[email protected]
Rishikimi i javës: dezinformata për çmimet, fillimin e mësimit, dezinformata dhe manipulim të fakteve nga mediat serbe, lajme të rreme për trajnerin e kombëtares dhe presidenten e Kosovës
shape
shape
shape

Në javën që shkoi në keqinformimin në Kosovë kanë dominuar dezinformatat, në mënyrë specifike temat rreth rritjes së çmimeve në përgjithësi dhe të bukës në veçanti; paralajmërime për largim LVV; liberalizim i vizave e tema tjera.

Mediat serbe kanë dezinformuar dhe manipuluar me fakte rreth operimit të FSK-së në veri dhe kthimit të numrit të luftëtarëve që kanë luftuar në Siri.

Ka pasur një gabim ku Fuad Ramiqit i janë drejtuar si imam, ndërsa është bërë dhe një mashtrim me fotografi rreth një pretendimi që ndërlidhet me rap-artistin Gold AG.

Gjatë javës ka pasur lajme të rreme se Besnik Hasi do të emërohet trajner i kombëtares së Kosovës, se presidentja Vjosa Osmani i ka premtuar Bidenit se do ta marrë me vete Dua Lipën në takimin e përbashkët dhe se BE-ja ka angazhuar dy organizata (FES dhe EIP) për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe (ASK).


Dezinformatë

Portalet informative në Kosovë dhe Shqipëri kanë publikuar më 25 shtator një artikull duke pretenduar se në Kosovë është shtrenjtuar çmimi i bukës. Disa nga këto portale kanë pretenduar se çmimi për një bukë në Kosovë është rritur për 20 cent më shumë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, ky pretendim nga këto portale është vlerësuar të jetë i pasaktë, pasi në përmbajtje të këtij artikulli qartësohet se shtrenjtimi i bukës në 0.60 cent ka ndodhur vetëm në qytetin e Fushë Kosovës e jo në të gjithë Kosovën, siç lë të kuptohet përmes titullit. (këtu)

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull të “Radio Evropa e Lirë”, ku tregon se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në diskutim në rend të ditës më 13 tetor në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian. Ndërsa “Kosova-sot.info” në titullin e këtij artikulli ka pretenduar gabimisht se Kosova me 13 tetor mund t’i marr vizat. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”. (këtu)

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “news94times.com”, më 27 shtator, ka publikuar një artikull me titull “Sapo u dha lajmi papritur per qytetaret, Behuni gati se nga kjo dite do rriten cmimet edhe me shume”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky artikull përmban titull të rremë, i cili nuk përputhet me përmbajtjen. Në përmbajtje thuhet se në të dhënat e nxjerra nga data 21 deri 25 shtator nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, disa çmime të produkteve bazë kanë lëvizur (janë liruar dhe shtrenjtuar), e disa tjera kanë mbetur të njëjta. Pra, nuk ka ndonjë paralajmërim për rritjen e çmimeve siç pretendohet rrejshëm në titullin e këtij artikulli. (këtu)

Portali i dyshimtë “todaynews80.com” ka publikuar një deklaratë të deputetit të Vetëvendosjes, Visar Korenica, i cili ka siguruar se nuk do të largohet nga kjo parti, duke mohuar disa raportime në medie se është pjesë e një grupi deputetësh që mund ta braktisin partinë në pushtet. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i dyshimtë i ka vënë titull të rremë me pretendimin se Vetëvendosje ka paralajmëruar për largimin e disa anëtarëve të saj. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerësoi këtë artikull si “Dezinformatë”. (këtu)

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “todaynews80.com” ka publikuar një artikull me titull “Mesimi do te filloj ja data!”. Hibrid.info pasi ka verifikuar faktet në këtë artikull, ka vërtetuar se titulli është i sajuar dhe nuk përputhet me përmbajtjen. Lajmi ka të bëjë me kërkesën e SBAShK-ut drejtuar anëtarësisë për pezullimin e grevës deri në janar, e të fillohet me mësim nga data 3 tetor.(këtu)

E përditshmja serbe “Novosti” ka hedhur pretendimin se fondacioni gjerman FES dhe instituti evropian EIP janë angazhuar nga ana e BE-së për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe (AKS). Përfaqësuesit e BE-së e kanë mohuar pretendimin e angazhimit të dy organizatave për hartimin statutit të AKS-së. Edhe përfaqësuesit e organizatave të lartcekura e kanë mohuar se i është kërkuar një angazhim i tillë nga BE, qeveria gjermane apo palë tjetër, dhe se diskutimi i kësaj teme ka qenë i brendshëm me të dhëna publike. Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punës vlerëson se pretendimet e bëra klasifikohen si “Dezinformatë”. (këtu)

Portali i dyshimtë “mërgimtari.net” ka publikuar një artikull të vjetër të vitit 2020 me pretendimin ta paraqesë atë si aktual. Lajmi kishte të bënte me shtetin gjerman kur kishte vendosur për paketën e parë të reformës së migracionit ku përfshihej pezullimi i përkohshëm i dëbimit të personave pa të drejtë qëndrimi. Pas analizës së kontrollit të fakteve përmes metodologjisë së punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “dezinformatë”. (këtu)

Dezinformatë dhe manipulim i fakteve

E përditshmja serbe “Novosti” hedh pretendime për patrullim të FSK-së në zonën e Zubin Potokut sipas, siç theksohet, burimeve jozyrtare. Pretendimin e gazetës e ka përgënjeshtruar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, nëpërmjet një reagimi në llogarinë e tij në Facebook. Për pretendimet e pabaza të gazetës kanë reaguar edhe subjekti politik serb “Lista Serbe” (Sprska Lista) dhe shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të cilët e kanë cilësuar si shkelje e marrëveshjes së 2013-tës, të garantuar nga NATO. Në dokumentet e konsultuara dhe të trajtuara nga hibrid.info, pretendimi i zyrtarëve serbë nuk qëndron dhe se, marrëveshja e vitit 2013, e garantuar nga KFOR-i nuk përfshinë të gjitha formacionet e armatosura, por vetëm FSK-në. Për këtë arsye, hibrid.info i vlerësoi këto pretendime si “Dezinformatë” dhe “Manipulim të Fakteve”. (këtu)

