Drejtues të kontrolluesve të fakteve nga e gjithë bota i janë bashkuar një iniciative për t’i kërkuar zyrtarisht drejtuesve të YouTube që të përmirësojnë politikat e tyre për kontroll dhe verifikim të përmbajtjes së publikuar në video-përmbajtje. Hibrid.info, përfaqëson Kosovën në këtë inciativë.
Letra e hapur e IFCN drejtuar drejtoreshës së YouTube Susan Wojcicki:
Letër e hapur drejtuar Kreut Ekzekutiv të YouTube nga verifikuesit e fakteve të botës
12 janar 2022
Znj. Susan Wojcicki,
Kanë kaluar dy vite që kur ka filluar pandemia COVID-19. Bota e ka parë herë pas here sesa të dëmshme mund të jenë dezinformimet dhe keqinformimi për harmoninë sociale, demokracinë dhe shëndetin publik; shumë jetë dhe mjete jetese janë shkatërruar dhe shumë njerëz kanë humbur të dashurit e tyre për shkak të dezinformimit. Si një rrjet ndërkombëtar i organizatave për verifikimin e fakteve, ne monitorojmë sesi gënjeshtrat shpërndahen online dhe çdo ditë shohim sesi YouTube është një nga përçuesit e dezinformimit online si dhe e keqinformimit kudo në botë. Ekziston një shqetësim i madh në komunitetin tonë global të verifikimit të fakteve.
Ajo çfarë ne nuk shohim është ndonjë përpjekje të YouTube për të zbatuar politika që adresojnë këtë problem. Përkundrazi, YouTube lejon që platforma e saj të përdoret si armë nga aktorë të paskrupullt që manipulojnë dhe shfrytëzojnë të tjerët si dhe organizojnë dhe mbledhin fonde për vete. Masat aktuale janë të pamjaftueshme. Prandaj kërkojmë nga ju që të ndërmerrni veprime efektive kundrejt dezinformimit dhe keqinformimit, dhe të krijoni një udhërrëfyes të ndërhyrjeve të politikave dhe produkteve për të përmirësuar ekosistemin e informacionit dhe një gjë të tillë ta bëni me organizatat botërore të paanshme të verifikimit të fakteve.
Në vitin e fundit kemi parë sesi grupe konspirative kanë lulëzuar e bashkëpunuar përtej kufijve, duke përfshirë një lëvizje ndërkombëtare që filloi në Gjermani, vazhdoi në Spanjë dhe u përhap në Amerikën Latine, dhe e tërë kjo ndodhi në YouTube. Ndërkohë, miliona përdorues të tjerë po ndiqnin video në gjuhën greke dhe arabe që i inkurajonin ato të bojkotonin vaksinimet apo t’i trajtonin infeksionet e tyre COVID-19 me kura false. Përtej COVID-19, videot në YouTube kanë promovuar kura të rreme për kancerin për vite.
Në Brazil, platforma është përdorur për të zmadhuar gjuhën e urrejtjes kundër grupeve të dobëta, duke arritur dhjetëra mijëra përdorues. Gjithashtu edhe zgjedhjet nuk janë të sigurta. Në Filipine, përmbajtje të rreme me mbi 2 milionë shikime që mohojnë abuzimet me të drejtat e njeriut dhe korrupsionin gjatë viteve të Ligjit Ushtarak përdoren për të lustruar reputacionin e djalit të diktatorit të ndjerë, një nga kandidatët e zgjedhjeve të vitit 2022. Në Tajvan, zgjedhjet e fundit u përfshinë nga akuza të pabaza mashtrimi. E tërë bota ishte dëshmitare e pasojave të dezinformimit kur një turmë e dhunshme sulmoi Kapitolin amerikan në fillim të këtij viti. Që në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA e deri në ditën e nesërme, videot në YouTube që mbështesnin narrativën e “mashtrimit” janë shikuar më shumë se 33 milionë herë.
