Një operacion për shpërndarje të dezinformtave hyri në sistemet e menaxhimit të përmbajtjes së mediave të Evropës Lindore në një fushatë për të përhapur dezinformata rreth NATO-s.
Vitet e fundit, dezinformimi në internet ka parë avancim evolutiv, përmes thyerjes së faqeve zyrtare dhe mediave të vërteta nga hakerët dhe shfrytëzimit të tyre për të shpërndarë lajme të rreme dhe histori të sajuara.
Propaganduesit kanë krijuar dhe shpërndarë dezinformata që prej të paktën Marsit 2017, me një fokus – minimin e NATO-s dhe trupave të SH.B.A.-së në Poloni dhe shtetet Baltike; ata kanë postuar përmbajtje të rreme në gjithçka, nga media sociale në faqet e internetit të lajmeve pro-ruse. Sipas një raporti të FireEye, thuhet se propaganduesit kishin qenë pjesëtarë të grupit propagandues të quajtur Ghostwriter. Ky grup kishte vendosur një taktikë më të guximshme: hakimin e sistemeve të menaxhimit të përmbajtjes në faqet e internetit të lajmeve për të postuar historitë e tyre. Ata më pas shpërndanin lajmet e tyre të rremë me email të falsifikuar, media sociale.
Sipas këtij hulumtimi, të transmetuar nga wired.com, ajo fushatë piraterie, që synon faqet e mediave nga Polonia në Lituani, ka përhapur histori të rreme rreth agresionit ushtarak amerikan, përhapjen e virusit Korona nga ushtarët e NATO-s, planifikimi i pushtimit të Bjellorusisë nga NATO etj. “Ata po i përhapin këto histori se NATO është një rrezik, se ata janë zemëruar me vendasit, që janë infektuar, që janë hajdutë makinash”, thotë John Hultquist, drejtori i inteligjencës në FireEye. “Dhe ata po i shtyjnë këto histori me një larmi mjetesh, më interesantja prej të cilave është hakimi i faqeve të mediave lokale dhe mbjellja e tyre. Këto histori imagjinare papritmas lexuesi i sheh në media që janë të besueshme, pasi ato janë futur aty përmes hakimit.
Vetë FireEye nuk bërë analiza që shpjegojnë këto incidente dhe pranon se nuk e di saktësisht se si hakerët po vjedhin kredencialet që u japin atyre qasje në sistemet e menaxhimit të përmbajtjes që lejojnë postimin dhe ndryshimin e lajmeve.
Por analistët e kompanisë kanë zbuluar se kompromiset në faqet e lajmeve dhe llogaritë online të përdorura për përhapjen e lidhjeve me ato histori të trilluara, si dhe krijimin lajmeve të rreme në mediat sociale, blogje dhe faqe të internetit me një qasje anti-SH.B.A. dhe anti- NATO, ndërlidhen me një grup të veçantë personash, duke treguar një përpjekje të unifikuar dezinformimi. FireEye’s Hultquist tregon se fushata nuk duket e motivuar financiarisht, por shihet se ka një mbështetës politik ose shtetëror pasi që shihet pretendimi për të futur përqarje midis NATO-s dhe qytetarëve të Evropës Lindore, gjë e cila lë të kuptohet se ka përfshirje të Rusisë.
Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që hakerët rusë “mbjellin” tregime të rreme; në vitin 2017, agjencitë e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin se hakerët rusë hakuan agjencinë shtetërore të lajmeve të Katarit dhe publikuan një histori të lajmeve të rreme të dizajnuara për të turpëruar udhëheqësin e vendit dhe për të shkaktuar një përçarje me SHBA-të, megjithëse inteligjenca amerikane nuk arriti asnjëherë të konfirmoj përfshirjen e Kremlinit.
Siç raportoi DefenceOne në fund të vitit të kaluar, pjesa më e madhe e dezinformimit është përqendruar në Lituani. Në qershor të vitit 2018, për shembull, faqja baltike e lajmeve në gjuhën angleze, Kursi Baltik, botoi një histori që pretendonte se një automjet i blinduar amerikan “Stryker” ishte përplasur me një fëmijë lituanez i cili po ngiste një biçikletë, duke e vrarë atë “në vend”. Në të njëjtën ditë, Kursi Baltik postoi një njoftim në faqen e tyre duke thënë se “hakerët postuan këtë lajm në lidhje me fëmijën e ndjerë, i cili është FAKE! Ne falënderojmë lexuesit tanë vigjilentë lituan të cilët raportuan në faqen tonë të Facebook “.
Disa muaj më vonë, faqja e lajmeve lituane “Kas Vyksta Kaune” publikoi një artikull ku thuhej se “NATO ka në plan të pushtojë Bjellorusinë”, duke treguar një hartë se si forcat e NATO-s të stacionuara në Poloni e vendet dhe Baltike, do të hynin në vendin fqinj (Bjellorusinë). Kas Vyksta Kaune më vonë pranoi se historia ishte e rreme, dhe e mbjellë nga hakerët. Dikush kishte përdorur kredencialet e një ish-punonjësi për të fituar qasje në CMS. Pastaj në shtator të vitit të kaluar, një histori tjetër e rreme u postua në këtë faqe në lidhje me ushtarët gjermanë të NATO-s që përdhosnin një varrezë hebreje.
Kohët e fundit, historitë e rreme janë përpjekur të shfrytëzojnë frikën nga Covid-19. Një histori e postuar në “Kas Vyksta Kaune” ashtu edhe në edicionin anglisht të “Baltic Times” në janar, pretendonte se çështja e parë Covid-19 në Lituani ishte një ushtar amerikan i cili u shtrua në spital në gjendje kritike, por vetëm pasi ai “vizitoi vendet publike dhe mori pjesë në një ngjarje në qytet, ku kishte pjesëmarrje të fëmijëve dhe të rinjve “.
Në prill dhe maj të këtij viti, fokusi u kthye drejt Polonisë: Një histori e rreme u postua nëpër disa faqe polake të lajmeve, përmes së cilës pretendohej se një zyrtar amerikan, kinse kishte përçmuar forcat lokale polake si të paorganizuara dhe të paafta. Këtë herë fushata shkoi edhe përtej faqeve të lajmeve. Një letër e rreme nga një zyrtar ushtarak polak u postua në faqen e internetit të Akademisë Ushtarake Polake, duke e thirrur ushtrinë polake të ndërpresë stërvitjet ushtarake me SHBA-të, duke deklaruar “okupimin” amerikan të Polonisë dhe duke i quajtur stërvitjet një “provokim të qartë” për Rusinë. Qeveria polake shpejt e quajti letrën si të rreme.
Zbulimi i FireEye vë në pah se të gjitha ato operacione për të mbjellë lajme të rreme ishin kryer nga një grup i vetëm që përmendet edhe nga një raport “The New York Times”, ku thuhet se agjencia e inteligjencës ushtarake ruse, GRU, ka qenë duke koordinuar botimin e dezinformimit në faqet si InfoRos, OneWorld.press dhe GlobalResearch.ca. Zyrtarët e inteligjencës amerikane duke folur për Times thanë se fushata dezinformuese, e cila përfshinte raporte të rreme se Covid-19 e kishte origjinën në SHBA dhe ishte posaçërisht punë e “njësisë së luftës psikologjike” të GRU, e njohur si Njësia 54777.