[email protected]
Vazhdon narracioni i pabazuar për dëbimin dhe persekutimin e serbëve që jetojnë në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) ka vazhduar me narracionin se serbët e Kosovës po përballen me dhunë të vazhdueshme në Kosovë.   

Më 7 maj, drejtori i ZKQS-së, Petar Petkoviq, i reagoi kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit e cilësoi propagandë narracionin e Serbisë në lidhje me sigurinë e serbëve të Kosovës.   


ÇKA THA KURTI? 

Kryeministri Kurti, më 6 maj, përmes platformës X, bëri një përmbledhje të rasteve të vrasjeve në Kosovë nga viti 2021 deri në vitin 2024, duke u thirrur në të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës.  

“Statistikat zyrtare të policisë tregojnë se nga viti ’21 deri në ’24, në Kosovë ka gjithsej 86 vrasje: 81 shqiptarë, 3 serbë dhe 2 etni të tjera. 3 serbë u vranë në ’22; 2 në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe një në Graçanicë. Për të tre vrasjet ka vetëm të dyshuar serbë. 

Në Mitrovicën e Veriut një serb dyshohet se ka vrarë babanë dhe vëllain e tij. Në Graçanicë, një serb dyshohet se e ka vrarë vëllain e tij.

Rasti Banjska është i veçantë ku 3 pjesëtarë paraushtarakë serbë vdiqën në shkëmbim zjarri me policinë pas vrasjes së oficerit të policisë Afrim Bunjaku më 24 shtator. 

Çdo person në Kosovë, vendor apo ndërkombëtar, e di: propaganda serbe për dhunën ndaj serbëve është pikërisht ashtu – propagandë. Faktet flasin vetë, duke hedhur poshtë gënjeshtrat tinëzare dhe duke zbuluar se deri ku do të shkonte një regjim autoritar për të mbjellë kaos”, ishte deklarimi i Kurtit në X. (shih këtu


ÇKA THA PETKOVIQI?  

Drejtori i ZKQS-së, Petar Petkoviq, iu kundërpërgjigj kryeministrit Kurti, duke thënë se ky i fundit po tenton ta arsyetojë dhunën fizike dhe ligjore ndaj serbëve të Kosovës.  

“Duke kriminalizuar veriun e Kosovës dhe Metohisë, Albin Kurti vazhdimisht po përpiqet të gjejë justifikim për dhunë fizike dhe ligjore ndaj serbëve, duke e mbikëqyrur këtë qëllimisht sipas statistikave zyrtare, të mbajtura nga Policia në Prishtinë, se veriu i Kosovës dhe Metohisë ishte pjesa më e sigurt e provincës.  

Përkeqësimi i situatës së sigurisë në veri të Kosovës dhe Metohisë është pasojë e drejtpërdrejtë e okupimit të Kurtit, gjë që e dëshmojmë çdo ditë, sepse falangat e tij terrorizojnë, qëllojnë mbi serbët, rrahin edhe fëmijët tanë!

Kurti s’bën të përmend se pjesëtari i tij i të ashtuquajturës FSK ka qëlluar vëllezërit Stefan dhe Millosh Stojanoviq, se ROSU ka qëlluar D. Galjak, M. Jovanoviq dhe S. Sofronijeviq në pragun e tij, dhe 3 serbë janë vrarë egërsisht në Banjskë, dhe gjetjet e autopsisë janë ende të fshehura!

Terrori për të cilin flasim nuk është incident, por shenjë e vazhdueshme e politikës së Kurtit dhe rikujtojmë se që nga ardhja e tij në pushtet kanë ndodhur më shumë se 500 incidente etnike kundër serbëve, KOS-it dhe pronës së tyre”, deklaroi Petkoviqi në X. (shih këtu


ÇKA THA LISTA SERBE? 

Me reagim doli edhe Lista Serbe që tha se kryeministri Albin Kurti është i obsesionuar me dëbimin e serbëve dhe se për ta arritur këtë qëllim i ka injoruar edhe nevojat e shqiptarëve. Kjo parti parlamentare në Kosovë akuzoi Kurtin për militarizim të veriut e kapje të pronave private të serbëve.

“Dhuna e vazhdueshme institucionale dhe sulme me motive etnike ndaj serbëve në Kosovë e Metohi nuk janë propagandë, por fatkeqësisht realiteti mizor në të cilin jetojnë njerëzit tanë nën regjimin e Albin Kurtit, obsesioni i të cilit për dëbimin e serbëve nga Kosova e Metohia ka arritur në atë shkallë sa që i ka neglizhuar nevojat e vetë shqiptarëve që e kanë votuar.  