Ka shumë shembuj për t’u numëruar. Shumë prej këtyre videove dhe kanaleve janë ende online, dhe të gjitha kanë kaluar nën radarin e politikave të YouTube, sidomos në shtetet jo-anglishtfolëse dhe në Jugun Global. Jemi të lumtur që kohëve të fundit kompania ka bërë disa lëvizje për të adresuar këtë problem, por bazuar në atë që shohim në përditshmëri në platformë, mendojmë që këto përpjekje nuk po funksionojnë dhe YouTube nuk ka prodhuar të dhëna cilësore që dëshmojnë efektivitetin e tyre.
Platforma e kompanisë suaj tashmë ka përcaktuar diskutimet rreth dezinformimit si një dikotomi e rreme e fshirjes apo jo të përmbajtjes së rreme. Duke bërë këtë, YouTube po i shmanget mundësisë për të bërë atë që është dëshmuar se funksionon: përvoja jonë si verifikues të fakteve me dëshmi akademike na tregon që nxjerrja në pah e informatave të verifikuara është më efektive sesa fshirja e përmbajtjes. Gjithashtu ruan lirinë e shprehjes përderisa e njeh nevojën për informata shtesë për të zvogëluar rreziqet e cenimit të jetës, shëndetit, sigurisë dhe proceseve demokratike. E gjithashtu duke marrë parasysh faktin që një pjesë e madhe e shikimeve në YouTube vijnë përmes algoritmit të rekomandimit të tij, YouTube gjithashtu duhet të sigurohet që nuk promovon në mënyrë aktive dezinformimin tek përdoruesit e saj apo që nuk rekomandon përmbajtje që vijnë nga kanale të pabesueshme.
Duke pasur këtë në mendje, ne propozojmë disa zgjidhje që do të bënin një dallim të madh në zvogëlimin e shpërndarjes së dezinformimit dhe keqinformimit në YouTube.
Një angazhim për transparencë domethënëse rreth dezinformimit në platformë: YouTube duhet të mbështetë hulumtimet e pavarura rreth origjinës së fushatave të ndryshme të keqinformimit, shtrirjen dhe ndikimin e tyre, dhe mënyrat më efektive për të demaskuar informatat e rreme. Gjithashtu duhet të publikojë politikën e plotë të moderimit sa i përket dezinformimit dhe keqinformimit, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale dhe se cilat të dhëna e fuqizojnë atë.
Përtej heqjes së përmbajtjes për arsye ligjore, fokusi i YouTube duhet të jetë sigurimi i kontekstit dhe ofrimi i demaskimit, mbivendosur qartë në video ose si përmbajtje shtesë video. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes hyrjes në një bashkëpunim kuptimplotë dhe të strukturuarduke marrë përsipër përgjegjësinë dhe duke investuar në mënyrë sistematike në përpjekjet për verifikimin e pavarur të fakteve në mbarë botën që po punojnë për të zgjidhur këto çështje.
Duke vepruar kundër shkelësve të përsëritur që prodhojnë përmbajtje që vazhdimisht shënjohet si dezinformim apo keqinformim, veçanërisht ata që fitojnë para nga ajo përmbajtje brenda dhe jashtë platformës, sidomos duke parandaluar algoritmet e tij të rekomandimit që të promovojnë përmbajtje nga burime të tilla dezinformimi.
Zgjerimi i përpjekjeve aktuale dhe atyre të ardhshme kundër dezinformimit dhe keqinformimit në gjuhët e ndryshme nga anglishtja, duke ofruar të dhëna specifike sipas shtetit dhe gjuhës, si dhe ofrimi i shërbimeve të transkriptimit në çfarëdo gjuhe.
