[email protected]
Rishikimi i javës: pretendohet pa fakte për numrin e shqiptarëve në të gjithë botën, mashtrim se Kryqi i Kuq ofron ndihmë për diabetikët, teori konspirative nga Vulin se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është kontribut për krijimin e “Shqipërisë e Madhe”
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Dezinformatat dhe përmbajtjet mashtruese janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Dezinformatat u publikuan në faqe në media sociale dhe portale informative, ndërlidhur me pretendimin se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një tubim në Greqi pa pëlqimin e autoriteteve greke; se Zvicra po kërkon mijëra punëtorë. Është pretenduar ndërlidhje në mes të ndalimit të vizitës së patriarkut Porfirije në Kosovë dhe sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Përmbajtjet mashtruese u publikuan nga faqe në media sociale, për mundësi të blerjes së banesës në Gjakovë përmes kredisë hipotekare; për ndihmë nga Kryqi i Kuq i Kosovës për personat që vuajnë nga diabeti; për hapjen e një konkursi pune, ku kërkohen 100 paketues aparatesh medicinale.

Clikcbait/Dezifnormatë është vlerësuar artikulli i publikuar në një portal informativ ku, nëpërmjet titullit pretendohet se futbollisti shqiptar, Armando Broja, është transferuar në një nga klubet në Serie A në Itali.

Teori konspirative është vlerësuar deklarata e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ka pretenduar pa fakte se pranimi i mundshëm i Kosovës në Këshill të Evropës është kontribut për krijimin e asaj që ai e quan “Shqipëri e Madhe”; si dhe pretendimi se në një video-material të publikuar në media sociale shihen makineri që po marrin rërën nga shkretëtirat e Afrikës, duke e përhapur në atmosferë, për të ndotur ajrin.

Përmbajtje të paverifikuara janë vlerësuar pretendimet e publikuara në media sociale se në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë mbërritur 33 automjete ushtarake “BMC Vuran” nga Turqia; se numri i shqiptarëve në të gjithë botën është 18,2 milionë.

Manipulimi i fakteve është publikuar në media sociale, ku nëpërmjet një video-materiali, që shfaq momentin e arrestimit të një zyrtari të komunës së Gjilanit, i dyshuar për korrupsion, pretendohet se i njëjti është i afërt me kryetarin aktual të Gjilanit, Alban Hysenin.

Artikujt clickbait janë publikuar në portale informative lidhur me pretendimin se gjashtë futbollistë me prejardhje shqiptare do të jenë pjesë e kombëtares së Zvicrës në Kampionatin Evropian; si dhe artikull për një rast tragjik, në titullin e së cilit nuk bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes.

Lajm i rremë u vlerësua pretendimi përmes një video-materiali se Putin ka thënë se do ta sulmojë Shqipërinë.

Dezinformatë

U pretendua se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një tubim në Greqi pa pëlqimin e autoriteteve greke. Kjo përmbajtje u publikua më 13 maj nga një llogari në median sociale “Telegram” me përmbajtje në gjuhën serbe. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi i bërë nga llogaria e lartcekur, nuk qëndron. Duke u bazuar në raportimet në mediat greke thuhet se vizita e Edi Ramës ishte private pa karakter zyrtar, dhe se Qeveria e Greqisë nuk e ka ndaluar këtë tubim. (këtu)

U publikua me datë 14 maj një artikull me pretendimin se Zvicra po kërkon mijëra punëtorë. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se ky artikull është i vitit 2022 dhe i njëjti u mundua të paraqitet rrejshëm si aktual. (këtu)

Është pretenduar ndërlidhje në mes të ndalimit të vizitës së patriarkut Porfirije në Kosovë dhe sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. “Harroni heqjen e sanksioneve, Stano për ndalimin e hyrjes së Porfirie” është titulli që portali “ntv.al” ka publikuar më 15 maj.  Artikulli i vetë mediumit nuk përkon me titullin. Në përmbajtje të artikullit s’ka pasur asnjë ndërlidhje të ndalimit të vizitës së Porfirijes me vazhdimin e masave ndaj Kosovës. (këtu)

