Dezinformatat dhe përmbajtjet e paverifikuara janë dy kategoritë që kanë dominuar ekosistemin keqinformues në Kosovës gjatë javës së kaluar.
Keqinformatat të cilat janë kategorizuar si dezinformatë janë publikuar kryesisht nga faqe në mediat sociale, përfshi video-materiale për konfliktin Izrael-Hamas.
Përmbajtjet e paverifikuara kanë përfshi video-materiale të publikuara në mediat sociale lidhur me konfliktin Izrael-Hamas.
Clickbait artikujt janë publikuar kryesisht nga portale informative lidhur me ngjarje tragjike pa treguar se bëhej fjalë për vende tjera dhe jo për Kosovë.
Përmbajtjet keqinformuese se Zvicra po kërkon punëtor dhe një video-material i ndërlidhur me konfliktin Izrael-Hamas janë vlerësuar si dezinformatë/clickbait.
Ndërsa, një fotografi e publikuar në mediat sociale ku shihen dy mjekë duke kryer një operacion në një objekt të shkatërruar, pretendon që paraqet qëndresën e Palestinës, është vlerësuar si përmbajtje e paverifikuar/dezinformatë.
Raportohet gabimisht për vlerën e gjobës së shqiptuar në dënimin e ministres së MINT, Rozeta Hajdari, për aksidentimin e një të miture (9 vjeçare) me veturë në prill të vitit të kaluar (2022).
Në TikTok është publikuar një video-material, që shfaq Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës, teksa flet në gjuhën arabe.
Lajmet e rreme janë publikuar në mediat sociale dhe portale të dyshimta për konfliktin Izrael-Hamas, respektivisht pretendimin se një mjek shqiptar shëron sëmundjen e diabetit për një ditë.
Në kontrollimin e deklaratave, është gjetur se nuk është mbajtur premtimi i kryeministrit Kurti për investime 70 milionë euro për Trepçën në dy vitet e para të qeverisjes së tij
Dezinformatë
Një faqe në Facebook me emrin “Tempulli” ka publikuar me datë 20 tetor një video-material me mbishkrimin “Protestuesit pro Palestinës sulmuan ambasadën izraelite në Bahrein”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është i vitit 2012 dhe paraqet skena të një sulmi të demonstruesve në një stacion policie në kryeqytetin e Bahreinit, Manama. (këtu)
Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “The Reis” ka publikuar një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin bombardimet e një rezervuari uji, afër të cilit shihen disa fëmijë. Duke u bazuar në postimet që kjo faqe bën gjatë ditëve të fundit, lë të nënkuptohet se e njëjta ka pretenduar se në video shfaqen bombardimet nga Izraeli, duke gjuajtur në fëmijë palestinezë afër një rezervuari uji. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video është realizuar në Sudan dhe paraqet pamjet e një sulmi me dron nga ushtria sudaneze kundër Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake. (këtu)
Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “Support for Erdogan from Presheva”, ka publikuar një video-material me pretendimin se Izraeli po arreston dhe kufizon të krishterët në Jerusalem. Gjithashtu, faqja e lartcekur pretendon se video-materiali është realizuar me datë 21 tetor të këtij viti. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet janë të vjetra. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Llogaria në Facebook “Al Khattab” me përmbajtje në gjuhën shqipe, ka publikuar një postim me imazhe të cilat shfaqin momente të bombardimeve, për të cilat autori pretendon se kanë ndodhur në Gaza. Autori i ka bashkangjitur imazheve mbishkrimin “Nata më e dhunshme që nga fillimi i agresionit kundër Gazës.. bombardime pa ndalesë. Dhjetëra dëshmorë dhe të plagosur ndodhen tani në të gjitha zonat e Rripit të Gazës”. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtëtuar se njëri nga imazhet shfaq pamje të vjetra të bombardimeve në Gaza. (këtu)
Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “Support for Erdogan from Presheva”, ka publikuar me datë 16 tetor një video-material ku shihet një tanker presioni duke kaluar nëpër ngushticën e Bosforit. Me anë të këtij video-materiali dhe një mbishkrimi në gjuhën turke, faqja e lartcekur ngrit pretendimin se shfaqet një armë e paidentifikuar, e prodhuar nga Turqia. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është gjetur se pajisja që shihet në video-materialin e publikuar nuk është armë. (këtu)
Portali informativ “Indeksonline.net” ka publikuar një artikull me pretendimin se përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka pësuar rënie në ranglistën e shtëpisë më të madhe të futbollit “FIFA”. Mediumi i lartcekur në këtë artikull shkruan se Kosova ka humbur gjashtë pozicione brenda një muaji duke u renditur tashmë në vendin e 111. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i “Indeksonline.net” është i pasaktë dhe se Kosova gjatë këtij muaji është ngritur për gjashtë pozita, nga e 111-ta në të 105-tën. (këtu)
Faqja në Facebook “Kopshte me lumturi”, e cila numëron mbi 60 mijë ndjekës, me datë 25 tetor ka publikuar një video material me mbishkrimin “Liri për Palestinën!”. Në këtë video-material shihen ndërtesa të shkatërruara, dhe që faqja e lartcekur pretendon se pamjet shfaqin shkatërrimin e Palestinës në konfliktin aktual Hamas-Izrael. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është realizuar në muajin shkurt dhe pamjet paraqesin shkatërrimin e qytetit turk Hatay pas tërmetit të 6 shkurtit. (këtu)
Dezinformatë / Clickbait
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një artikull me titull “Zvicra kërkon punëtorë – ja punët që kërkohen pa diplomë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk i përgjigjet përmbajtes. Pas klikimit në artikull, sqarohet se bëhet fjalë për pesë profesione në Zvicër, të cilat nuk kërkojnë diplomë, por që kanë disa kritere tjera. Gjithashtu, në asnjë rast nuk përmendet se Zvicra ka shpallur konkurs për vende të lira pune në këto profesione, siç pretendohet rrejshëm përmes titullit të artikullit të publikuar nga disa faqe në Facebook. (këtu)
