[email protected]
Dua Lipa e Novak Gjokoviqi nuk janë përplasur për Skënderbeun
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një videoje është pretenduar për përplasje verbale mes këngëtares shqiptare Dua Lipa dhe tenistit serb Novak Gjokoviq.

Pretendimi është bërë nga llogaria në Instagram, “Flamur Graca Goranci” më 19 prill. Videoja ka marrë mijëra pëlqime e qindra komente.  

Në video kjo llogari ka shkruar se Dua Lipa e ka demantuar Gjokoviqin se Skënderbeu është serb.

Por cila është e vërteta e videos në fjalë? 

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, del se tenisti Gjokoviq ishte përplasur me një tifoz në një nga ndeshjet e tij në turneun e tenisit “Australian Open” në janar.


Vegëza e postimit të llogarisë “Flamur Graca Goranci” në Instagram:

https://archive.is/OBqMs


“Hajde poshtë dhe ma thuaj në fytyrë” është dëgjuar duke bërtitur Gjokoviqi gjatë transmetimit direkt të ndeshjes.  

Aty nuk ka qenë Dua Lipa e as s’ka pasur përplasje verbale mes saj dhe Gjokoviqit.

Madje edhe vetë Gjokoviqi ka pranuar se ka pasur përplasje me një burrë. Pas fitores ndaj Alexei Popyrinit, ai ka treguar se i kishte kërkuar shikuesit të vinte në fushë për të folur atë që po e thotë nga tribuna.

“Njerëzit bënin zhurmë mes shërbimit të parë dhe të dytë gjithë natën. Sigurisht më pengon, por në të njëjtën kohë edhe duhet ta pranosh. Ajo që më nervozon shumë janë problematikët, andaj u përballa me të… E ftova të vijë e të ma thotë në fytyrë çfarëdo që po thoshte ai, sepse po fliste gjëra të mira. Ai më kërkoi falje nga larg. Papritmas nuk pati guxim kur iu desh të përballej me mua”, ka thënë pas ndeshjes Gjokoviqi.  (Deklarata e plotë, shih këtu)


Llogaria “Flamur Graca Goranci” për më shumë iu është përgjigjur komentuesve që kanë dyshuar në përmbajtje, duke insistuar në “përplasjen e Dua Lipës me Gjokoviqin”. (shih këtu)

E njëjta video ishte postuar në fund të janarit edhe në TikTok me llogarinë me të njëjtin emër. Deri tash aty ka marrë më shumë se 300 mijë shikime. (shih këtu)


Analiza:

Llogaria në Instagram “Flamur Graca Goranci” ka publikuar një video në të cilën ka pretenduar se ka pasur përplasje mes këngëtares shqiptare Dua Lipa dhe tenistit serb Novak Gjokoviq gjatë një ndeshjeje në “Australian Open”.

Në realitet, Gjokoviqi është përplasur me një burrë dhe këtë e ka konfirmuar vetë tenisti.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others