Portali “Gazetametro.com” ka publikuar një artikull me titull “Kurti ‘pozon’ pranë flamurit dardan, të cilin militantë e VV’së e digjnin dikur”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, i cili rezulton të jetë i sajuar, pasi “Gazetametro.com” këtë pretendim nuk e ka të bazuar në asnjë fakt.
Stafi i hibrid.info pas hulumtimit të kryer përmes makinave të kërkimit, nuk ka gjetur asnjë raport të publikuar nga mediat që e plotëson pretendimin se “militant të VV-së dikur kanë djegur flamurin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës ose i njohur ndryshe si ‘flamuri dardan’”.
Vegëza e artikullit të publikuar në “Gazetametro.com”:
Pas hulumtimit është gjetur një artikull i publikuar nga mediumi “Radio Evropa e Lirë” i datës 28 nëntor 2005, atëkohë kur Flamuj të Presidencës së Kosovës ishin djegur përballë Kuvendit komunal të Prishtinës nga ana e shoqatave të dala nga lufta. (shih këtu)
Krejt çka hibrid.info ka arritur të gjejë është një artikull i vitit 2019 i publikuar nga “Sinjali.com”, i cili flet për kandidaten për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Shala ku shkruan se “ajo shihet e buzëqeshur pranë flamurit të shtetit të Kosovës të cilit ia kishte vënë flakën së bashku me aktivistin tjetër Ngadhënjim Haxhosaj ( në anën e majtë) dhe një personi tjetër, në mes”. Ky portal pretendon se fotoja është realizuar më 16 shkurt 2012. (shih këtu)
Pra, nuk është gjetur asnjë rast i djegies së flamurit dardan nga aktivistët e Vetëvendosjes, siç pretendon portali “Gazetametro.com”.
Analiza:
Portali “Gazetametro.com” ka pretenduar pa asnjë fakt se militantët e VV-së dikur kanë djegur flamurin e presidentit Ibrahim Rugova, i njohur ndryshe si “flamuri dardan”.
Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinave të kërkimit lidhur me këtë pretendim, por nuk është gjetur asnjë raport i bërë në mediat online në Kosovë.
Gjithçka që Hibrid.info ka gjetur është një artikull i publikuar në vitin 2019 nga Sinjali.com, i cili kishte raportuar me anë të një fotografie që, sipas tyre, është bërë më 16 shkurt 2012, ku shihet kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Shala së bashku me dy persona tjerë pranë flamurit të djegur të shtetit të Kosovës.
Pas analizës së kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “Lajm i rremë”, pasi “Gazetametro.com” nuk ka përdorur asnjë fakt që argumenton pretendimin e bërë.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.