[email protected]
Hibrid.info target i fushatës dezinformuese pro-ruse “Matryoshka”
shape
shape
shape

Hibrid.info është një nga tri platformat për kontroll të fakteve në Ballkan, të cilat janë identifikuar në mesin e objektivave të një fushate dezinformuese pro-ruse, e njohur me emrin operacioni “Matryoshka”.

Muajve të fundit, hibrid.info ka pranuar disa email-e që kërkojnë verifikimin e përmbajtjeve të ndryshme, kryesisht atyre që lidhen me luftën në Ukrainë.

Të gjitha email-et janë nga shërbimi i email-eve të Google, i quajtur “Gmail”, ndërsa referimet janë në gjuhë angleze. Edhe emrat e përdorur si dërgues ngjasojnë në anglisht.

Përmbajtjet e dërguara kanë qenë imazhe me grafite të ndryshme kryesisht lidhur me Ukrainën dhe autorët e këtyre email-eve kërkojnë të verifikohen këto përmbajtje të dërguara që supozojnë se i kanë gjetur në internet.

Hibrid.info, nga të gjitha email-et e pranuar, ka verifikuar 8 prej tyre përmes platformës për verifikim të email-eve, “cleantalk.org”, e që dy prej tyre kanë rezultuar të jenë të rreme. (këtu, këtu)

Matryoshka, e zbuluar në janar të vitit 2024, përdor me zgjuarsi llogaritë e komprometuara në X (dikur Twitter) për të propaganduar narrativa mashtruese, duke angazhuar gazetarët në X me perspektiva pro-ruse dhe duke minuar Ukrainën, në këtë mënyrë për të ngatërruar diskursin publik dhe për të përhapur dezinformata.

Përfshirjen e hibrid.info në mesin e caqeve të kësaj kampanje propaganduese ruse e konfirmon edhe raporti “Matryoshka: një fushatë pro-ruse që synon median dhe komunitetin e kontrollit të fakteve”, i shërbimit qeveritar francez Viginum (qershor 2024). Ky raport ka identifikuar më shumë se 500 objektiva në të gjithë botën, duke përfshirë media, personalitete, institucione dhe platforma për kontroll të fakteve, të cilat kanë qenë cak i kësaj fushate.

Përveç hibrid.info, në këtë raport janë përmendur edhe Istinomjer (Bosnje e Hercegovinë) dhe Vistinomer (Maqedoni e Veriut), dy platforma tjera për kontroll të fakteve nga Ballkani, të cilat janë identifikuar si target i kampanjës dezinformuese, Matryoshka. (këtu)

Screenshot nga raporti i Viginum

Share With Others

Translate »
1406