dhe se përmbajtja është e paverifikuar.


Vegëza e postimit të faqes “Diaspora me Albinin”:

https://archive.is/Ncp3d

Përmbajtja e postimit:

“BMC Vuran, qe ka te montuar sistemin e artilerise caliber 120mm e njejte me predhen e nje tanku Gjerman. 33 automjete te tilla kan arritur ne kazermat e FSK-së. Qeveria Kurti per shtet me ushtri siguri e sovranitet te plote ne gjithe territorin e vendit”


Deri në momentin e trajtimit, ky postim ka marrë më shumë se 700 pëlqime, 40 komente e 16 shpërndarje. Në postim është përdorur fotografi  që në mediat në gjuhën turke ka qarkulluar që nga viti 2017. (shih këtu)

Postim të ngjashëm ka publikuar edhe faqet tjera në Facebook “Prishtina ime” dhe “Pasqyra”. (shih këtu dhe këtu)


Çka dihet deri tash për furnizimin me këto automjete?

Në korrik të 2021-s, “evropaelire.org” pati shkruar në burime se Kosova ka nënshkruar kontratën me Turqinë për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara të tipit “Vuran” dhe “KIRPI”. (shih këtu)

Ndërsa agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolu” pati njoftuar se eksporti i parë i makinave turke të blinduara të tipit “Vuran 4X4”, të prodhuara në bashkëpunim me firmat e mbrojtjes në Turqi, do të arrijë në Kosovë. Sipas raportimit të 2021-s, në mjet do të vihet në përdorim sistemi i mortajës 120 milimetra “Alkar” i kompanisë “Aselsan”. (shih këtu)

Vetëm një muaj më herët, (prill 2024), ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për “anadolu” konfirmoi se në inventarin e FSK-së ka automjete “Vuran” me sistem të integruar të armatimit të mortajave 120 milimetërshe. Megjithatë ai s’ka përmendur shifra. (shih këtu)


Çështja e automjeteve “BMC Vuran” është aktualizuar pasi Forca e Sigurisë së Kosovës realizoi trajnime në poliogonin ushtarak në Bizë të Shqipërisë, bashkë me instruktorët e kësaj kompanie nga Turqia.

“Kjo stërvitje ishte kombinuar duke vepruar me zjarrin direkt dhe indirekt ,ndërveprim me armët e artilerisë dhe automjeteve luftarake Vuran. Qëllimi i kësaj stërvitje është ngritja e kapaciteteve luftarake të FSK-së, ndërveprueshmëria në mes ushtrive, shkëmbimi i përvojave me qëllimin ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale”, ka shkruar ministri Maqedonci më 10 maj në Facebook. (shih këtu)


Analiza:

Nëpërmjet një postimi në Facebook faqja “Diaspora me Albinin” ka pretenduar pa fakte se në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë mbërritur 33 automjete ushtarake “BMC Vuran” nga Turqia. Për më shumë, postimi përmban fotografi të vjetër të përdorur në mediat në Turqi para 7 vjetëve.

Deri tash institucionet e sigurisë nuk kanë njoftuar për numrin e automjeteve të tilla që posedon FSK-ja, ndërsa më 2021, ishte raportuar se Kosova do të blejë 14 vetura të blinduara nga Turqia.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si, “Përmbajtje e paverifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I paverifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Share With Others

Translate »