info@hibrid.info
Fotografia dhe titulli lënë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në Kosovë
shape
shape
shape

Portali “kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “I premtuan se do t’ia siguronin vaksinën kundër Covid-19, dy persona e përdh*unojnë një vajzë”.

Ky artikull i publikuar nga “kosova-sot.info” në titull nuk tregon se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Por, një gjë e tillë bëhet e ditur vetëm në përmbajtje të artikullit, ku përshkruhet se ngjarja ka të bëjë me qytetin Patna në Indi.

Gjithashtu, fotografia e këtij artikulli nuk korrespondon me ngjarjen, pasi në të shihet shiriti i policisë i shkruar në gjuhën shqipe “SHIRITI I POLICISË MOS KALONI”.

Kjo mund të dezinformojë lexuesit, duke aluduar se ngjarja ka ndodhur në Kosovë, pasi ky portal është kosovar dhe pjesën dërmuese të lexuesve i ka shqipfolës.

Pjesë nga teksti i artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”:

Bota vijon të vuajë nga pandemia, por aktualisht situata më e rëndë është në Indi, aty ku me mijëra persona ndërrojnë jetë çdo ditë të prekur me koronavirus. Në këtë situatë, kërkesa për vaksina është tejet e lartë dhe ka bërë që shumë persona ta shfrytëzojnë. Një rast i rëndë është raportuar së fundmi nga mediat. Një vajzë është përdhunuar në grup nga disa persona, pasi e kishin joshur atë se do t’i siguronin një vaksinë ndaj koronavirusit. Dy persona të identifikuar si Rocky dhe Montu u takuan me vajzën në një qendër shëndetësore në qytetin Patna në Indi, i cili është më i godituri nga koronavirusi.

Vegëza e artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”:

https://www.kosova-sot.info/lajme/541334/i-premtuan-se-do-tia-siguronin-vaksinen-kunder-covid-19-dy-persona-e-perdh-unojne-nje-vajze/


Analiza:

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që ka të bëjë me shtetin e Indisë, ndërsa në titull nuk sqaron se për cilin vend bëhet fjalë. Po ashtu këtij artikull i ka vënë fotografi ku shihet shiriti që vendoset nga policia, i cili është në gjuhën shqipe.

Kjo lë të kuptohet se lajmi ka të bëjë me Kosovën apo ndonjë vend shqipfolës, duke e ditur se shumica e lexuesve të këtij portali janë kosovarë dhe shqiptarë.

Pas kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.


Vlerësimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »