Portali i dyshimtë me emrin “newsoner.site” ka publikuar dje (14 gusht) një artikull me titull “Zjarr në shtëpinë e të moshuarve, një i vdekur dhe 11 të lënduar”.
Në titullin e artikullit nuk është specifikuar vendi se ku ka ndodhur ngjarja.
Hibrid.info ka vërtetuar se në këtë rast, mos-specifikimi i vendndodhjes së ngjarjes në titull, lë mundësi për keqkuptime se ngjarja ka ndodhur në hapësirat shqip-folëse.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “newsoner.site”:
Artikulli është ndarë edhe në Facebook nga faqet “Gazeta ideal” dhe “Revista ideal” (shih këtu dhe këtu).
Hibrid.info ka vërejtur se në titullin e artikullit të publikuar nga “newsoner.site” nuk është saktësuar lokacioni i lajmit. Pas verifikimit është vërtetuar se vendi tregohet në përmbajtje, kur thuhet se: “Një shtëpi e të moshuarve në Itali është përfshirë nga flakët mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar vdekjen e një të moshuare dhe plagosjen e 11 të tjerëve.”.
Duke parë që artikulli është shkruar në gjuhën shqipe dhe se ndjekësit e faqeve të cilat e kanë shpërndarë në Facebook, janë kryesisht shqipfolës, hibrid.info ka gjetur se mungesa e vendndodhjes se ngjarjes në titull, mund të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për ndodhi në hapësirat shqip-folëse.
Po ashtu hibrid.info e ka gjetur edhe në mediat e huaja raportimin për ngjarjen, çka e dëshmon se lajmi ka ndodhur në Itali. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Portali i dyshimtë “newsoner” ka publikuar një artikull për një zjarr me persona të lënduar dhe 1 të vdekur në Itali, por që në titullin e artikullit ka munguar vendi se ku ka ndodhur lajmi, gjë e cila sipas hibrid.info në këtë rast, le hapësira për keqkuptime mbi vendndodhjen.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.