[email protected]
Rishikimi i javës: Dezinformatë se në veri të Kosovës ndodhën tri shpërthime, teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, mashtrime nga faqe të dyshimta për mundësi kredie
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Dezinformatat janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Të gjitha përmbajtjet dezinformuese u publikuan në media sociale me pretendime të ndryshme përfshirë këtu, pretendimin se një tërmet i fuqishëm goditi Shqipërinë; se në veri të Kosovës ndodhën tri shpërthime të fuqishme; se presidenti francez, Emmanuel Macron është shprehur se “Franca do të përdorë armë bërthamore kundër Rusisë, nëse është e nevojshme; se këngëtarja shqiptare Dua Lipa dhe tenisti serb Novak Gjokoviq janë përplasur verbalisht për Skenderbeun; se Italia u godit nga një tërmet i fuqishëm.

Përmbajtja e paverifikuar u publikua nga portale informativ lidhur me ngjarjen të ndodhur në Duseldorf të Gjermanisë ku dyshohet se të përfshirë ishin një shqiptar i Kosovës (i dyshuari për vrasje) dhe një person me nënshtetësi serbe (viktima e dyshuar), kanë publikuar të dhëna të paverifikuara për ngjarjen.

Clickbait artikujt u publikuan në portale informative ku nëpërmjet titujve përgjithësues për ngjarje tragjike në Shqipëri dhe pretendimin për mundësitë e shkuarjes në Gërmi për 1 maj, nuk qartësohej përmbajtja.

Teoria konspirative ndërlidhet me incidentin e mesnatës së të shtunës (27-28 prill) në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, ku raportohet se janë rrahur dy qytetarë serbë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e interpreton pa fakte si “tentativë për shtypje sistematike të serbëve me qëllim të spastrimit etnik”.

Dezinformatë/Clickbait u vlerësua artikulli i publikuar më 1 maj në Facebook përmes së cilit pretendohet se nga muaji tetor do të ketë rritje të pensioneve.

Një portal informativ raportoi gabimisht se ekipi futbollistik Paris Saint-Germain ka fituar ndeshjen ndaj Borussia Dortmund në kuadër të Ligës së Kampionëve.

Përmbajtjet mashtruese u publikuan në media sociale me pretendime për dhënie kredish; se Trump është deklaruar në favor të ndryshimit të emrit të Kosovës në Dardani; se ka reaguar një komentator arab pasi ka parë një fanse me flamur kombëtar shqiptar në ndeshjen Bayern Munich – Real Madrid në Ligën e Kampionëve.

Manipulim i fakteve është cilësuar interpretim i deklarimit të kryeministrit Rama flet kur për kontekstin historik të rolit dhe qëndrimeve të Shqipërisë, në raport me Izraelin e Palestinën, duke u cilësuar se “Kryeministri shqiptar i tregon vendin Blinkenit sa i përket Palestinës”.

Si përmbajtje e paverifikuar është vlerësuar publikimi i një vegëze, me anë të së cilës është pretenduar se mund të votojnë të gjithë ata që kanë qasje online, për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit në Ligue 1, në Francë, për të cilin në nominim është edhe futbollisti nga Kosova, Edon Zhegrova.

Dezinformatë

Me datë 28 prill u publikua një postim me pretendimin se një tërmet i fuqishëm goditi Shqipërinë. Ky postim u publikua nga një faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, që mban emrin “Tradita Shqiptare”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Pasi të klikohet në vegëzën e paraqitur në këtë postim, shihet se bëhet fjalë për tërmetin e muajit tetor 2023 që ishte regjistruar në Vlorë. (këtu)

Përmes një postimi të bërë me datë 28 prill u pretendua se në veri të Kosovës ndodhën tri shpërthime të fuqishme. Ky postim u publikua në Facebook nga faqja “Tradita Shqiptare”, e cila numëron mbi 48 mijë ndjekës. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky lajm nuk është aktual dhe se ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2023. (këtu)

Është publikuar një imazh nga takimi i vjetër i presidentit francez Emmanuel Macron me presidentin rus, me një mbishkrim që pretendon se lideri francez është shprehur se “Franca do të përdorë armë bërthamore kundër Rusisë, nëse është e nevojshme, pa hezitim!”. Ky imazh është publikuar dje (28 prill) nga faqja “The Reis” në Facebook. Por, pas kërkimit nga hibrid.info, është gjetur se Macron në fakt ka deklaruar se ai është i hapur për të diskutuar përdorimin e armëve bërthamore të Francës në mbrojtje të Evropës. (këtu)

