[email protected]
Pse dhe si ndikojnë lajmet e rreme në zgjedhjet në SHBA?
shape
shape
shape

A ndikojnë lajmet e rreme, të njohura edhe si histori të bazuara në informacione të rreme, tek votuesit?

Megjithëse efekti i tyre mund të jetë i vogël, një studimi të fundit zbulon se lajmet e rreme mund të ndikojnë në ngjarje të mëdha, siç janë zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Studimi i Universitetit Shtetëror të Ohajos sugjeron që rreth 4% e mbështetësve të Presidentit Barack Obama të vitit 2012 ishin dekurajuar të votonin për Hillary Clinton në 2016 nga besimi në histori të bazuara në informacione të rreme.

Sipas dëshmisë së Facebook-ut në Senatin amerikan, vlerësohet se 126 milionë amerikanë lexuan histori të rreme të mbështetura nga Rusia, të orientuara politikisht përmes platformës së mediave sociale gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale të SHBA-ve në vitin 2016.

Jo çdo përdorues i Facebook-ut që është i ekspozuar ndaj artikujve me përmbajtje të rreme, mund t’u besoj atyre. Por nëse këto histori të rreme ndikojnë vetëm te një pjesë e lexuesve, kjo do të mund të kishte ndryshuar rezultatin e një gare të ngushtë, sugjeron studimi i mësipërm.

Lajmet e rreme eklipsojnë ato të vërteta

Përpara zgjedhjeve presidenciale 2016, 20 historitë e rreme më të njohura morën më shumë reagime dhe komente (8.7 milionë angazhime) sesa 20 historitë më të njohura të lajmeve reale (7.3 milionë angazhime), thuhet në këtë raport.

Mediat sociale shtyjnë më shumë përdorues në faqet e lajmeve të rreme sesa në ato me lajme të vërteta apo kredibile. Sipas një studimi të vitit 2017 nga “Journal of Perspectives Economy”, më shumë se 40% e vizitave në 65 faqe të lajmeve të rreme vijnë nga mediat sociale, krahasuar me rreth 10% të vizitave në 690 faqet kryesore të lajmeve në SHBA.

Më shumë se një e katërta e të rriturve, mbi moshën e lejuar për votim, vizituan të paktën një faqe të lajmeve të rreme në internet që mbështesnin kandidatët Hillary Clinton ose Donald Trump, thuhet në hulumtimin e bërë nga Princton, Universiteti Darmouth dhe Universiteti i Exeter-it. Sipas këtij hulumtimi këto vizita të bëra në javët vendimtare para ditës së zgjedhjeve, kanë mundur të ndikojnë edhe në rezultatin përfundimtar.

Audienca të ndryshme shohin lajme ndryshe

Konservatorët kanë më shumë gjasa sesa liberalët të besojnë gjëra që nuk janë të vërteta, në rastin kur pasojat e këtyre historive mund të jetë negative apo parashohin rrezik, thuhet në hulumtimin e kryer nga një ekip nga UCLA në 2017, raporton Los Angeles Times.

Studimi gjithashtu zbuloi se konservatorët kishin më shumë gjasa sesa të moderuarit ose liberalët të shpërndajnë artikuj me përmbajtje të rreme.

Sidoqoftë, mosha luan gjithashtu një rol në këtë aspekt. Studiuesit zbuluan se më pak se 10% e amerikanëve kanë shpërndarë një artikull të rremë, ndërsa përqindja më e madhe e këtyre lexuesve janë të moshuarit në mbi 65 vjet. Qytetarët e moshuar shpërndajnë artikuj të rremë në Facebook me një normë shtatë herë më të lartë se ajo e të rriturve të rinj midis moshës 18 dhe 29 vjet, thuhet në studimin e botuar në janar 2019 në revistën “Science Advances”.

(Artikull nga KSL News Radio)

Share With Others