Faqja në Facebok “Atdheu Lajm” ka publikuar dje (25 tetor) një artikull me titull “Lajm fantastik: Mjeku shqiptarë shëron sëmundjen e sheqerit për një ditë”.
Në këtë artikull pretendohet se kirurgu kosovar, Arbër Morina është shprehur se shëron sëmundjen e diabetit për një ditë.
Hibrid.info pas hulumtimit në llogarinë personale të Morinës në Facebook, ka gjetur se i njëjti ka demantuar këtë artikull, duke e quajtur si të rremë dhe se i njëjti nuk është bërë nga ana e tij.
Vegëza e artikullit të publikuar në Facebook nga faqja “Atdheu Lajm”:
Morina në llogarinë e tij personale në Facebook me datë 14 janar 2021 e ka demantuar këtë artikull të shkruar në emrin e tij, duke thënë se këto postime janë bërë nga persona që kanë për qëllim njollosjen e punës së tij. (shih këtu)
I njëjti gjithashtu ka sqaruar se diabeti nuk mjekohet për një ditë, e as gripi më i thjeshtë.
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se ky artikull qarkullon në internet që nga muaji janar i vitit 2021, i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “Lajmpress.org”. (shih këtu)
Analiza:
Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se portale të ndryshme kanë publikuar rrejshëm një artikull duke përdorur emrin e një kirurgu kosovar, me pretendimin se i njëjti ka thënë se e shëron diabetin për një ditë.
Kirurgu Abër Morina ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Facebook, duke e demantuar këtë lajm dhe sipas tij këto postime janë bërë nga persona që kanë për qëllim ta njollosin punën e tij.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.