[email protected]
Narrativa e pabazë, pasi Kosova u afrua me NATO-n: Do të përkeqësohen kushtet e jetesës për serbët
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Mëngjesin e së hënës (27 maj), Kosova mori votat e shumicës dërrmuese të 274 delegatëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, duke iu avancuar statusi nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar.

Ky votim erdhi edhe përkundër fushatës së Serbisë për ta penguar avancimin e vendit tonë duke siguruar shumicën e votave pro, 1 kundër dhe 14 abstenime.

Vetëm një ditë para votimit, Parlamenti i Serbisë u kishte dërguar një letër shteteve anëtare të NATO-s përmes së cilës kërkonte që të refuzohet kërkesa e Kosovës për avancim të statusit, me pretendimin se Prishtina zyrtare është ajo që po e pengon dialogun për normalizim të marrëdhënieve që po zhvillohet në Bruksel dhe po i shmang obligimet e dala nga marrëveshjet e Brukselit.

Narrativi i tillë lidh pa bazë zhvillimet rreth Kosovës me përkeqësim të situatës për serbët

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s ka lëshuar një deklaratë lidhur me vendimin menjëherë pas votimit për Kosovën.

Në këtë deklaratë tentohet të shtyhet përpara narrativi se me këtë vendim do të përkeqësohen kushtet e jetesës për serbët në Kosovë.

Aty u tha se “…me vendimin e sotëm për t’i dhënë të ashtuquajturit ‘Kuvendi i Kosovës’ statusin e anëtarit të asociuar, kushtet e jetesës për çdo serb në Kosovë janë përkeqësuar edhe më shumë. Ata tashmë jetojnë në kushte krejtësisht të papranueshme në Evropën e sotme – ata jetojnë si një geto”.

“U shpërblyen sulmet e planifikuara mirë, të vazhdueshme, sistematike dhe të përhapura me motive etnike kundër popullatës civile serbe, të cilat shkaktuan largimin e 15 për qind të popullatës serbe nga territori i Kosovës gjatë vitit të fundit dhe që shkaktuan 212,000 serbë dhe të tjerë joshqiptarë të zhvendosen brenda vendit për të mos u kthyer më kurrë”, u tha ndër të tjera në letrën e delegacionit serb në AP të NATO-s pas votimit për avancim të statusit të Kosovës. (këtu)

Këtë narrativ po e ndjek edhe një filozof politik në Beograd. Dragolub Kojçiq tha se avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s “paraqet një sinjal të fuqishëm kërcënimi në rajon, pas të cilit qëndron Perëndimi politik dhe NATO”.

Sipas fjalëve të tij, ky vendim “ka inkurajuar regjimin e institucioneve të përkohshme të kryeministrit të Prishtinës, Albin Kurti, dhe ka mundësi që ai tash të fillojë me radikalizimin dhe shtrëngimin”. (këtu)

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq e vazhdoi narrativin e ngjashëm, duke thënë se me dhënien e statusit të anëtarit të asociuar Kosovës në AP-në e NATO-s, “është dërguar një sinjal i keq se regjimi i Kurtit u shpërblye për shkeljen imorale të të gjitha të drejtave të serbëve në Kosovë”. (këtu)

Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, tha se pranimi i Kosovës si anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s “ekspozoi të gjithë politikën e standardeve të dyfishta të Perëndimit”.

Ai akuzoi Perëndimin se “e shpërbleu edhe një herë fëmijën e vet”. (këtu)

Ministri pa portofol i Serbisë, Gjorgje Miliçeviq, tha për Tanjug: “Për çfarë janë shpërblyer, për terrorin që bëjnë në Kosovë e Metohi ndaj serbëve, për tentativën për të vrarë fëmijët tanë në prag të Krishtlindjeve, për heqjen e dinarit, për vendosjen e kushteve të padurueshme të jetesës për të përfunduar procesin e spastrimit etnik të serbëve nga Kosova e Metohija, për faktin se për 12 muaj nuk ka qarkullim mallrash nga Serbia qendrore, për faktin se AKS nuk është formuar për më shumë se 11 vjet. Për këto ata shpërblehen në organizata ndërkombëtare”, tha ministri serb. (këtu)


Narrativi tendencioz ndaj zhvillimeve rreth Kosovës, edhe në mediat e afërta me pushtetin në Serbi

Gazeta serbe “Informer”, në ballinën e saj të datës 28 maj, doli me titullin kryesor: “Vendim skandaloz i fuqive perëndimore: Shtetin e rremë e pranuan në NATO. E shpërblyen Kurtin për persekutimin e serbëve”.


Tjetra gazetë, po ashtu e afërt me pushtetin në Serbi, “Novosti”, doli me kryetitullin në ballinë: “E ashtuquajtura Kosovë, anëtare e asociuar e Parlamentit të Aleancës. Të shtënat ndaj serbëve si rekomandim për NATO-n”.


Edhe “Kurir”, gazeta tjetër që ndjek kursin e Qeverisë së Serbisë, doli me kryetitull në ballinë: “Precedent i rrezikshëm. Shpërblim për terror. Shteti i rremë i Kosovës u bë anëtar i asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s”. 


Anëtarët e asociuar në AP të NATO-s mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, anëtarët e asociuar nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Si u komentua në vend dhe jashtë avancimi i statusit të Kosovës në AP të NATO-s?

Avancimin e statusit të Kosovës në AP të NATO-s e ka përshëndetur kryeministri Albin Kurti, i cili tha se kjo u bë e mundur edhe përkundër fushatës së Serbisë që ky zhvillim të mos ndodhte.

“Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë”, tha Kurti në Facebook (këtu).

Këtij zhvillimi iu gëzua edhe presidentja Vjosa Osmani, teksa tha se Kosova do të vazhdojë përpjekjet me aleatët për ta avancuar rrugën përpara drejt anëtarësimit në NATO.

“NATO është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në Tokë të dëgjohet. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, shkroi presidentja Osmani në X. (këtu)

Edhe kongresisti amerikan, Ritchie Torres ka përgëzuar Kosovën për avancimin e statusit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai tha se do të punojë që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. (këtu)

Pse një narrativ i këtillë nuk qëndron?

Pretendimet e këtilla të bëra nga politikbërës në Beograd dhe nga mediat e afërta me pushtetin se me ngritjen e nivelit të bashkëpunimit mes Kuvendit të Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të përkeqësohen kushtet për jetesë të serbëve në Kosovë, janë interpretime që nuk bazohen në asnjë të dhënë faktike.

Narrativa të tilla janë përdorur edhe në të kaluarën, sa herë që kanë ndodhur zhvillime në Kosovë apo rreth Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke pretenduar se këto zhvillime do të nxisin kryesisht tensione ndëretnike, të cilat më pas do të çojnë në dëbimin, largimin apo pogromin e serbëve nga Kosova.

Narrativat e paqëndrueshme të demaskuara nga Hibrid.info

Platforma për verifikim të fakteve, Hibrid.info vazhdimisht ka demaskuar këtë narrativ në raport me zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën. (shih një sërë artikujsh të tillë këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)

Share With Others

Translate »