[email protected]
Putin nuk ka thënë se do ta sulmojë Shqipërinë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U pretendua se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është deklaruar se do ta sulmojë Shqipërinë.

Llogaria “specialelementi” në TikTok ka publikuar video-materialin që në pamje shfaq imazhin e presidentit rus, si dhe mbishkrimin “PUTIN ME DEKLARATË TË FORTË, DO SULMOJ SHQIPËRINË dhe do e vendos në listën e zezë, ja kush bën pjesë!”

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim është i rremë dhe është nxjerrë nga një lajm i vitit 2022.

Atëkohë, Putin kishte miratuar një listë të shteteve dhe territoreve të huaja, që, siç ishte shprehur, kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj, duke përfshirë këtu tri vendet e Ballkanit Perëndimor si, Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut.


Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “specialelementi”:


Në këtë video-material është vendosur edhe një audio, në të cilën po ashtu nuk përmendet se Putin të ketë thënë që do ta sulmojë Shqipërinë.

Hibrid.info përmes makinave online të kërkimit, ka arritur të gjejë audion e njëjtë të përdorur në një video tjetër, e publikuar në Youtube nga kanali “Melodia e Jetës”. (shih këtu)


Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka arritur të gjejë artikuj në media online të publikuar në vitin 2022, të cilat kishin raportuar në lidhje me miratimin e një liste nga Rusia, përmes së cilës kishin listuar disa shtete e territore të huaja, siç ishte thënë, kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj. (shih këtu dhe këtu)

Në këta artikuj, asnjëherë nuk është përmendur se Putin të ketë thënë se do ta sulmojë Shqipërinë, siç pretendohet në përmbajtjen e publikuar në TikTok nga llogaria “specialelement”.


Analiza:

U pretendua përmes një video-materiali se Putin ka thënë se do ta sulmojë Shqipërinë. Por, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi është i rremë.

Duke u bazuar edhe në audion e bashkëngjitur në këtë video-material, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se bëhet fjalë për lajm të vitit 2022, atëkohë kur Rusia kishte miratuar një listë me vendet, siç i quan, jomiqësore, ku bënte pjesë edhe Shqipëria.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »