[email protected]
Manipulimi i fakteve, shtrembërim i qëllimshëm i informacionit
shape
shape
shape

Manipulimi i fakteve i referohet shtrembërimit, keqinterpretimit ose ndryshimit të qëllimshëm të informacionit faktik për t’i shërbyer një agjende, këndvështrimi ose narracioni të caktuar. Kjo mund të ndodhë në forma të ndryshme, si në artikuj lajmesh, postime në media sociale, fjalime ose mjete të tjera komunikimi.

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Disa teknika të zakonshme të përdorura në manipulimin e fakteve përfshijnë:

Vjelja e qershisë (zgjedhja e fakteve konvenuese): Zgjedhja në mënyrë selektive vetëm disa fakte ose të dhëna që mbështesin një argument ose këndvështrim të caktuar, duke injoruar ose hequr informacione kontradiktore. P.sh. Pretendimet e Vuçiqit e Petkoviqit për pamundësinë e operimit të Policisë së Kosovë në veri. (këtu)

Kuotim ose keqpërdorim: Ndryshimi ose keqinterpretimi i citimeve ose atribuimeve për të mashtruar ose dezinformuar lexuesit ose shikuesit. P.sh. Në internet u publikua një video me pretendimin se deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se “ ALBIN KURTI MË MIRË DI TË FLAS SERBISHT SESA SHQIP”. Pas hulumtimit është gjetur se Selmanaj ka thënë që “Kurti më shumë intervista po jep në gjuhën serbe se sa shqipe”. (këtu)

Jashtë kontekstit: Paraqitja e informacionit faktik pa ofruar kontekstin ose sfondin e nevojshëm, i cili mund të shtrembërojë kuptimin ose implikimet e vërteta të informacionit. P.sh. Një video sekuencë po qarkullon në internet me pretendimin që Albin Kurti ka deklaruar më parë se “krimet më monstruoze i kanë bërë shqiptarët”. Pas verifikimit të fakteve shihet që video është prerë dhe deklarata është xjerrë jashtë kontekstit.(këtu)

Ekzagjerim ose hiperbolë: Përdorimi i gjuhës së ekzagjeruar ose hiperbolike për të sensacionalizuar ose shtrembëruar rëndësinë e fakteve, shpesh për të evokuar përgjigje emocionale. P.sh. Në internet është publikuar një fotografi nga ambienti i brendshëm i Aeroportit “Adem Jashari”, në të cilën shihet një fluks i madh i qytetarëve, duke pretenduar se qindra mërgimtarë po shkojnë nga Kosova”. (këtu)

Fabrikim: Krijimi i informacionit tërësisht të rremë ose imagjinar dhe prezantimi i tij si fakt, i cili mund të mashtrojë lexuesit ose shikuesit që të besojnë diçka që nuk është e vërtetë. P.sh. Mediumet në gjuhën serbe kanë fabrikuar faktin se e moshuara e dhunuar fizikisht në një shtëpi të pleqve në Pejë, që paraqitet në video-materialin e publikuar është e komunitetit serb. (këtu)

Pamje të manipuluara: Ndryshimi i imazheve ose videove, si p.sh. përmes redaktimit të fotografive ose redaktimit të videos, për të krijuar një përshtypje ose narracion të rremë. P.sh. Fotografia e vjetër e një meshe kishtare, paraqitet si imazh i grave shqiptare myslimane të mbuluara. (këtu)

Inkuadrimi i njëanshëm: Paraqitja e fakteve në një mënyrë të njëanshme për të promovuar një perspektivë ose agjendë të caktuar, duke minimizuar ose injoruar pikëpamjet e kundërta. P.sh. Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti të bëra së fundmi për mediat ndërkombëtare, duket se janë keqinterpretuar Petar Petkoviq, duke i cilësuar ato si “tundje armësh dhe thirrje për luftë”. Kurti për Reuters deklaron se: “nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, deklaratë që nuk le hapësirë për interpretimet e bëra nga Petkoviq. (këtu)

Manipulimi i fakteve mund të ketë pasoja të rënda, pasi mund të kontribuojë në përhapjen e dezinformatave, të gërryejë besimin në burime të besueshme informacioni dhe të shtrembërojë perceptimin publik për çështje ose ngjarje të rëndësishme. Është e rëndësishme të vlerësohet në mënyrë kritike informacioni, të kërkohen burime të shumta dhe të kontrollohen pretendimet e fakteve për të siguruar saktësinë dhe integritetin e informacionit të paraqitur.

Share With Others

Translate »