[email protected]
Në prill dominuan Clickbait dhe Lajmi i rremë,  kronika e zezë – Policia e Kosovës institucioni, Kurti figura më e përfolur
shape
shape
shape

Gjatë muajit mars 2023, temat mbi të cilat janë krijuar e shpërndarë përmbajtje keqinformuese janë zhvillimet lidhur me veriun e Kosovës. Zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat u bojkotuan nga subjektet politike serbe dhe qytetarët e komunitetit serb, bënë që të jenë zhvillime atraktive që u përdorën edhe për informata të pasakta.

Temat mbi të cilat më së shumti janë krijuar dhe shpërndarë publikime keqinformuese nga media të ndryshme janë ato të kronikës së zezë. Në fushën e kronikës së zezë zënë vend tema të ndryshme, përfshirë ato që ndërlidheshin me akte si vrasjet, plagosjet, me aksidente, arrestime, vjedhje, rrëmbime etj.

Tema sociale, gjatë prillit, u renditen në vendin e dytë, dhe përfshin publikime që ndërlidhen me programin televiziv “Big Brother Vip Albania”, çmimet, emigrantët, minatorët e Trepçës dhe tema të tjera sociale.

Numri më i madh i publikimeve keqinformuese kanë marrë vlerësime “Clickbait” me 42%, e cila pasohet nga kategoria “lajm i rremë” me 15%.

Si rezultat i monitorimit të llojeve të publikuesve të keqinformimit, ky muaj karakterizohet nga fakti se mediat reale me 48% dhe mediat sociale me 40% kanë publikuar më së shumti përmbajtje keqinformuese gjatë muajit prill 2023.

Në muajin prill institucioni më i përfolur ka qenë Policia e Kosovës nga mediat në gjuhën serbe ndërlidhur me zhvillimet në veri, ndërsa figura më e përfolur mbetet edhe për këtë muaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin mars të vitit 2023 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.

Monitorimi gjatë muajit prill 2023 dëshmon se mediat kanë publikuar dhe shpërndarë më së shumti artikuj keqinformues në kategorinë clickbait me 42%, e cila pasohet nga lajm i rremë me 15% dhe përmbajtje e paverifikuar me 13%. Artikujt e kategorizuar si “Clickbait” përfshihen në kronikën e zezë dhe çështjet sociale, si vrasje, plagosje, programi televiziv BBVA, emigrantët, platforma “Superpuna” etj. Vlerësime “Lajm i rremë” kryesisht kanë marrë përmbajtjet keqinformuese të mediave për Gjykatën Speciale, ish-presidentin Thaçi, kryeministrin shqiptar, Rama, veriun e Kosovës etj. Ndërkaq, kategoria “Përmbajtje e paverifikuar” më së shumti ka trajtuar temat e sigurisë për veriun e Kosovës dhe komunitetin serb në vend.

Në këtë periudhë njëmujore (prill 2023), tema kryesore e trajtuar nga mediat për krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes keqinformuese është veriu i Kosovës. Mediat reale në gjuhën serbe kanë publikuar më së shumti keqinformime për veriun, ndërsa edhe disa llogari e faqe në mediat sociale kanë shpërndarë në gjuhën shqipe artikuj keqinformues për veriun e vendit. Tema të tjera të trajtuara janë vrasje, programi televiziv BBVA, arrestime, plagosje etj. Pavarësisht se tema e veriut të Kosovës, si temë politike dhe e sigurisë, ka dominuar mbi temat tjera, megjithatë kronika e zezë me 29% dhe çështjet sociale me 24% kanë mbizotëruar ndaj çështjeve politike (20%) dhe të sigurisë (14%), si fushat kryesore të keqinformimit për muajin prill 2023. Pothuajse të gjitha publikimet keqinformuese për kronikën e zezë, temat sociale dhe politikën janë krijuar dhe shpërndarë nga mediat në gjuhën shqipe, ndërsa shumica dërrmuese e artikujve në fushën e sigurisë janë publikuar nga mediat në gjuhën serbe.

Gjatë monitorimit për muajin prill 2023, vërehet se mediat reale kanë shpërndarë më së shumti përmbajtje keqinformuese për Kosovën me 48% kundrejt faqeve, faqeve zyrtare dhe llogarive në mediat sociale prej 40%. Ndërkaq, rreth 12% e artikujve keqinformues janë publikuar dhe shpërndarë nga portalet e dyshimta. Shumica dërrmuese e artikujve keqinformues të publikuar nga mediat në gjuhën shqipe janë për kronikën e zezë, çështjet sociale dhe sportin, ndërsa fokusi i mediave në gjuhën serbe është tek temat e sigurisë për veriun e Kosovës dhe komunitetin serb në vend. Lidhur me mediat sociale, në Facebook janë krijuar dhe shpërndarë më së shumti publikime keqinformuese prej 62% dhe në TikTok 38%. Të gjitha publikimet në mediat sociale janë shpërndarë në gjuhën shqipe nga faqe, faqe zyrtare dhe llogari të ndryshme në këto dy media sociale, në të cilat mbizotërojnë temat politike, sociale dhe kronika e zezë, pasuar nga siguria, shpalljet dhe sundimi i ligjit.

Institucioni më i përfolur nga media të ndryshme në muajin prill 2023 është Policia e Kosovës. Mediat në gjuhën serbe kanë përfolur Policinë në kontekst të veriut të Kosovës, në pretendimet e tyre të pavërteta se Policia e Kosovës ka plagosur një qytetar serb në veri të vendit. Edhe llogari në mediat sociale, në gjuhën shqipe kanë publikuar lajme të rreme, duke pretenduar pa fakte se grupi rus “Wagner” ka plagosur shtatë pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe se kjo e fundit ka vrarë tre qytetarë serbë. Edhe këtë muaj (prill 2023), personaliteti më i përfolur është kryeministri Albin Kurti nga mediat në gjuhën shqipe dhe serbe. Mediat serbe kanë shpërndarë artikuj me përmbajtje të rreme se institucionet kosovare dhe Kurti po planifikojnë spastrimin e serbëve nga veriu i vendit, ndërkaq disa faqe në mediat sociale, në gjuhën shqipe, kanë publikuar përmbajtje keqinformuese duke nxjerrë jashtë kontekstit deklarata të Kurtit.

Share With Others