[email protected]
Muaji shtator: Sulmi në Banjskë ishte tema mbi të cilën u keqinformua më së shumti, Policia e Kosovës institucioni, Albin Kurti figura më e përfolurë
shape
shape
shape

Sulmi terrorist në Banjskë, që ndërlidhet me zhvillimet në veri, ka qenë tema kryesore mbi të cilën u keqinformua gjatë muajit shtator 2023.

Informacionet dhe pamjet e pa verifikuara lidhur me këtë ngjarje të publikuara kryesisht në media sociale, kanë bërë që kjo temë të përdoret më së shumti për keqinformim. Kjo dëshmon edhe njëherë që temat më aktuale, vazhdojnë të përdorën edhe për prodhim e shpërndarje të keqinformimit.

Fusha në të cilën më së shumti është keqinformuar është siguria, duke u ndërlidh me sulmin në Banjskë, pasuar nga kronika e zezë dhe sporti.

Clickbait, si formë e keqinformimit, kryeson listën gjatë këtij muaji në kategoritë vlerësuese të keqinformimit, pasuar nga përmbajtje e pa verifikuar, që pas një kohe renditet si e dyta duke lanë pas dezinformatën.

Gjatë muajit shtator Policia e Kosovës është institucioni më i përfolur duke u ndërlidh me sulmin terrorist në Banjskë, ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq dhe kryeministri Albin Kurti, kanë qenë figurat më të përfolura.

Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin shtator të vitit 2023 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.

Gjatë muajit shtator 2023, mediat dhe publikuesit e ndryshëm kanë krijuar dhe shpërndarë më së shumti artikuj “clickbait” me 31%, pasuar nga përmbajtjet e pa verifikuara me 25% dhe dezinformatat me 18%. Pjesa dërrmuese e artikujve “clickbait” janë publikuar nga mediat në gjuhën shqipe, kryesisht nga fusha e kronikës së zezë (19%). Përmbajtjet e pa verifikuara janë publikuar nga faqe në mediat sociale (16%) dhe media reale (9%) nga fusha e sigurisë, sportit, kronikës së zezë dhe politikës. Pothuajse të gjitha dezinformatat janë publikuar në fushën e sigurisë nga faqe në mediat sociale (9%) në gjuhën shqipe dhe media reale në gjuhën serbe (8%).

Sa i përket temave, sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë e ka kthyer veriun e Kosovës si temën kryesore të keqinformimit gjatë muajit shtator 2023 prej 25%. Pothuajse të gjitha publikimet keqinformuese lidhur me sulmin terrorist në Banjskë ishin nga fusha e sigurisë, kryesisht të publikuara nga faqe në mediat sociale (Facebook) në gjuhën shqipe të vlerësuara si përmbajtje e pa verifikuar dhe dezinformatë. Kurse, përmbajtjet keqinformuese në gjuhën serbe lidhur me këtë temë, u publikuan në media reale dhe u vlerësuan si dezinformatë. Artikujt keqinformues për temën e vdekjeve dhe vrasje të koduara si “raste tragjike” janë radhitur si tema e dytë më e trajtuar me 16% për të cilat nuk bëhet e ditur në titujt e artikujve vendndodhja e ngjarjeve. Këta artikuj keqinformues janë publikuar nga media në gjuhën shqipe.

Siguria dhe kronika e zezë janë dy fushat që nuk ndërlidhen njëra me tjetrën, por që të dyja përbëjnë më shumë se gjysmën e përmbajtjeve keqinformuese (rreth 60%) për muajin shtator 2023. Shumica e përmbajtjeve nga fusha e sigurisë u vlerësuan si dezinformatë dhe përmbajtje e pa verifikuar të cilat u publikuan nga faqe në gjuhën shqipe në mediat sociale (Facebook), si dhe mediat reale në gjuhën serbe. Ndërsa, përmbajtjet keqinformuese nga kronika e zezë në vendin e dytë me 27% u publikuan kryesisht nga mediat në gjuhën shqipe dhe shumica prej tyre u vlerësuan “clickbait”. Fushat tjera të keqinformimit përfshijnë sportin (16%) dhe politikën (12%).

Edhe në këtë muaj (shtator 2023), publikimet keqinformuese në mediat reale prijnë me 59%, duke u pasuar nga mediat sociale (Facebook) me 39% dhe portalet e dyshimta me 2%. Në bazë të monitorimit për muajin shtator, 89% e përmbajtjeve keqinformuese janë publikuar nga media dhe faqe në mediat sociale (Facebook) në gjuhën shqipe, ndërsa 11% në mediat në gjuhën serbe. Derisa gjysma e përmbajtjeve keqinformuese të publikuara në gjuhën shqipe janë nga fusha e sigurisë dhe kronikës së zezë, të gjitha përmbajtjet në gjuhën serbe janë nga fusha e sigurisë dhe politikës. Mediat dhe publikuesit në gjuhën shqipe, gjatë këtij muaji, kanë publikuar më së shumti artikuj “clickbait” me 31% për raste tragjike, ndërsa përmbajtjet e pa verifikuara zënë vendin e dytë me 23%, pasuar nga dezinformata në vendin e tretë me 11%. Ndërsa përmbajtjet keqinformeuse në gjuhën serbe janë vlerësuar si dezinformatë (8%), pasuar nga përmbajtje e pa verifikuar (2%) dhe teori konspirative (2%) lidhur me sulmin terrorist në Banjskë në shtator 2023.

Institucioni më i përfolur është Policia e Kosovës (PK) nga media dhe publikues në gjuhën shqipe dhe serbe lidhur me sulmin terrorist në Banjskë,. Ndërkaq, sa i përket personaliteteve, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, është më i përfoluri në kontekst me personalitet tjera dhe ndërlidhur me sulmin terrorist në Banjskë. Në krahasim me muajt paraprakë monitorues, gjatë muajit shtator 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, radhitet i dyti në raportimet keqinformuese të mediave dhe publikuesve të ndryshëm që janë monitoruar nga platforma hibrid.info.

Share With Others

Translate »