[email protected]
Nëntë këshilla për të hequr qafe dezinformatat politike të shpërndara nga të afërmit tuaj
shape
shape
shape

Sipas hulumtimit, edhe nëse dihet se një burim informacioni nuk është i besueshëm, shumë njerëz mund të fillojnë të besojnë informacione mashtruese nëse ato përsëriten mjaft shpesh .

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të përgënjeshtrojmë dezinformatat që hasim sa më mirë që mundemi dhe kjo punë për fat të keq fillon nga shtëpia.

Korrigjimi i informacionit që miqtë dhe anëtarët e familjes tuaj ndajnë në internet mund të jetë stresues, por shumë i rëndësishëm. Sipas ekspertëve, kur dikush që na intereson na kontakton, ne kemi më shumë gjasa të ndryshojmë këndvështrimin tonë; veçanërisht nëse ai person është dikush me të cilin zakonisht pajtohemi. Korrigjimet nga një anëtar i familjes ose një mik i ngushtë ndahen më shpesh sesa ato nga ndonjë i njohur, sipas gjetjeve të studiuesve që studiojnë përhapjen e dezinformatave në WhatsApp dhe platforma të tjera të mesazheve.

Zgjidhja është ndjeshmëria, sipas ekspertëve që kanë studiuar dezinformatat politike në internet, si përhapen dhe si njerëzit e dallojnë faktin nga trillimi. Ne duhet të dëgjojmë dhe të përpiqemi të kuptojmë shqetësimet e tjetrit dhe të ndajmë burimet që përdorim për të mbledhur lajme dhe informacione të besueshme. Nëse vërtet duam të ndryshojmë këndvështrimin e tjetrit, duhet të jemi gati për më shumë se një bisedë, duke pasur parasysh se kjo nuk mund të zgjidhet me një bisedë të shkurtër.

Këtu janë rekomandimet e ekspertëve.

Filloni me miqësinë, jo me të vërtetën

Profesori i Universitetit të Wisconsin dhe shkencëtari politik Mike Wagner thotë se është e rëndësishme të mbani mend se “e vërteta nuk ka rëndësi” për shumë njerëz që ndajnë informacione të gabuara. Këta njerëz shpesh nuk u besojnë burimeve kryesore të lajmeve apo institucioneve politike. Gjeni përvoja të përbashkëta që ju bashkojnë dhe tregojini se nuk i sulmoni apo i quani të marr.

“Përpiquni të fitoni zemrat e tyre, jo mendjet e tyre”, thotë Wagner. “Nëse e vërteta do të funksiononte, nuk do të kishit nevojë ta bëni këtë bisedë gjithsesi”.

Mos veproni sipas emocioneve tuaja

Leticia Bode, profesoreshë e intervenimeve kundër dezinformatave në Universitetin Georgetown, rekomandon të jemi gjithmonë të sjellshëm dhe empatik. Bode: “Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj dezinformatave në një moment të jetës sonë. Është më mirë t’i qaseni bisedës me qëllime të mira. Merrni frymë thellë dhe përpiquni të lini mënjanë emocionet e forta që ju ngjall keqinformimi. Shumë keqinformime, veçanërisht dezinformata, prodhohen në një mënyrë që ngjall emocione”.

Mbajini të shkurtra mesazhet në internet

Nëse jeni duke folur me personin tjetër duke u përgjigjur në mediat sociale ose në një bisedë në grup, përpiquni ta mbani mesazhin të shkurtër. “Mos i vërshoni me informacione”, thotë Bode. Ndani një lidhje me një burim të besuar dhe vazhdoni. “Ju nuk mund të shqetësoheni për ta rregulluar atë gjatë gjithë ditës”.

Shtroni pyetjen “ku e mësuat këtë?” 

John Silva, drejtor i Projektit të Literacy News, rekomandon të pyesni dikë se ku kanë dëgjuar për herë të parë për të, në vend që t’i tregoni dikujt se ajo që ata besojnë se është e vërtetë apo e pa vërtetë. E dëgjuat në një podcast? Apo e keni lexuar një artikull? Apo në Twitter?

Sipas Silva-s, pasi t’i kërkoni të tregojë se nga e kanë marrë informacionin, ju mund të ndani edhe burimet tuaja të informacionit. Përshkruani se çfarë ndajnë burimet tuaja të besuara dhe shpjegoni pse i besoni.

