[email protected]
Disa nga keqinformatat që qarkulluan në mediat sociale për sulmin e Iranit ndaj Izraelit
shape
shape
shape

Përgatiti: Endrit Berisha

Në mbrëmjen e 13 prillit, Irani lansoi qindra dronë e raketa në drejtim të Izraelit, në atë që e cilësoi si hakmarrje ndaj Izraelit, të cilin e ka akuzuar se më herët gjatë muajit vrau shtatë zyrtarë iranianë në një sulm në konsullatën e Iranit në Damask të Sirisë.

Menjëherë pas nisjes së sulmit, disa llogari dhe faqe në media sociale, edhe në Kosovë u mbushën me materiale të paverifikuara, pamje të vjetra që u prezantuan si të reja e publikime të rrejshme. Të paktën gjashtë prej tyre janë trajtuar nga hibrid.info dhe janë vlerësuar si “përmbajtje të paverifikuara”.

Pamjet nuk paraqesin dronin iranian drejt Izraelit, video u realizua gjatë shkurtit në Siri

Më 14 prill, faqja në Facebook “Realiteti” publikoi një videomaterial në të cilin paraqitej një dron i bllokuar në linjat e energjisë elektrike. Materialit ia kishte vënë përshkrimin “Gogoli Iran: Një nga dronët iranianë të bllokuar në kabllot elektrike”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se videoja është e vjetër dhe se ngjarja ka ndodhur në qytetin sirian Abu Khashab. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë videomaterialin e njëjtë, të publikuar me datë 20 shkurt 2024 në median sociale X (ish Twitter).

Video nuk paraqet palestinezët duke festuar për sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “The Reis”, pati publikuar një videomaterial në mbishkrimin e të cilit thuhej “Gëzimi i palestinezëve në oborrin e Mesxhid al-Aksa kur dëgjuan lajmin për sulmin e Iranit ndaj Izraelit”.

Kontrollues faktesh nga Spanja “Maldita.es” kanë verifikuar video-materialin e njëjtë, por të publikuar në gjuhë të huaja. Ata kanë vërtetuar se videoja është e vjetër.  Videoja u realizua me datë 6 prill, ku rreth 120 mijë njerëz u dyndën në territorin e Xhamisë Al-Aksa në ditët e fundit të muajit të Ramazanit dhe nuk kishte të bënte me festë të pretenduar të palestinezëve për sulmet e Iranit.

Video e muajit tetor 2023 që i paraqet izraelitët duke u larguar nga aeroporti, paraqitet si aktuale

Sërish faqja “The Reis” në Facebook publikoi videomaterial me përmbajtje të paverifikuar. Më 15 prill, kjo faqe, me përmbajtje në gjuhën shqipe, publikoi një videomaterial në të cilin paraqitej një grumbull njerëzish në ambientet e një aeroporti. Faqja u mundua të paraqiste materialin si aktual duke pretenduar rrejshëm se pamjet paraqesin izraelitët duke u larguar nga Izraeli, siç thuhet në mbishkrim “nga frika se lufta do të përshkallëzohet”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet nuk janë aktuale dhe se të njëjtat janë realizuar në muajin tetor 2023, atëkohë kur nisi konflikti Hamas – Izrael.

Pamjet nuk paraqesin sulmin e Iranit kundër Izraelit, u realizuan në tetor 2023 në fillim të konfliktit Hamas-Izrael

Faqja “The Reis” ka pasur edhe një publikim me përmbajtje të paverifikuar për tensionet Iran-Izrael. Ajo publikoi më 14 prill një video me mbishkrimin “sistemi kundërajror në Tel Aviv u aktivizua”. Me këtë mbishkrim, faqja e lartcekur supozonte se pamjet tregojnë sulmin me dron të Iranit kundër Izraelit në natën e 13 prillit.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se video-materiali i publikuar nga faqja e lartcekur nuk është aktual dhe se i njëjti është realizuar me datë 12 tetor të vitit 2023.

Video-materiali nuk paraqet sulmin iranian ndaj Izraelit, u realizua në Krime gjatë muajit mars

Llogaria në Facebook, “Shpend Rrufeja” më 15 prill publikoi një videomaterial me mbishkrimin “Sulmi i Iranit ndaj Izraelit sonte”, duke pretenduar se pamjet tregojnë sulmin në natën e 13 prillit.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se videomateriali i publikuar nga llogaria e lartcekur nuk ka të bëjë me sulmin e Iranit kundër Izraelit, por se është realizuar me datë 24 mars të vitit 2024, në Sevastopol, qytetin më të madh në Krimenë e pushtuar nga Rusia, kur Ukraina pati lëshuar një raketë.

Video-materiali nuk paraqet izraelitët në panik duke vrapuar nëpër rrugët e Tel Avivit, u realizua në Buenos Aires

Faqja në Facebook “Shkup” ka publikuar me 14 prill një videomaterial në të cilin shihet turmë njerëzish duke vrapuar në rrugë. Në mbishkrimin e këtij video-materiali pretendohet se aty shihen banorët e Tel Avivit duke ikur nga shtëpitë e tyre nga frika e sulmeve të Iranit.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është realizuar në Buenos Aires, në Argjentinë, dhe se personat ë shihen në video nuk janë izraelitë duke ikur, por adhurues të këngëtarit britanik Louis Tomlinson që do të mbajë koncert në kryeqytetin argjentinas më 18 maj.

Share With Others

Leave a Reply