Nëpërmjet një videoje është pretenduar për përplasje verbale mes këngëtares shqiptare Dua Lipa dhe tenistit serb Novak Gjokoviq. Pretendimi është bërë nga llogaria në Instagram, “Flamur Graca Goranci” më 19 prill. Videoja ka marrë mijëra pëlqime e qindra komente. Në video kjo llogari ka shkruar se Dua Lipa e ka demantuar Gjokoviqin se Skënderbeu është serb. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, del se tenisti Gjokoviq ishte përplasur me një tifoz në një nga ndeshjet e tij në turneun e tenisit “Australian Open” në janar. (këtu)

Me datë 3 maj u publikua një postim me pretendim se Italia u godit nga një tërmet i fuqishëm. Pretendimi u bë nga një faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe që mban emrin “Live News”. Lajmi për tërmet në Itali është i vjetër, i cili u gjet i publikuar në media me datë 27 prill. Pra, faqja “Live News” ka publikuar një lajm të vjetër të cilin e ka paraqitur rrejshëm si aktual. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Raportimi në disa media online në Kosovë më 28 dhe 29 prill për një vrasje të ndodhur në Duseldorf të Gjermanisë, ku dyshohet se të përfshirë ishin një shqiptar i Kosovës (i dyshuari për vrasje) dhe një person me nënshtetësi serbe (viktima e dyshuar), kanë publikuar të dhëna të paverifikuara për ngjarjen. Këta artikuj u publikuan nga portalet “Indeksonline.net”, “Botasot.info” dhe “Epokaere.com”. Në artikujt e tyre, portalet në fjalë vendosën një fotografi dhe të dhëna të një personi me anë të së cilave pretendohej se ai është viktima dhe se i njëjti quhet Aleksandar Stefanovic. (këtu)

Clickbait

Media lokale publikuan një artikull me titull “Mos u nisni për 1 Maj në Gërmi, Komuna e Prishtinës ka marrë një vendim të prerë”. Ky artikull me këtë titull u publikua nga portalet informative “Indeksonline.net”, “Veriu.info” dhe “Prishtinapress.org”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli i përdorur në artikujt e mediave të lartcekura është përgjithësues, pasi nuk sqaron se për çfarë vendimi të Komunës së Prishtinës bëhet fjalë. Përmbajtja e saktë sqarohet vetëm brenda artikujve, ku thuhet se “Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që me 1 Maj të ndalohet qarkullimi i makinave, në rrugën që të shpie te parku ‘Gërmia’”. (këtu)

Më 30 prill u publikua një postim me mbishkrimin “KUJDES! Shqipëria në rreth të kuq, rreziku vjen nga deti dhe qielli”. Ky pretendim u publikua në median sociale në Facebook nga faqja “Tradita Shqiptare”. Hibrid.info pas kontrollit të fakteve, ka vërtetuar se ky lajm është i vjetër, i publikuar me datë 7 tetor 2023 dhe se i njëjti u ri-publikua duke u paraqitur rrejshëm si aktual. (këtu)

“Top-Channel” ka publikuar të premten një artikull me titullin “Tronditëse, studentja lind fëmijën në tualetin e konviktit dhe e hedh në kosh: E lava, e mblodha me peshqir dhe…”. Artikulli i njëjtë është publikuar edhe nga mediume të tjera të lartcekura.  Pas verifikimit nga hibrid.info, del se në titull nuk është treguar vendi ku ka ndodhur ngjarja, edhe pse në përmbajtje tregohet se ajo ka ndodhur në Universitetin e Tampas në SHBA. (këtu)

Teori konspirative

Incidentin e mesnatës së të shtunës (27-28 prill) në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, ku raportohet se janë rrahur dy qytetarë serbë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e interpreton pa fakte si “tentativë për shtypje sistematike të serbëve me qëllim të spastrimit etnik”. Nëpërmjet një reagimi të publikuar në lidhje me ngjarjen, kjo zyrë pretendon se “regjimi ekstremist i Albin Kurtit është përgjegjës për këtë epidemi të dhunës”, dhe se “politika për shtypjen e serbëve e projektuar nga kabineti i tij në Prishtinë, po përhapet gjithnjë e më shumë në rrugë”. Hibrid.info pas kontrollit të fakteve, ka vërtetuar se deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk është gjetur qëllimi apo edhe se kush janë kryerësit e veprës. Incidenti i lartcekur nuk zë vend në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