Shpresojmë se do të konsideroni zbatimin e këtyre ideve për të mirën e publikut dhe për ta bërë YouTube një platformë që me të vërtetë bën më të mirën për të parandaluar dezinformimin dhe keqinformimin kundër përdoruesve të tij dhe shoqërisë në përgjithësi. Ne jemi gati dhe të aftë të ndihmojmë YouTube. Ne dëshirojmë të takohemi me ju për të diskutuar këto çështje dhe për të gjetur mënyra bashkëpunimi dhe presim me padurim përgjigjen tuaj për këtë ofertë.
Africa Check (Senegali, Nigeria, Kenia, Afrika e Jugut) / Animal Político – El Sabueso (Meksika) / Aos Fatos (Brazili) / Bolivia Verifica (Bolivia) / BOOM (India, Mianmari dhe Bangladeshi) / Check Your Fact (SHBA) / Code for Africa – PesaCheck (Burkina Faso, Burundi, Kameruni, Republika e Afrikës, Bregu i Fildishtë, Etiopia, Gana, Guinea, Kenia, Mali, Nigeri, Nigeria Senegali, Afrika e Jugut, Sudani, Tanzania, Uganda dhe Zimbabveja) / Colombiacheck (Kolumbia) / CORRECTIV (Gjermania) / Cotejo.info (Venezuela) / Chequeado (Argjentina) / Delfi Lithuania (Lituania) / Demagog Association (Polonia) / Doğruluk Payı (Turqia) / Dubawa (Nigeria, Gana, Sierra Leone, Liberia dhe Gambia) / Ecuador Chequea (Ekuadori) / Ellinika Hoaxes (Greqia) / Fact Crescendo (India) / Fact-Check Ghana / FactCheck.org (SHBA) / FactSpace West Africa / Facta (Italia) / FactcheckNI (Mbretëria e Bashkuar) / Factly (India) / Factual.ro (Rumania) /FactWatch (Bangladeshi) / Fakenews.pl (Polonia) / Faktist.no (Norvegjia) / Faktograf.hr (Kroacia) / Faktoje (Shqipëria) / Fast Check CL (Kili) / Fatabyyano (Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore) / Full Fact (Mbretëria e Bashkuar) / GRASS – Gjeorgjia verifikim i fakteve / India Today Group (India) / Istinomer (Serbia) / Istinomjer (Bosnja dhe Hercegovina) / Hibrid.info (Kosova) / Knack Magazine (Belgjika) / La Silla Vacía (Kolumbia) / Lead Stories (SHBA) / Les Surligneurs (Franca) / Logically (Mbretëria e Bashkuar) / Lupa (Brazili) / Maldita.es (Spanja) / MediaWise (SHBA) / Mongolian Fact-checking Center (Mongolia) / MyGoPen (Tajvani) / Myth Detector (Gjeorgjia) / NewsMobile (India) / Newschecker (India dhe Azia e Jugut) / Newtral (Spanja) / Observador – Fact Check (Portugalia) / Open Fact-checking (Italia) / OŠTRO (Sllovenia) / Pagella Politica (Italia) Poligrafo (Portugalia) / PolitiFact (SHBA) / Pravda (Polonia) / Rappler (Filipinet) /Raskrinkavanje (Bosnja dhe Hercegovina) / Re:Check/Re:Baltica (Latvia) / RMIT ABC Fact Check (Australia) Rumor Scanner (Bangladeshi) / Science Feedback (Franca) / StopFake (Ukraina) / Taiwan FactCheck Center (Tajvani) / Tempo (Indonezia) / Teyit (Turqia) / The Healthy Indian Project/THIP Media (India) / The Journal FactCheck (Irlanda) / The Logical Indian (Indiane) / The Quint (India) / The Washington Post Fact-checker (SHBA) / The Whistle (Izraeli) / Univision – elDetector (SHBA) / VERA Files (Filipinet) / Verificat (Spanja) / Vishvas News (India) / Vistinomer (Maqedonia e Veriut) / VoxCheck (Ukraina) / 15min (Lituania)