[email protected]
Veriu, grevat e SBASHK-ut, ndihmat sociale e dialogu Kosovë-Serbi, ishin temat mbi të cilat u bë keqinformim gjatë shtatorit
shape
shape
shape

Audienca kosovare, kryesisht ajo shqipfolëse, vazhdon të përballet me përmbajtje keqinformuese, të cilën po e konsumon përmes mediave sociale.

Çështjet që ndërlidhen me zhvillimet në veri të Kosovës, grevat e punonjësve të arsimit, ndihmat financiare sociale e dialogu Kosovë-Serbi, po vazhdojnë të jenë temat kryesore, mbi të cilat krijohen përmbajtje keqinformuese për audiencën kosovare.

Këtë e bënë të ditur raporti i tretë monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin shtator të këtij viti (2022) tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info.

Raport është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.

Monitorimi për muajin shtator 2022, ka nxjerrë në pah se kategoritë vlerësuese përreth të cilave ka pasur më shumti artikuj me përmbajtje keqinformuese janë dezinformatat me 29%, clickbait me 22% dhe përmbajtja e paverifikuar 12%. Në kategorinë “Dezinformatë”, shumica e artikujve janë publikuar nga media të dyshimta dhe në masë më të vogël nga ato reale me lajme në fushën e politikës, sigurisë dhe ekonomisë, të cilat trajtojnë temën e veriut të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi, vizat, rritjen e çmimeve, grevën në arsim etj. Vlerësime “Clickbait” kanë marrë publikimet me pretendime të pasakta për ndihmat financiare – ekonomike të Qeverisë së Kosovës për qytetarët, skemat sociale, tërheqja e parave nga Trusti, çmimet e naftës, vizat etj. Tek kategoria “Përmbajtja e paverifikuar” përfshihen artikuj të ndryshëm keqinformues për dialogun Kosovë-Serbi, greva në arsim, veriun e Kosovës, reduktime të energjisë elektrike etj.

Rreth 36% e temave të cilat janë përdorur për keqinformim janë greva në arsim, veriu i Kosovës, rritja e çmimeve, liberalizimi i vizave, ndihmat financiare, dialogu Kosovë-Serbi, marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, serbët e Kosovës dhe çmimi i naftës. Analizimi i të dhënave monitoruese në baza javore tregon se gjatë javës së parë të shtatorit 2022, temë kyçe ka qenë ndihmat financiare – ekonomike për qytetarët nga Qeveria me 14%; gjatë javës së dytë të shtatorit kanë dominuar artikujt keqinformues për veriun e Kosovës dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi me 13%; në javën e tretë publikime integrimin e Kosovës ne BE, Trustin, komunitetin serb ne Kosovë me nga 6% secila prej tyre; kurse, në javën e fundit të shtatorit kanë mbizotëruar artikujt për rritjen e çmimeve dhe për liberalizimin e vizave me 13%.

58% e publikuesve të përmbajtjeve keqinformuese kanë qenë media reale kundrejt mediave të dyshimta me 42%. Prej mediave reale, 58% e artikujve u publikuan nga mediat vendore, 40% nga mediat rajonale dhe në përqindje shumë më të vogël nga kombinimi i mediave vendore/rajonale me vetëm 2%. Mediat vendore kanë publikuar artikuj të vlerësuar në kategoritë clickbait, teori konspirative, dezinformatë, lajmë të rreme, gabim dhe përmbajtje të paverifikuar. Mediat rajonale, kryesisht ato serbe, kanë shpërndarë keqinformime për dhe rreth Kosovës që janë vlerësuar si dezinformatë, teori konspirative, manipulim i fakteve, përmbajtja e paverifikuar dhe lajme të rreme.

Institucioni më i përfolur nga mediat gjatë kësaj periudhe njëmujore ka qenë Qeveria e Kosovës me 14% dhe atë nga mediat në gjuhën serbe në kontekst të manipulimit të fakteve dhe clickbait duke keqinformuar për situatën në Kosovë. Kjo pasohet nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) me 9% dhe institucionet e sigurisë, si FSK/KFOR e FSK/Policia e Kosovës në përqindje më të ulët prej 5%. Krahas institucioneve, personaliteti më i përfolur edhe në muajin shtator ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me 10% nga mediat serbe dhe këta artikuj janë vlerësuar si dezinformatë dhe manipulim i fakteve.

Vegëza e raportit të plotë për muajin shtator: https://hibrid.info/raporti-monitorues-i-keqinformimit-per-muajin-shtator/

Share With Others