Më 1 maj u publikua një postim përmes së cilit pretendohet se nga muaji tetor do të ketë rritje të pensioneve. Ky postim u publikua në Facebook nga faqja “Tradita Shqiptare”, e që deri në publikimin e këtij artikulli ka arritur të grumbullojë dhjetëra komente e reagime. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi për rritjen e pensioneve ka të bëjë me Shqipërinë dhe se i njëjti është i vjetër. Pra, faqja e lartcekur ka publikuar një lajm të vjetër me pretendimin ta paraqesë rrejshëm si aktual. (këtu)

Gabim

U pretendua se ekipi futbollistik Paris Saint-Germain ka fituar ndeshjen ndaj Borussia Dortmund në kuadër të Ligës së Kampionëve. Postimi u publikua më 2 maj nga portali informativ “Ntv.al” në faqen zyrtare në Facebook, me mbishkrimin “CHAMPIONS LEAGUE, PSG VIJON TRADITEN, MPOSHT DORTMUNDIN NE GJYSME FINALEN E PARE”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi është i pasaktë, pasi që ndeshja e mbrëmshme në kuadër të Ligës së Kampionëve u mbyll me fitoren e Dortmundit ndaj PSG, me rezultat 1-0. (këtu)

Mashtrim

Është pretenduar për mënyrën se si ka reaguar një komentator arab pasi ka parë një fanse me flamur kombëtar shqiptar në ndeshjen Bayern Munich – Real Madrid në Ligën e Kampionëve në mesjavë.  Videoja është publikuar nga llogaria “Vetëmsport24” në TikTok të mërkurën. “Mahnitet komentatori arab” ka shkruar “vetëmsport24”.   Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, del se audioja e përdorur në këtë video është gjetur në disa video-materiale të vjetra e që nuk ka të bëjë me ndeshjen Bayern – Real Madrid. (këtu)

Është publikuar një video-material në TikTok ku shihet ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump duke folur. Nëpërmjet kësaj videoje po pretendohet se Trump është deklaruar në favor të ndryshimit të emrit të Kosovës në Dardani. Pas ri-kërkimit të video-materialit të publikuar është gjetur se video-materiali është i manipuluar. (këtu)

Dy vegëza në formë imazhi janë gjetur të publikuara, me anë të cilave pretendohet se faqet e paraqitura ofrojnë kredi. Këto vegëza janë publikuar nga faqet “Cash Loan Center” (15 prill) dhe “2024 Quick Loans” (19 prill), në Facebook. Por, të dy këto faqe, pas klikimit, nuk mundësojnë shërbimin që pretendojnë se e ofrojnë. (këtu)

Manipulim i fakteve

Albanian PM puts Blinken in his place about Palestine” apo në shqip, “Kryeministri shqiptar i tregon vendin Blinkenit sa i përket Palestinës” thotë teksti që i është vendosur një video-materiali të shkëputur nga konferenca për media, pas takimit të zhvilluar në Tiranë, ndërmjet kryeministrit Edi Ramës dhe Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken. Videoja është gjetur e publikuar në Instagram, nga llogaritë “thisisappa” (8 prill) dhe “alhelou.y” (9 prill). Pas verifikimit të përmbajtjes, është gjetur se kryeministri Rama flet për kontekstin historik të rolit dhe qëndrimeve të Shqipërisë, në raport me Izraelin e Palestinën. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Është publikuar një vegëz, me anë të së cilës është pretenduar se mund të votojnë të gjithë ata që kanë qasje online, për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit në Ligue 1, në Francë, për të cilin në nominim është edhe futbollisti nga Kosova, Edon Zhegrova. Vegëza është gjetur e publikuar më 2 maj në facebook, nga llogaria e gazetarit të sportit, Arlind Sadiku. Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se çmimin në fjalë e ndan Unioni Kombëtar i Futbollistëve Profesionistë (UNFP), me votat e lojtarëve që luajnë në këtë ligë. (këtu)

Share With Others