[email protected]
Të shtëna mund të ketë patur në Zubin Potok, por nuk ka fakte që tregojnë se nga kush janë bërë
shape
shape
shape

Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar dje (25 dhjetor) artikuj duke raportuar për disa të shtëna armësh, për të cilat, pretendojnë pa fakte se janë bërë nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, gjatë përpjekjeve për të larguar një barrikadë në një rrugë alternative në veri të Kosovës.

Ky pretendim bazohet në një video të shpërndarë (të paqartë) nga një faqe lokale që supozohet të shpërndajë informacione mbi komunën e Zubin Potokut.

Pretendimet e bëra i ka demantuar zyra e Presidencës së Kosovës dhe Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare, të cilët kanë thënë se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në këto të shtëna.

Të shtënat me armë në rajonin e Zubin Potokut i ka raportuar edhe KFOR-i, duke shtuar se “në incident janë përfshirë persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut”.

Vegëza e artikujve të publikuar në mediat në gjuhën serbe:

https://informer.rs/vesti/politika/759176/prvi-snimak-rafalne-paljbe-zubinog-potoka-kurtijevi-specijalci-hteli-uklone-barikadu-zapucali-video

https://www.novosti.rs/vesti/politika/1185850/pogledajte-snimak-borbi-zubinom-potoku-odjekuje-rafalna-paljba-kurtijevi-napali-video

Pjesë nga artikulli i publikuar nga mediat e trajtuara:

Siç mëson “Novosti”, në orën 19:45 ka pasur breshëri zjarri dhe përleshje të armatosura në Zubina Potok. Të shtënat kanë ndodhur kur forcat speciale të Kurtit kanë tentuar të heqin barrikadën në rrugën alternative, ndaj kanë qëlluar në drejtim të serbëve.

Është shfaqur edhe video nga shpërthimi i zjarrit dhe sulmi i forcave speciale shqiptare në Zubin Potok ndaj popullit serb.


Në video-materialin e publikuar nga këto mediume në gjuhën serbe, paraqiten disa pamje të pa qarta. Përveç që dëgjohen disa të shtëna, imazhet në këtë material nuk japin ndonjë informacion konkret i cili mund të krijojë ide për vendin e zhvillimit të ngjarjes.

Ky video-material është shpërndarë fillimisht nga faqja në Telegram “БУНТ” (BUNT), rreth orës 20:46 të ditës së djeshme (25 dhjetor).  

https://t.me/buntcg/20072

Në përshkrimin e këtij postimi thuhet vetëm se video është xhiruar nga një përcjellës i faqes së tyre dhe se lokacioni i videos është rrethina e komunës së Zubin Potokut. Pra nuk jepen detaje tjera dhe nuk aludohet se kush është autoriteti apo pala që ka shtënë me armë apo edhe për arsyen e këtij veprimi.


I njëjti video-material është publikuar pak kohë më pas edhe nga faqja “Zubinpotokinfo” në Instagram (këtu).

Megjithatë, as në këtë faqe, “Zubinpotokinfo”, nuk është bërë ndonjë pretendim rreth ngjarjes. Në përshkrimin e këtij posti të kësaj faqeje thuhet: “Një breshëri armësh dhe të paktën një shpërthim bëri jehonë më shumë se gjysmë ore më parë në zonën më të gjerë të Zubin Potokut. Detajet dhe shkaku nuk dihen ende”.


Përpos që publikuesit autentik të videos nuk japin një përshkrim të ngjarjes, pretendimi i bërë nga mediumet serbe, nuk mbështetet as nga palët zyrtare.

Së pari, vetë institucioni i apostrofuar nga artikujt e këtyre mediave, Policia e Kosovës, e ka mohuar përfshirjen e saj në shkëmbim zjarri siç pretendohet nga mediat në gjuhën serbe.

Referuar pyetjeve të shumta adresuar Policisë së Kosovës se, a është sulmuar Policia në Zubin Potok, apo a ka pas shkëmbim të zjarrit mes Policisë dhe grupeve kriminale?, ju informojmë se; Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”. (shih reagimin këtu)

Pas këtyre raportimeve, pra rreth shkëmbimeve të zjarrit në Zubin Potok, ka reaguar shefi i kabinetit të Presidentes Osmani, Blerim Vela. Përmes një cicërime në rrjetin social “Tëitter”, Vela ka thënë se këto media, të cilat i quan si “puro pro-regjimit të Vuçiqit”, po tentojnë nxitje tensionesh dhe destabilizim të situatës.

Policia e Kosovës nuk është e përfshirë në ndonjë skenë krimi. Strukturat ilegale dhe kriminale serbe po gjuajnë me armë.” (këtu)

Edhe nga misioni i KFOR-it nuk kanë dhënë detaje të ngjarje, ndonëse kanë konfirmuar se ka pasur të shtëna armësh në afërsi të Zubin Potokut.

“Në këtë moment mund të konfirmoj se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tij. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë”. (këtu)

KFOR-i ka shtuar se “në incident janë përfshirë persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut”. (këtu)



Analiza:

Disa media në gjuhën serbe publikuan një video-material, përmbajtja e të cilit pretendohet se paraqet një sulm të Policisë së Kosovës në një pjesë të rajonit të Zubin Potokut. Këto pretendime duket të jenë të pabazuara, pasi që vetë publikuesit e këtyre videove në media sociale si “Telegram” e “Instagram”, nuk bëjnë aludime rreth përmbajtjes së videos, përpos që konfirmojnë se bëhet fjalë për të shtëna.

Për më tepër, pretendimet se të shtënat janë bërë nga Policia e Kosovës, janë demantuar nga zyra e Presidencës së Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Nga kontrolli i fakteve del se, sikurse autenticiteti i videos, ashtu edhe pretendimet e këtyre mediave në gjuhën serbe, janë të pa verifikuara.

Përmbajtja e videos mund të jetë e vërtetë, pasi që faktin se ka pasur të shtëna armësh në rrethinën e Zubin Potokut ku janë përfshirë persona të panjohur të armatosur, e ka konfirmuar edhe një palë zyrtare, siç është KFOR-i. Megjithatë pretendimi se të shtënat janë bërë nga Policia e Kosovës, nuk e ka konfirmuar asnjë palë zyrtare, përpos që e kanë mohuar atë.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info vlerëson se këto pretendime janë “përmbajtje e pa verifikuar” dhe “dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others