[email protected]
Rishikimi i javës: Dezinformata nga Zaharova për intervenimin e NATO-s më 1999 dhe trazirat e Marsit 2004, lajm i rremë për vdekjen e djalit të Ardit Gjebreas, përmbajtje mashtruese me produktin “mjaltë për potencë”
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me dominimin e dezinformatave në ekosistemin keqinformues.

Dezinformatat janë publikuar në media, portale të dyshimta dhe media sociale ndërlidhur me tema të ndryshme si: pretendimet e Maria Zaharova, zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, lidhur me përvjetorin e intervenimit të NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe trazirat e marsit në Kosovë më 2004; se shqipja është gjuha e parë e huaj më e folur, ose gjuhë e 5-të zyrtare në Zvicër; se ambasadori i SHBA-së në Beograd, Cristofer Hill ka deklaruar se SHBA është bërë pishman që e bombardoi Serbinë; si dhe një imazh, që paraqiten në prani të njëri tjetrit Albin Kurti, kryeministri e Kosovës me ish-kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica.

Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në rrjete sociale ku pretendohet për një produkt “mjaltë për potencë 100 natyral”, i cili del të përmbajë ilaçe.

Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale dhe portale të dyshimta, ku pretendohet rrejshëm për vdekjen e djalit të artistit Ardit Gjebrea dhe një nga balerinat e programit që udhëhiqet nga ai; pretendohet rrejshëm se politikania, Monika Kryemadhi vuan nga kanceri.

Clickbait artikujt janë publikuar në portale informative ndërlidhur me artikullin me pretendimin se ja kur e ka rradhën Kosova, sipas Vladimir Putinit; si dhe Kosova pritet të bëhet me teleskopin më të madh diellor, flet astronomia kosovare Pranvera Hyseni.

Përmbajtje e paverifikuar janë vlerësuar postimet në rrjete sociale ndërlidhur me publikimin e imazhit të gjeneruar me inteligjencë artificiale për konfliktin Izrael-Hamas; si dhe pretendimi e pabazë se Turqia i ka dhuruar si donacion artileri të rëndë ushtarake Kosovës.

Përmbajtje e paverifikuar/dezinformatë është vlerësuar postimi në rrjete sociale me një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin shërbimin ushtarak në Kiev (Ukrainë) duke rekrutuar me forcë një qytetar.

Mashtrim

Disa faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë hedhur në shitje një produkt me mbishkrimin “MJALTË PËR POTENCË”, duke pretenduar se i njëjti është produkt 100% natyral. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se produkti në fjalë i quajtur “Themra Epimedyumlu Bitkisel Karisimli Macun”, nuk është 100% natyral dhe se i njëjti përmban ilaçe. (këtu)

Disa faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe, kanë hedhur në shitje një produkt “MJALTË PËR POTENCË”, e cila mban emrin “Wonderful Honey”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se produkti në fjalë i quajtur “Wonderful Honey” nuk është 100% natyral dhe se nuk preferohet të përdoret nga të gjithë, gjë e cila nuk specifikohet në përshkrimin e këtij produkti të hedhur në shitje nga disa faqe në Facebook. (këtu)

Lajm i rremë

Një kanal në YouTube ka publikuar një video-material, përmes titullit të së cilit, pretendohet se ka vdekur djali i Ardit Gjebreas. Pas verifikimit të fakteve është kuptuar se videoja tregon për një reagim publik (i cili nuk është gjetur) të Gjebreas në rrjetet sociale, pas vdekjes së një 19 vjeçari në Fier. Po ashtu të dhënat e gjetura nga hibrid.info, tregojnë se djali i Ardit Gjebreas nuk ka ndërruar jetë. (këtu)

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “belmouth.com” ka publikuar (18 mars) një artikull me titull “PËRLOT Monika Kryemadhi – Po VDES, jam me Kancer prej shumë kohësh dhe….”. Në artikull gjendet një video-material i publikuar në platformën Youtube.com, në të cilin lexuesja e raportit që i është bashkangjitur videos në fjalë, tregon se në të kaluarën, Monika Kryemadhi, bashkëshortja e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte vuajtur nga sëmundja e kancerit. Pra, portali i dyshimtë “belmouth.com” ka pretenduar rrejshëm se Kryemadhi ka deklaruar se aktualisht po vuan nga kjo sëmundje. (këtu)