Nga e përditshmja serbe “Alo.rs” është hedhur pretendimi se po planifikohet kthimi i shqiptarëve që kanë luftuar për ISIS-in, ku ndër të tjera thuhet se rreth 300 persona akoma gjenden atje. Pretendimet e gazetës serbe nuk qëndrojnë për faktin se nuk po planifikohet një kthim i të mbeturve në Siri dhe se numri i të mbeturve atje nuk është sa pretendon gazeta në fjalë. Në bazë të hulumtimit të bërë, hibrid.info vlerëson se pretendimet e bëra nuk qëndrojnë dhe klasifikohen si “dezinformatë” dhe “manipulim i fakteve”. (këtu)

Gabim

Portali “Kosovapost.net” ka publikuar një artikull me pretendimin se basketbollistet e Malit të Zi janë rrahur mes vete pas ndeshjes me Serbinë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, ky portal rezulton se gabimisht ka pretenduar që basketbollistet janë nga Mali i Zi. Por në fakt, sportistet e përfshira në këtë përleshje janë nga shteti afrikan – Mali. (këtu)

Në disa media online, në lidhje me një deklaratë të bërë, Fuad Ramiqi është quajtur “imam”. Bazuar në hulumtimin e bërë del që Ramiqi nuk është dhe nuk ka shërbyer si imam. Ai ka një formim ushtarak dhe ka qenë i angazhuar në skenën politike, ndërsa sot merret me analiza të sigurisë. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Gabim”. (këtu)

Mashtrim

Fotografia e vjetër e vitit 2014 në të cilën shihet Gold AG së bashku me një person tjetër (Enis Presheva) është publikuar nga llogaria e personit Malsor Grajqevci në Facebook, e cila mban përshkrimin “Gold Ag: Elhamdulilah, Serbia s’po na e ndalon shaminë, siç po na ndalojnë në KosovË”. Kjo fotografi dhe komentet e bëra në këtë llogari në Facebook, janë përdorur nga portalet e dyshimta të cilat kanë krijuar artikuj me pretendimin se kjo deklaratë është bërë nga këngëtari Gold AG. Pas analizës së kontrollit të fakteve, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Mashtrim”. (këtu)

Lajm i rremë

Faqja në Facebook me emrin “Korneri.net” ka publikuar dje (26 shtator) një postim me pretendimin se Besnik Hasi pritet të emërohet trajner i përfaqësueses së Kosovës në futboll, pas largimit të trajnerit aktual Alain Giresse. Këtë pretendim, kjo faqe mundohet ta ndërlidhë me dorëheqjen eventuale të trajnerit aktual Giresse, duke pretenduar se “askush nuk është i kënaqur me të arriturat e tij në FFK, andaj Hasi do ta marr në dorë Kosovën për kualifikimet e ardhshme evropiane që nisin në muajin mars”. Megjithatë, këto pretendime nuk bazohen në fakte ose burime relevante që do ta mbështesnin atë. (këtu)

Portali informativ në gjuhën shqipe “Albanian Post” ka pretenduar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar letër për takim presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, dhe për të siguruar takimin i ka premtuar presidentit amerikan se do ta marr me vete këngëtaren e mirënjohur botërisht, Dua Lipa. Ky pretendim është përgënjeshtruar nga zyra e presidencës duke thënë se të gjitha letrat dërguar presidentit Biden janë publike dhe ato asnjëherë nuk kanë pasur përmbajtje të tillë ku apostrofohet Dua Lipa. Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info vlerëson se pretendimet e bëra nga portali informativ “Albanian Post” vlerësohen si “lajm i rremë”.. (këtu)

E përditshmja serbe “Novosti”, duke u thirrur në burime diplomatike ka hedhur pretendimin se fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” dhe Instituti Evropian për Paqe janë duke hartuar statutin e Asociacionit. Pas publikimit të artikullit në gazetën serbe, kanë reaguar të apostrofuarit në artikull nëpërmjet një deklarate të përbashkët, nëpërmjet së cilës e mohojnë një gjë të tillë, duke theksuar se nuk i është kërkuar nga EUSR Miroslav Lajçak, qeveria gjermane apo ndonjë palë tjetër për të zhvilluar një statut për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punës, vlerëson se ky medium serb në këtë artikull ka hedhur pretendime të sajuara dhe vlerësohet si “Lajm i rremë”. (këtu)

Portali i dyshimtë “Portalimomenti.com” ka publikuar një fotografi të një imami të shkëputur nga një video, me anë të së cilës pretendohet rrejshëm se ai është imam shqiptar i cili keqpërdor gratë. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim i këtij portali të dyshimtë është i rremë. Imami vepron në Britani të Madhe dhe ka prejardhje nga Kurdistani, ndërsa imazhi është marrë nga një video e publikuar në mediumin britanik “Express.co.uk”. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.(këtu)

Clickbait

Portali informativ “Paparaci.com” ka publikuar dje (29 shtator) një artikull me titull “Ali Gashi nga BSPK-ja kyçet në emision, tregon kur fillon mësimi”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk është i saktë dhe nuk i përgjigjet përmbajtjes. Pra, Gashi nuk ka treguar se kur fillon mësimi, siç pretendohet në titullin e këtij artikulli. (këtu)

Share With Others