Disa faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë publikuar imazhe që shfaqin re të mëdha tymi në disa vendbanime. Këto publikime me anë të mbishkrimit kanë pretenduar se imazhet paraqesin momente të bombardimeve aktuale në Gaza. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se imazhi i publikuara në këto postime, është shkrepur në vitin 2018. (këtu)
Clickbait
Mediumi informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “E rëndë/ Nëna vret dy fëmijët e saj binjakë”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se titulli është përgjithësues pasi nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet, ”Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në SHBA, ku një nënë dyshohet se ka vrarë dy fëmijët e saj binjakë, një djalë dhe një vajzë 5-vjeçare”. (këtu)
Mediumi informativ “Kosova-soti.nfo” ka publikuar një artikull me titull ”Policia ka arrestuar një person në kuadër të hetimeve për sulmin terrorist”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues sepse nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi sqarohet në përmbajtjen e artikullit, më saktësisht në kreun e tij, ku thuhet, ” Policia belge ka arrestuar një person në kuadër të hetimeve për sulmin terrorist të 16 tetorit në Bruksel, ku humbën jetën dy shtetas suedezë.” (këtu)
Mediumi informativ “Kosova-sot.nfo” ka publikuar artikull me titull “Shpëtohen mbi 1.000 mace, po transportoheshin për t’u shitur si mish qengji”. Ndërsa në postimin e bërë në Facebook këtij titulli i është shtuar mbishkrimi “Ç𝐤𝐚 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐞 𝐭𝐞𝐩ë𝐫𝐭 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐞 𝐭𝐞𝐩ë𝐫𝐭!”. Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues sepse nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Lajmi sqarohet në përmbajtjen e artikullit, më saktësisht në kreun e tij, ku thuhet se, “policia në Kinë ka shpëtuar më shumë se 1,000 mace nga therja dhe shitja si mish derri apo qengji”. (këtu)
Lajm i rremë
Faqja “Mesazhe Islame” në Facebok, e cila numëron mbi 26 mijë ndjekës, ka publikuar një fotografi në të cilën paraqiten dy gra të veshura me rroba ushtarake, e që njëra nga to shihet duke e i krijuar ushtares tjetër plagë të rreme në fytyrë me anë të grimit. Me anë të kësaj fotografie, faqja e lartcekur e ngrit pretendimin se gratë e paraqitura në imazh janë ushtare izraelite dhe me anë të grimit ato gënjejnë se janë të lënduara në konfliktin aktual Hamas-Izrael. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia është e realizuar në vitin 2012 gjatë ushtrimeve dhe testeve në ushtrinë izraelite. (këtu)
Faqja në Facebok “Atdheu Lajm” ka publikuar një artikull me titull “Lajm fantastik: Mjeku shqiptarë shëron sëmundjen e sheqerit për një ditë”. Në këtë artikull pretendohet se kirurgu kosovar, Arbër Morina është shprehur se shëron sëmundjen e diabetit për një ditë. Hibrid.info pas hulumtimit në llogarinë personale të Morinës në Facebook, ka gjetur se i njëjti ka demantuar këtë artikull, duke e quajtur si të rremë dhe se i njëjti nuk është bërë nga ana e tij. (këtu)
Gabim
Disa portale informative në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull ku në titull pretendohet se ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari është dënuar me 1 mijë e 250 euro, për goditjen e 9 vjeçares me veturë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk është i saktë, pasi që ministrja Hajdari është dënuar me 200 euro gjobë, dhe pjesa tjetër që përfshihet në pagesë hynë në shpenzimet e procedurës kundërvajtëse. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar / Dezinformatë
Mustafë Bajrami, nëpërmjet një imazhi të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ku shihen dy mjekë duke kryer një operacion në një objekt të shkatërruar, pretendon që paraqet qëndresën e Palestinës. Pas verifikimit të fotografisë me aplikacione që zbulojnë përmbajtjet me inteligjencë artificiale, thuhet se ka një probabilitet të lartë që imazhi të jetë krijuar me inteligjencë artificiale. (këtu)
Mashtrim
Llogaria në TikTok me emrin “kanalistat” ka publikuar një video-material, që shfaq Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës. Kryeministri Kurti degjohet teksa flet në gjuhën arabe, gjë të cilën e pretendon edhe mbishkrimi i vendosur video-materialit. Por pas verifikimi nga hibrid.info është vërtetuar se në video-material është ndërhyrë me anë të Inteligjencës Artificiale (AI). (këtu)
Kontrolli dhe vlerësimi i deklaratave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një vizitë realizuar në ndërmarrjen e Trepçës, më 20 tetor, pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, të vitit 2021, kishte premtuar se, brenda dy vjetëve të mandatit qeverisës, Qeveria që ai e drejton do t’i ndajë së paku 70 milionë euro investime për Trepçën. Nisur nga historiku i fondeve të ndara nga Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, për ndërmarrjen “Trepça”, (një shumë e ndarë prej 20 milionë eurosh ende nuk është realizuar), të cilat nuk arrijnë totalin e 70 milionë eurove, si dhe bazuar në deklaratën e zëvendës ministrit të Financave, Getoar Mjeku, i cili është shprehur se totali i investimeve nga kjo qeveri për Trepçën është 15 milionë euro, hibrid.info ka verifikuar se deklarata e 20 tetorit të vitit 2021, nga kryeministri Albin Kurti, për premtimin për investimin në fjalë, nuk është realizuar. (këtu)