Një llogari në median sociale Facebook me emrin “Blerta Pupi Mile” ka publikuar (18 mars) një postim me pretendimin se familja mbretërore britanike “Buckingham Palace” ka njoftuar për vdekjen e mbretit Charles III. Ky pretendim i rremë për vdekjen e mbretit Charles III është publikuar edhe në platformën X (ish-Twitter) nga një llogari në gjuhën ruse “GazetaRu”. (këtu) Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi për vdekjen e mbretit Charles III është i rremë. Platforma për kontroll faktesh nga Spanja “Newtral.es” ka marr përgjigje nga “Buckingham Palace”, në të cilën thuhet se “madhështia e tij vazhdon me punët e tij zyrtare dhe private”. (këtu)

Një kanal në YouTube me emrin “Perditesuesi” ka publikuar (1 mars) një video-material, të titulluar “DO NGELESH NE ZEMRAT TONA!Andresa i jep fund jetes!”. Video-materiali në fjalë, pretendon se prezantuesja braziliane e cila jeton në Shqipëri, e njohur nga programi televiziv “E diela shqiptare”, i ka dhënë fund jetës. Por, verifikimi i fakteve nga hibrid.info, ka hedhur poshtë pretendimin e lartcekur. Video-materiali në fjalë, deri në momentin e trajtimit, numëron afër 284 mijë shikime, ndërsa, kanali që e ka publikuar ka 14 mijë e 700 ndjekës. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar (18 mars) një artikull të titulluar, “Ja kur e ka rradhën Kosova, sipas Vladimir Putinit”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se në përmbajtje të këtij artikulli, informatat e paraqitura në titull janë bazuar nga deklarata e një ish-zyrtareje të Agjencisë së Inteligjencës dhe Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rebekah Koffler, gjë e cila nuk sqarohet në titull. Mos saktësimi i informatës në titull se ajo paraqet një deklaratë apo citim, nënkuptohet dhe lexohet si një informacion i ndodhur. (këtu)

Portali informativ “Telegrafi.com” ka publikuar (20 mars) një artikull me titull “Kosova pritet të bëhet me teleskopin më të madh diellor, flet astronomia kosovare Pranvera Hyseni”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk përputhet me përmbajtjen. Në përmbajtje të artikullit bëhet e ditur se teleskopi për të cilin flet astronomia, Pranvera Hyseni, është një nga më të mëdhenjtë, në krahasim me vendet e tjera të Gadishullit Ballkanik, gjë e cila nuk sqarohet në titull. (këtu)

Dezinformatë

Portali i dyshimtë me përmbajte në gjuhën shqipe “xnews7.com” ka publikuar (18 mars) një artikull me titull “Zhduket një nxënës, babai publikon foto dhe bën thirrje për gjetjen e tij”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi për zhdukjen e një nxënësi në Prizren, është i vjetër, i publikuar me datë 11 mars. Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinave online të kërkimit dhe ka vërtetuar se fëmija që ishte raportuar i zhdukur me datë 11 mars, i njëjti është gjetur po atë ditë. (këtu)

Portali “lecanton27.ch”, i vetëquajtur si gazeta e parë shqipe në Zvicër ka publikuar (19 mars) një artikull të titulluar “Shqipja gjuha e parë e huaj më e folur, ose gjuhë e 5-të zyrtare në Zvicër ?” Hibrid.info ka verifikuar dhe ka gjetur se ndryshe nga titulli, në kreun e artikullit thuhet se gjuha shqipe, është gjuha më e folur në Zvicër. Por, hibrid.info ka vërtetuar se gjuha shqipe, nuk është as gjuha e huaj më e folur, ashtu siç pretendohet në titull, e as gjuha më e folur në Zvicër, siç paraqitet në hyrje të këtij artikullit. (këtu)

Në mediat ruse shërbimet në gjuhën serbe është publikuar një deklaratë e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, lidhur me përvjetorin e intervenimit të NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe trazirat e marsit në Kosovë më 2004. Lidhur me intervenimin e NATO-s, Zaharova pretendon se janë hedhur 3000 raketa dhe 80000 ton bomba. Ndërsa, për trazirat e marsit 2004, Zaharova deklaron se viktima ka pasur vetëm nga ana e serbëve dhe etnive jo shqiptare. Bazuar në faktet e publikuara në raportet ndërkombëtare lidhur me ngjarjet e mësipërme, del që pretendimet e Zaharova-s nuk qëndrojnë. (këtu)

