[email protected]
Raporti “Prapa Ekraneve”: Temat politike, të sigurisë dhe ato sociale u përdorën më së shumti për keqinformim
shape
shape
shape

Monitorimi i gjendjes së çrregullimit informativ në Kosovë dëshmon se temat politike në lidhje me zhvillimet në Kosovë përdoren më së shumti për krijim dhe shpërndarje të përmbajtjeve keqinformuese nga publikues të ndryshëm. Kjo u konstatua gjatë diskutimit në Konferencën për prezantimin e Raportit Vjetor për çrregullimin informativ të emërtuar si “Prapa Ekraneve”.

Nga gjetjet e raportit u pa se temat që ndërlidhen me ngjarjet e veriut në Kosovë u përdorën më së shumti për të dezinformuar në periudhën një-vjeçare të monitorimit. 

Raporti është ndarë në tri pjesë kryesore, si Koncepti i Çrregullimit Informativ në Kosovë; Gjetjet e monitorimit njëvjeçar (korrik 2022 – qershor 2023); si dhe çështja e rregullimit dhe vetë rregullimit medial në Kosovë dhe mangësitë ligjore e institucionale në këtë fushë.

Shkelzen Osmani, udhëheqës i Hibrid.info, gjatë prezantimit ka thënë se te dezinformatat mbizotërojnë temat për dhe rreth Veriut të Kosovës me 10% të totalit, ndërsa raportet Kosovë-Serbi kapin shifrën prej 4 për qind. “Nëse këto dyja bëhen bashkë dhe trajtohen si tema që ndërlidhen me raportet Kosovë-Serbi, atëherë mund të thuhet se kjo është tematika kryesore mbi të cilën është keqinformuar”, ka shtuar ai.

“Dezinformatat shpërndahen kryesisht në momente kur ka ngjarje politike që ndërlidhen kryesisht me politikë e siguri. Kjo ndërlidhet me ngjarjet në veri por edhe në rajonet tjera që banohen me serbë në Kosovë, të cilat janë ngjarje që u jepet karakter politik e ndëretnik dhe ku ndërlidhet edhe siguria”.

“Vlen të përmendet se në shumicën e rasteve, kur veriu është i qetë, stimulohet narrativi se serbët në Kosovë janë të kërcënuar, se ekziston një plan i fshehtë nga institucionet e Kosovë për të dëbuar serbët nga Kosova etj”.

Ndërsa në rastet e vlerësimeve si “Clickbait”, Osmani thotë se raporti tregon që ndryshojnë fushat dhe temat që përdorën nga publikuesit.

“Në këto raste, publikuesit përdorin kryesisht temat që janë më tematike të momentit. Në shumicën e rasteve mund të thuhet se ato nuk kanë ndonjë agjendë, por thjeshte duan të shfrytëzojnë momentin për të nxitur klikime e lexime”.

Sipas gjetjeve të raportit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prin si personaliteti më i përfolur në përmbajtjet keqinformuese, i pasur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa, tek llojet e publikuesve, rezulton që mediat reale janë ato që publikojnë më së shumti përmbajtje keqinformuese, përfshi këtu edhe faktin se shumë media në gjuhën serbe që janë të përfshira në këtë raport për trajtim të keqinformimit, janë media të regjistruara dhe figurojnë si entitete juridike. Pasojnë mediat e dyshimta, që paraqiten si media, por të cilave u mungon aspekti ligjor e etik por edhe faqet, grupet e profilet në mediat sociale.

Në akseptin gjuhësor, mediat që publikojnë përmbajtje keqinformuese për dhe rreth Kosovës janë ato në gjuhën shqipe dhe pasohen nga ato në gjuhën serbe. Megjithatë, sipas raportit, rezulton se mediat në gjuhën shqipe kryesisht publikojnë clickbait, pra përmbajtje keqinformuese jo me tendencë propaganduese, ndërsa ato në gjuhën serbe, publikojnë më shumë dezinformatë, që tregon se kanë për synim që të përcjellin agjendë keqinformuese.

Edhe te vlerësimet sipas fushës, tregon se media në gjuhën shqipe publikojnë përmbajtje që nxitë më shumë lexueshmëri, pra si kronikë të zezë e sociale, kurse tek ato në gjuhën serbe, është kryesisht politika ajo që dominon.

Facebook është platforma që përdorët më së shumti për keqinformim, por që po përcjellët shumë nga TikTok-u, rrejt ky social që ka një trend të rritjes në periudhën e fundit në këtë aspekt.

Në këtë raport u paraqit edhe gjendja e rregullimit të mediave. Sipas asaj që thuhej, prezenca e lartë e përmbajtjeve informuese në hapësirën digjitale, pothuajse po bënë të pamundur rregullimin në këtë ekosistem mediatik.

Në pjesën e diskutimit panelistët Muhamet Hajrullahu nga Telegrafi.com, Pajtim Gashi nga NDI Kosovë, Alban Zeneli nga Universiteti i Prishtinës dhe Ardita Zejnullahu nga AMPEK, kanë diskutuar mbi aspektet e çrregullimit informativ sa i përket çështjeve rregulluese dhe vetrregulluese të mediave, ku u specifikuan problematikat kryesore dhe gjendja aktuale e mediave në Kosovë. Nga të gjithë u bë thirrje që aspektet ligjore duhet të përmirësohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që kjo t’iu prij proceseve vetërregulluese, etike dhe përmbajtjesore të ekosistemit të informacioni në Kosovë.

Si përfundim, Raporti ka nxjerrë edhe rekomandimet si në vijim: Përmirësimin e akteve ligjore të rregullimit të mediave, transparencën e pronësisë dhe financimin e mediave, shtimin e kapaciteteve profesionale të trupave rregullues të kësaj fushe, si dhe të bëhen fushata informuese për edukimin medial të audiencës.

Share With Others