Flisni për paratë që gjeneron keqinformimi

Sipas Wagner, kur flet me dikë që beson në një teori konspirative, mund të jetë e dobishme të pyesësh: Kush përfiton nga besimi juaj? Kush mund të mblidhte ose të fitonte para falë audiencës që ai krijoi në këtë mënyrë?

Wagner shton se mund të jetë e dobishme t’u kujtosh njerëzve se dikush që punon për një organizatë të zakonshme lajmesh si Washington Post ose NPR mund të pushohet nga puna nëse raportojnë lajme të rreme.

Deen Freelon, profesor dhe studiues mbi dezinformatat që përhapen në rrjetet sociale në Hussman School of Journalism and Media në Universitetin e Karolinës së Veriut, thotë se duhet të kuptojmë se keqinformimi dhe dezinformimi është një biznes fitimprurës, si për ata që e publikojnë atë ashtu edhe për platformat mediatike ku shpërndahet.

“[Dezinformimi] është shumë fitimprurës, por shumë i keq për demokracinë, shoqërinë dhe PR”, thotë Freelon.

Mos debatoni në publik.

Ekspertët thonë se nuk është në rregull të bëhen këto biseda në publik.

Në vend të kësaj, Silva rekomandon të ftoni personin tjetër për kafe dhe t’i diskutoni ato në një bisedë kokë më kokë. Akoma më mirë është të presësh që ai person të flasë vetë për zgjedhjet ose lajmet dhe të jetë i gatshëm të përgjigjet. Konfliktet duhet të shmangen. “Askush prej nesh nuk dëshiron të ndihet i poshtëruar”, tha Silva. Asnjërit prej nesh nuk i pëlqen të gabojë. Është një ndjenjë mjaft e pakëndshme. “Sigurimi i një hapësire të sigurt për këta njerëz që të pranojnë se mund të gabojnë është alternativa më e mirë”, thotë ai.

Korrigjoni dezinformatat në grupin e familjes

Personi i parë që do të ndajë informacione të rreme do të jetë gjithmonë më i vështirë për t’u bindur. Në vend të kësaj, mund të përpiqeni të bindni të gjithë të tjerët që shohin informacionin. Sipas Bode-s, njerëzit që shohin gabimet e të tjerëve të korrigjuara kanë më pak gjasa të besojnë në dezinformata.

Bode thotë se ekziston rreziku që dikush të mërzitet nëse i hedh poshtë pretendimet e tyre në Twitter ose Facebook. Kjo është arsyeja pse ai rekomandon të flisni jashtë linje, pasi t’i reagoni me “kujdes” në internet.

Jo të gjithë mund të binden, jini gati të tërhiqeni

Silva sugjeron të tërhiqeni kur zërat duken se po bëhen më të fortë ose kur ndiheni të zemëruar. Biseda është pothuajse e pamundur të vazhdohet pasi të përshkallëzohet në një konflikt.

“Nuk mund ta rregullosh me një bisedë të vetme”, thotë Silva. “Ju mund të keni nevojë të tërhiqeni dhe të thoni, ‘le të flasim më vonë'”.

Mos harroni se kërkon kohë për të ndryshuar mendje

Ndërsa është e mundur të ndryshosh mendjen e dikujt, ekspertët thonë se pothuajse gjithmonë kërkon më shumë se një bisedë. “Ju duhet ta shihni atë si një gjë afatgjatë”, thotë Freelon. Njerëzit me të cilët flisni duhet të shohin se ju jeni “personalisht të interesuar” për rezultatin.

Të gjithë janë të prekshëm ndaj dezinformatave, thotë Madeline Jalbert, një studiuese në Universitetin e Uashingtonit, e cila studion se si njerëzit gjykojnë realitetin. Sipas Jalbert, sapo të dëgjoni dhe filloni të besoni një gënjeshtër si “Zgjedhjet u manipuluan”, është e vështirë të ktheheni në një pikë ku nuk e keni menduar kurrë më parë. “Të gjithë kemi mendime që nuk përputhen plotësisht me realitetin. Rregullimi i kësaj është një punë shumë e ndërlikuar”, thotë Jalbert.

Burimi: teyit.org

Share With Others