[email protected]
A po prishen raportet Kosovë-ShBA?
shape
shape
shape

Krisja e raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka qenë në fokus të diskutimit publik që nga krizat e para në veri të Kosovës pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mori pushtetin në vitin 2021.

Prej vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targa në vitin 2022, pastaj mbështetja e kryetarëve në veri të Kosovës të cilët u zgjodhën pa pjesëmarrjen e serbëve lokalë e deri të vendimi i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e pagesave me dinar, ShBA ia pati tërhequr vërejtjen qeverisë për moskoordinim me ta dhe partnerët tjerë.

Megjithatë, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka këmbëngulur se raportet me ShBA nuk janë dëmtuar. Por, ambasadori i ShBA në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përmendur disa herë gjatë vitit 2023 se raportet mes këtyre vendeve në fakt janë prekur.

Së fundmi, më 3 shkurt të këtij viti, ambasadori Jeffrey Hovenier, lëshoi paralajmërimet e para për kërcitje të mundshme të raporteve nëse qeveria e Kosovës nuk tërhiqej nga vendimi për dinarin.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar nga veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe pakicat tjera në Kosovë. Këto veprime po i shtojnë tensionet ndëretnike pa nevojë dhe si pasojë kufizojnë mundësitë që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, pati thënë ambasadori Hovenier më 3 shkurt të këtij viti, duke iu referuar rregullores së BQK-së që ndalonte përdorimin e valutave të huaja në Kosovë dhe që e përligjte vetëm euron si valutë për transaksione.

Ky reagim i ShBA-së erdhi pak ditë pasi shtetet e Quint-it (ShBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) lëshuan një deklaratë publike, përmes së cilës kërkonin pezullimin e vendimit të BQK-së për dinarin.

“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me kryeministrin të premten, Quint-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”, thuhej në këtë deklaratë të publikuar më 28 janar, 2024.

Megjithatë, Qeveria është deklaruar nga fillimi se vendimi është marrë nga një institucion i pavarur, duke iu referuar Bankës Qendrore të Kosovës, dhe se qeveria nuk ka ndikim ndaj institucionit themelor bankar në Kosovë.

“Vendimet BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë”, pati thënë Kurti më 31 janar.

Për këtë çështje, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thirri një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku shtetet veç e veç e komentuan rregulloren e BQK-së.

As aty, ShBA-ja nuk e përkrahu Kosovën, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të rregullores së BQK-së.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, pati thënë Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield më 8 shkurt në KS të OKB-së.

Në të njëjtën linjë ishte edhe zëvendësshefja në detyrë e misionit amerikan në OSBE në Këshillin e Përhershëm në Vjenë, Tracy Newell. Vendimin e Kosovës për dinarin e quajti “vendim të njëanshëm”, ndërsa bëri thirrje që vendi “të shtyjë menjëherë zbatimin e këtij vendimi dhe palët e përfshira të kërkojnë zgjidhje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Përkundër kërkesave të vazhdueshme nga ShBA-ja, por edhe nga partnerët tjerë ndërkombëtarë të Kosovës, vendimi i BQK-së mbeti në fuqi dhe kryeministri Albin Kurti tha në ndërkohë se ai vendim nuk mund të zhbëhet.

“Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”, tha Kurti.

“S’na trajtoni si partner, s’ju trajtojmë si partner”

Në KS të OKB-së, kryeministri Albin Kurti premtoi se do të ndërmarrë një fushatë informimi për popullatën serbe në Kosovë në lidhje me heqjen e dinarit nga përdorimi. Ashtu edhe ndodhi, dhe në këtë fushatë u përfshi edhe BQK-ja, duke hapur fillimisht një linjë telefonike pa pagesë për komunitetin serb në Kosovë.

Megjithatë, “shuplaka” më e madhe ndaj qeverisë erdhi nga numri dy i diplomacisë amerikane.

James O’Brien, Ndihmës-Sekretar i Shtetit amerikan, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” më 13 shkurt, ishte i prerë.

Ai tha se ka biseduar edhe para, por edhe pas vendimit për dinarin me kryeministrin Albin Kurti, dhe tha se “ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit”.

“Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere. Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien në këtë intervistë.

Kjo deklaratë u komentua gjerë në opinionin publik, duke e konsideruar si një kërcitje të hapur në raportet Kosovë-ShBA. Megjithatë, qeveria nuk mendoi kështu.

Kryeministri Kurti, një ditë pas deklaratës së O’Brien, tha se “marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë duke u rrezikuar”.

I pyetur me këmbëngulësi nga gazetarët për deklaratën e O’Brien, dhe nëse raporti i Kosovës me ShBA-në po rrezikohet, Kurti e përsëriti disa herë: “Nuk po rrezikohet, nuk po rrezikohet”.

Por, një ditë pas deklarimit të Kurtit se “nuk po rrezikohen” marrëdhëniet me ShBA, ambasadori Hovenier thirri një konferencë të jashtëzakonshme për media më 15 shkurt.

Ai tha se “mospajtimet rreth dinarit kanë prekur cilësinë e partneritetit Kosovë-ShBA”.