Kurti e shënon mandatin e tij me informacionin se mbi 500 sulme me motive etnike kanë ndodhur ndaj serbëve, një pjesë e mirë e të cilave drejtpërdrejt nga pjesëtarët e institucioneve të Kosovës, policia dhe të gjithë të tjerët, dhe gjatë sundimit të tij të terrorit ka pasur gjak në duart e pjesëtarëve të policisë së Kosovës dhe të forcave të sigurisë së Kosovës, të djemve të rinj serbë si Stefani e Milos Stojanoviq nga Gotovusa, që u qëlluan në Ditën e Krishtlindjes. 

Fatkeqësisht, këto janë faktet që Kurti dëshiron t’i maskojë me gënjeshtrat dhe propagandën e tij dhe ta paraqesë veten dhe regjimin e tij në mënyrë tjetër, më të bukur, dhe këtë e bën për dy arsye të qarta, që të justifikojë kapjen e tokave private të serbëve dhe militarizimin e veriut, si dhe të gjithë dhunën që ushtrohet në vazhdimësi ndaj popullit serb.

Albin Kurti ka krijuar një lloj rrethi kriminal për persekutimin dhe shtypjen e serbëve. 

Kjo më së miri shihet në shembullin e Sreçko Sofronijeviqit. Falangat e Kurtit fillimisht qëlluan në drejtim të tij pa asnjë bazë a arsye dhe i shkaktuan lëndime të rënda trupore. E pastaj askush nuk kreu asnjë hetim e nuk vendosi për përgjegjësinë e atyre që qëllojnë shtetasin e civilin dhe kur e kuptuan se kjo nuk ishte e mjaftueshme që Sreçko ta linte Kosovën dhe Metohinë, ai u arrestua në sytë e familjes dhe po mbahet në paraburgim edhe sot e kësaj dite. 

Ka shembuj të serbëve të nderuar që nuk kanë dashur ta shesin trashëgiminë e baballarëve e gjyshërve, kështu që pas dy dekadash janë shpallur kriminelë lufte dhe pa asnjë dëshmi po mbahen në biruca nëpër Kosovë e Metohi. 

Shembuj të tillë ka me dhjetëra e qindra dhe ata janë jeta reale dhe mizore që serbët e jetojnë për shkak të regjimit të Kurtit dhe jo propaganda e ndokujt.  

Në anën tjetër, Kurti mund të kërkojë statistika nga asistenti i tij Sveçla, në mënyrë që të shohë se në rajonin e Veriut, derisa serbët ishin në polici, kishte më së paku krime të kryera dhe më të zbardhura nga të gjitha rajonet në Kosovë e Metohi”, thuhet në reagimin e Listës Serbe (shih këtu)


Analiza: 

Hibrid.info ka trajtuar edhe në të kaluarën narracionin e Qeverisë së Serbisë, gjegjësisht të ZKQS-së, ndaj situatës së sigurisë të serbëve të Kosovës. Në shumë raste, kjo zyrë rastet e dhunës ku të përfshirë janë serbët e Kosovës, i cilëson si raste me qëllim dëbimin e tyre nga Kosova, pa u mbështetur në asnjë fakt. (shih këtu, këtu dhe këtu). 

Edhe në pretendimin e fundit, pjesa më e madhe e reagimit të Petkoviqit nuk është bazuar në fakte. Ai thotë se Kurti po e kriminalizon pjesën veriore të vendit, pa e mbështetur këtë pretendim në asnjë fakt. Ai thotë gjithashtu se Kurti po tenton të gjejë arsyetime për “dhunën fizike dhe ligjore” ndaj serbëve, por as këtë pretendim nuk e bazon në asnjë fakt.  

Petkoviqi thotë po ashtu se “përkeqësimi i situatës në veri” është “pasojë direkte e okupimit të kryer nga Kurti”. As për këtë pretendim nuk bazohet në asnjë fakt, ndërsa vazhdon të pretendojë pa fakte se “falangat e tij terrorizojnë, qëllojnë mbi serbët, rrahin edhe fëmijët tanë!”.

Edhe Lista Serbe, parti parlamentare në Kuvendin e Kosovës, përsëriti pretendimet e Petkoviqit, pa asnjë fakt.  

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë si “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Leave a Reply