[email protected]
Pretendohet rrejshëm se Ilir Meta ka përdorur fotografi të Kabulit
shape
shape
shape

Media online në Shqipëri “Gazetatema.net” ka publikuar një artikull me pretendimin se ish-presidenti, Ilir Meta, në një postim të tij në Facebook ka paraqitur qytetin e Kabulit, duke pretenduar se është Tirana.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vlerësuar se ky pretendim i GazetaTema.net është i pasaktë, pasi që në postimin e Metës, gjendet saktësisht fotografi e shkrepur nga një pjesë e Tiranës, por jo e vitit 2021, siç pretendon ish-presidenti. Në fakt, fotografia e postuar nga Meta, paraqet imazh të Tiranës së vitit 2017.

Në këtë postim Meta ka bërë një krahasim të Tiranës së vitit 1980 dhe asaj të vitit 2021, duke nxjerrë në pah, sipas tij, ndotjen e ajrit në kryeqytet.

Mirëpo, gjatë hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur se kjo fotografi është publikuar për herë të parë në mediumin online “Republika Demokratike” me datë 14 mars 2017.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Gazetatema.net”:

https://www.gazetatema.net/politika/foto-ilir-meta-del-bllof-publikon-foto-te-kabulit-sikur-eshte-tirana-i350672?fbclid=IwAR2Ka7KbZNNVN5mV0GgVEO8z7i-c9kIRRQODtvCiPl7DtPuYDJbkaZKeawQ


Postimin e Ilir Metës në llogarinë e tij zyrtare në Facebook mund ta gjeni këtu.


“Gazetatema.com” duket se ka keqinformuar edhe për fotografinë e postuar në këtë artikull, pasi në të ka vënë pamje të qytetit të Kabulit, me pretendimin se atë fotografi e ka përdorur ish-presidenti Meta.

Për ta qartësuar faktin se fotografia e artikullit të “GazetaTema.net” është tjetër nga ajo e postuar nga Meta, dhe në të shihet qyteti i Kabulit, hibrid.info ka arritur ta vërtetojë këtë.

Në artikullin e publikuar nga Agjencia e Lajmeve “Anadolu Agency” gjendet kjo fotografi e postuar në vitin 2020, që ndërlidhet me ndotjen e ajrit në Afganistan. (shih këtu)


Pretendim të ngjashëm kanë bërë edhe disa portale tjera në Shqipëri, duke thënë se “Meta poston foton e Kabulit, e prezanton si Tiranën” (shih këtu), si dhe “E postoi sikur ishte Tirana, Meta del blof me foton, dyshohet se është Kabuli”. (shih këtu dhe këtu)


Ndërsa lidhur me fotografinë e postuar nga Meta që pretendon se në të janë pamjet e Tiranës së vitit 2021, kanë reaguar edhe nga Bashkia e Tiranës, duke treguar se ajo është e vitit 2017, si dhe kanë ngritur dyshimet se fotografia është shkrepur në Shkup rreth atij viti.

“Me synimin për të sulmuar kryebashkiakun Erion Veliaj, Ilir Meta postoi sot një foto me pamje nga lart të një qyteti, për të cilën pretendoi se ishte shkrepur në Tiranën e vitit 2021. Por, nga një kërkim i thjeshtë në Google tregon se fotoja daton të jetë postuar për herë të parë në vitin 2017 nga gazeta ‘Rilindja Demokratike’ e Sali Berishës. Përveç kësaj, pamja në foto që ngjason më shumë me Kabulin, nuk ka lidhje me asnjë zonë të Tiranës, dhe dyshohet se është shkrepur në Shkup rreth atij viti”, theksoi Bashkia. (shih këtu)

Mirëpo, pas hulumtimit përmes programit te automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se kjo fotografi është e qytetit të Tiranës.

Kjo fotografi është e realizuar nga Ivana Dervishi (BIRN) dhe mban përshkrimin “Pallatet e shumta të Tiranës dhe një shtresë e hollë reje dallohen prej malit të Dajtit”. (shih këtu)


Analiza:

GazetaTema.net ka publikuar një artikull që pretendon se ish-presidenti Meta në një postim të tij në Facebook ka paraqitur qytetin e Kabulit duke u munduar ta paraqesë atë si Tiranën e vitit 2021.

Mirëpo, kjo del të jetë e pasaktë. Pas verifikimit të fakteve hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është e Tiranës, por e vitit 2017.

Për këtë fotografi të Metës ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës, duke ngritur dyshime se ajo është shkrepur në Shkup. Pas hulumtimit përmes programit te automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka gjetur se kjo fotografi është realizuar nga Ivana Dervishi (BIRN) ku thuhet se ajo është shkrepur nga mali i Dajtit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Manipulim i fakteve”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others