Portali informativ me emrin “ntv.al” ka publikuar (22 mars) një artikull, me titull “SHBA pishman që bombardoi Serbinë, deklarata e madhe e ambasadorit Hill”. Pas verifikimit të përmbajtjes së artikullit nga hibrid.info, është gjetur se informacioni i dhënë në titull, që pretendon se SHBA-të janë penduar për bombardimin e Serbisë, paraqet interpretimin e një prej ekspertëve të sigurisë të cituar në artikull, të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre mbi një deklaratë e ambasadorit të SHBA-ve në Beograd, Christopher Hill. Përveç se në titull nuk specifikohet që informacioni paraqet interpretim të deklaratës së ambasadorit, ajo është shkruar në formën e një deklarate të ardhur nga vet ambasadori. (këtu)

Një llogari në Facebook me emrin “Shemsi Pllana” ka publikuar një imazh, që paraqiten në prani të njëri tjetrit Albin Kurti, kryeministri e Kosovës me ish-kryeministrin e Serbisë, Vojisllav Koshtunica. Imazhi është publikuar në një grup publik në Facebook, me 4 mijë e 600 anëtarë, që mban emrin “Diaspora me PDK”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë imazhin origjinal duke vërtetuar se fotografia e publikuar është e montuar. (këtu)

Clickbait/dezinformatë

Faqja me emrin “Live News” në Facebook ka publikuar (21 mars) një artikull me titull “E premtja sjell tufan, rrebesh shiu dhe borë! Termometri ulet me disa gradë”. Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli i ndarë nga kjo faqe në Facebook, është publikuar në ueb-faqen e portalit të dyshimtë “livenews10.com”, më 17 nëntor të vitit të kaluar (2023). Mos qartësimi i kontekstit kohor të informacionit të publikuar, e bën titullin përgjithësues, ndërsa po ashtu, duke u bazuar edhe në numrin e ndjekësve të faqes (73 mijë), hibrid.info vlerëson se artikulli mund të lexohet nga një numër i konsiderueshëm i lexuesve, të cilët mund ta marrin lajmin si të mirëqenë. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Faqja në Facebook me emrin “The Reis” ka publikuar një imazh (21 mars) ku shihet një fëmijë më duke fjetur në një ambient me baltë. Ky imazh përmban në vete mbishkrimin “PA FJALE 😢😢😢”. Meqenëse faqja në periudhën e fundit publikon përmbajtje që ndërlidhen me gjendjen aktuale në rripin e Gazas, imazhi i publikuar lë të nënkuptohet se paraqet gjendjen e fëmijëve atje. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky imazh nuk është real dhe se i njëjti është krijuar me anë të inteligjencës artificiale. (këtu)

Faqja në Facebook me emrin “Lajme Nga Bota” ka publikuar me 15 mars një postim me pretendimin se Turqia i ka dhënë donacion artileri të rëndë Kosovës, përfshirë këtu 5 ObusTanke M52T të modernizuara, me vendim të nënshkruar nga presidentët e dy shteteve. Përkundër faktit se në postim thuhet që bëjnë të ditur mediat turke, gjatë kërkimeve të bëra nga hibrid.info, nuk është gjetur ndonjë lajm ndërlidhur me pretendimin e mësipërm. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/dezinformatë

Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “The Reis” ka publikuar një video-material me pretendimin se pamjet paraqesin shërbimin ushtarak në Kiev (Ukrainë) duke rekrutuar me forcë një qytetar. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur video-materiali i njëjtë i publikuar në mediat online në Ukrainë, ku thuhet se nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje dhe se policia e patrulluese në qytetin Chernitvsi ka nisur një hetim zyrtar. Gjithashtu, në mediumin online ukrainas “molbuk.ua”, thuhet se video është xhiruar në qytetin Chernivstsi, e jo në Kiev, siç pretendohet nga faqja “The Reis” në Facebook. (këtu)

Share With Others