[email protected]
Pretendohet rrejshëm se Lija e Majmunëve shpërndahet nga vaksina anti-Covid
shape
shape
shape

Në një artikull të publikuar në Facebook nga portali “BotaSot.info” rreth Lisë së Majmunit, hibrid.info ka hasur në një koment, ku një përdorues ka postuar një fotografi të përmbajtjes së vaksinës anti-Covid të prodhuesit Astra Zeneca.

Ky komentues ka pretenduar se Lija e Majmunëve është shpërndarë përmes vaksinës anti-Covid. Këtë pretendim të rremë, mundohet ta argumentoj përmes një fotografie të postuar, ku gjendet etiketa me përmbajtjen e një lloji të vaksinës anti-Covid.

Fotografinë me përmbajtjen e vaksinës anti-covid të shpërndarë në Facebook mund ta gjeni këtu.


Siç mund të shihet, në komentin e tij gjendet fotografia e përmbajtjes së vaksinës anti-Covid, e prodhuesit AstraZeneca.

Shpërndarje shumta në numër të këtij pretendimi, janë bërë edhe nga përdorues të mediave sociale nga mbarë bota, por që kanë rezultuar të jenë të pavërteta, pasi të njëjtat janë përgënjeshtruar nga ekspertët.

Profesori i virologjisë në Universitetin e Reading, Ian Jones ka thënë për Reuters, se virusi i përdorur në vaksinën e AstraZeneca është një adenovirus që është bërë mutacion për të parandaluar rritjen në qelizat njerëzore.

“Është krejtësisht ndryshe nga Monkeypox dhe nuk ka asnjë mundësi që të dyja të jenë të lidhura. Virusi i përdorur në vaksinën AZ është një adenovirus që është mutuar për të parandaluar rritjen në qelizat njerëzore. Gjithçka që bën vektori është të bartë përbërësin e vaksinës në qelizat njerëzore, ai nuk krijon vetë asnjë lloj infeksioni”. (shih këtu)


Një grup shkencëtarësh të shëndetit publik që punojnë për të trajtuar dezinformatat në internet “Meedan Health Desk” thanë për Reuters se “Shkencëtarët përdorin një adenovirus shimpanzeje si një vektor – një mënyrë për të marrë udhëzime për prodhimin e antigjeneve që luftojnë virusin në trup”. (shih këtu)

“Duhet të theksohet se shimpanzetë nuk janë majmunë”, tha tutje Meedan Health Desk. (shih këtu)


Lija e Majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunit, i cili i përket një nëngrupi të viruseve të familjes Poxviridae të quajtur Orthopoxvirus. Ky nëngrup përfshin viruset e lisë, vaccinia dhe lisë së lopës.

Përderisa prejardhja e virusit të lisë së majmunit është e panjohur, brejtësit afrikanë dyshohet se luajnë një rol në transmetim

Emri “lija e majmunit” vjen nga rastet e para të dokumentuara të sëmundjes te kafshët në vitin 1958, kur ndodhën dy shpërthime te majmunët e mbajtur për kërkime. Megjithatë, virusi nuk u bart nga majmunët te njerëzit dhe as majmunët nuk janë bartës kryesorë të sëmundjes. (shih këtu)


Analiza:

Një përdorues në Facebook ka postuar një fotografi në një artikull të publikuar nga portali “Bota Sot”, me pretendimin se në përmbajtjen e vaksinës anti-Covid të AstraZeneca, gjendet “Lija e Majmunit”.

Gjatë hulumtimit nga hibrid.info, është vërtetuar se këto pretendime janë të pavërteta, pasi ato janë hedhur poshtë nga ekspertët.

Pra, ky pretendim se ka asnjë lidhje midis përdorimit të vektorit të adenovirusit të shimpanzesë në vaksinën AstraZeneca dhe lisë së majmunëve, i cili shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, sipas kontrollit të fakteve, rezulton të jetë i pavërtetë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë pretendim (fotografi) si “Teori Konspirative” dhe “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others