Ambasadori Hovenier vuri theksin në kritikat që i bëri qeverisë së Kosovës zyrtari i lartë amerikan, ndërsa hodhi poshtë deklarimet e kryeministrit Kurti se ndalimi i dinarit nuk ka ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Duhet të jem i qartë se thjesht nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është kështu. Siç deklaroi Ndihmës-Sekretari O’Brien, kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë mes dy qeverive tona. Çdo sugjerim për të kundërtën pasqyron një keqkuptim themelor ose një keqinterpretim të rëndësisë që ne i kushtojmë zgjidhjes së kësaj çështjeje në një mënyrë që i përgjigjet shqetësimeve tona, dhe më e rëndësishmja, e bërë në një mënyrë që siguron mbështetje të vazhdueshme për njerëzit e cenueshëm nga komunitetet pakicë të Kosovës”, ka thënë Hovenier.

Mirëpo, më 16 shkurt, Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, i erdhi një letër urimi për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nga homologu i saj amerikan, Joe Biden.

Në letër thuhet se dy vendet “ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm” ndërsa i kërkohet vendit që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.

“Krahas kombeve në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes” procesit të Dialogut, ka thënë letra mes tjerash, të cilën e ka publikuar Presidenca e Kosovës.

Opozita: Raportet me ShBA, në nivelin më të ulët historik

Kreu i partisë kryesore opozitare, PDK-së, Memli Krasniqi, duke komentuar konferencën e Hovenierit, tha se një situatë e tillë nuk është vetëm e dhimbshme, por edhe alarmante, pasi, sipas tij, kryeministri Kurti dhe qeveria e tij me gabimet e tyre po e sjellin punën që të dëmtohen raportet ShBA-Kosovë.

“Albin Kurti nuk e ka legjitimitetin me i shkatërrua aleancat e Kosovës. Kurti ka fituar zgjedhjet për t’i realizuar premtimet që u ka dhënë njerëzve”, tha Krasniqi.

Më 15 shkurt, në Tiranë qëndroi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se “vite më parë, një vizitë e tillë nuk do të ishte e mundur pa kapërcim në Prishtinë. Kosova, si destinacion ishte e natyrshme”.

“Sot, në të njëjtën orë e në të njëjtën ditë në Kosovën e zymtë prej populizmit, ShBA-ja na flet për raportet më të ulëta historike. Për lëkundje partneriteti e krizë komunikimi”, tha ai përmes një postimi në Facebook.

Ramush Haradinaj, kreu i AAK-së, në një intervistë të dhënë për RTK-në ka thënë në mënyrë simbolike se Kosovë është një anije që Kurti dëshiron ta përplasë pas presionit amerikan me rastin e ndalimit të dinarit.

“Kosova është një Titanik, një anije e madhe, por që kryeministri Kurti me vetëdije po dëshiron ta përplasë me një shkëmb të madh, pra me Amerikën. Do të ishte tragjike për ne, sjellja e veprimet e tij janë gabim, do të varet nga ne të tjerët se a do ta lejojmë”, ka thënë Haradinaj.

Si e shohin analistët e opinionistët vendorë e të huaj këtë situatë?

“E rëndë”, “shumë e rëndë”, “e ashpër”, “më e rrepta ndonjëherë”. Këto janë disa prej cilësimeve që analistë e opinionistë në vend ia dhanë deklaratës së James O’Brien për qeverinë e Kosovës.

Ish-deputeti i Kuvendit, Ilir Deda, tha se në diplomaci, kur dalin mesazhe të tilla, të cilat ai i quajti të rënda, kjo është faza finale e përplasjes mes dy vendeve.

Për analistin Vehbi Kajtazi, Kosova asnjëherë s’ka pasur mesazhe më të rrepta nga ndonjë administratë amerikane sesa ato të Ndihmës-Sekretarit O’Brien.

Opinionisti Rrahman Paçarizi, duke iu referuar mesazhit të Ndihmës-Sekretarit të Shtetit, James O’Brien, tha se “kjo është gjëja më e rëndë e cila ka mundur të na ndodhë”.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se mesazhet e amerikanëve në drejtim të Qeverisë duhet të jenë alarm për shoqërinë.

“Hovenier sot doli në konferencë dhe gati sa nuk tha se qeveria po gënjen për raportet me ShBA-në. Marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në janë duke marrë një dimension të rrezikshëm. Një qeveri që e konsideron veten serioze sot po mundohet të fshehë një të vërtetë që është e dukshme. Kritikat e ShBA-së, jo që po e shqetësojnë qeverinë, por me disa fraza bajate ata po thonë se ne jemi duke u koordinuar me ShBA-në. Këta mendojnë se popullit ia hedhin me aq lehtësi”, u shpreh ai.

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në ShBA, duke folur për deklaratën e O’Brien se qeveria e Kosovës po rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara me vendimin e saj për të mos lejuar përdorimin e dinarit serb, tha se kjo “do të thoshte shumë, pasi ShBA-ja është mbrojtëse e Kosovës”.

Se ka krisje në raportet aktuale mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të ShBA-së, është evidente.

Mes deklarimeve të Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, mohimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, deklarimit të ambasadorit Hovenier që forcon mesazhin e O’Brienit, dhe letrës së Bidenit drejtuar Osmanit, shkalla e acarimit të raporteve mbetet të përcaktohet.

Artikull analitik nga Agon Osmani

Share With Others