Clickbait/Dezinformatë

Përmes titullit në një artikull është pretenduar se futbollisti shqiptar, Armando Broja, është transferuar në një nga klubet në Serie A në Itali. Portali informativ “futbolli.al” ka publikuar më 11 maj artikullin me titull: “Bomba e merkatos së verës, Armando Broja transferohet në Serie A”. Titulli se sulmuesi Broja është transferuar në Serie A nuk është i saktë. Edhe vetë artikulli i “futbolli.al” tregon se, sipas raportimeve, Milani është klubi i cili synon ta huazojë sulmuesin nga Shkodra gjatë verës. Megjithatë, zyrtarisht lojtari në kohën kur po raportohet, vazhdon të jetë pjesë e Fulhamit, si i huazuar nga Chelsea londinez. (këtu)

Teori konspirative

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka pretenduar pa fakte se pranimi i mundshëm i Kosovës në Këshill të Evropës është kontribut për krijimin e asaj që ai e quan “Shqipëri e Madhe”. Katër mediume në gjuhën serbe “kurir.rs”, “novosti.rs”, “telegraf.rs” dhe “politika.rs” kanë transmetuar një deklaratë të Vulinit më 13 maj. Të katër mediumet e lartëpërmendura kanë cituar deklaratën e njëjtë të Vulinit si kundërpërgjigje të vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Athinë të Greqisë të dielën. Duke e cilësuar si promovim të “Shqipërisë së Madhe”, Vulini, siç raportohet, ka thënë se atë “vetëm serbët dhe bota serbe mund ta ndalin, por edhe grekët”. (këtu)

Makineri që po marrin rërën nga shkretëtirat e Afrikës, duke e përhapur në atmosferë, për të ndotur ajrin. Ky është pretendimi i një video-material të publikuar me datë 4 prill, nga llogaria me emrin “dardangashi505”, në Instagram. Por, hibrid.info ka gjetur se pamjet e shfaqura nuk paraqesin shkretëtirat e Afrikës dhe se në të njëjtat tregohet puna e disa makinerive bujqësore në Brazil. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Është pretenduar se në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë mbërritur 33 automjete ushtarake “BMC Vuran” nga Turqia. Pretendimi është bërë nga faqja në Facebook “Diaspora me Albinin” nëpërmjet një postimi të publikuar të dielën (12 maj). Megjithatë, pas kërkimit nga hibrid.info del se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga institucionet për numrin e këtij lloji të armëve që e posdon FSK-ja dhe se përmbajtja është e paverifikuar. (këtu)

Nëpërmjet një artikulli të publikuar në Facebook është pretenduar se numri i shqiptarëve në të gjithë botën është 18,2 milionë. Portali “kercova.net” ka bërë publikimin në faqen në Facebook të enjten (16 maj). “Të gjithë shqiptarë janë gjithsej 18.2 milionë..”, mban titullin artikulli dhe postimi në Facebook. Pas verifikimit nga hibrid.info del se ky postim çon në artikull të vjetër, me përmbajtje të marrë nga një forum, e që s’ka burim të bazuar në fakte. (këtu)

Mashtrim

U publikua më 13 maj një kampanjë për mundësi të blerjes së banesës në Gjakovë përmes kredisë hipotekare. Postimi u publikua në Facebook nga faqja “Kredi personale”. Hibrid.info ka verifikuar faktet rreth kësaj kampanje, ku është vërtetuar se kjo faqe ka publikuar postimin që paraqet njoftim të rremë, duke i vendosur edhe një vegëz e cila dërgon në hapësirën e mesazheve private në këtë faqe. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të vërtetoi se faqja “Kredi personale” postimin e ka marrë nga njoftimi i bankës “Raiffeisen” në Kosovë, të cilit më pas i ka larguar logon identifikuese. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar për ndihmë nga Kryqi i Kuq i Kosovës për personat që vuajnë nga diabeti. “Dismal Unequaled”, llogari në Facebook, ka publikuar një postim më 13 maj në të cilin ka bërë thirrje që njerëzit që kanë diabet të bëjnë kërkesë për të marrë ndihmë nga Kryqi i Kuq. “Fondacioni i Kryqit të Kuq për Diabet. Çdo diabetik që do të bëjë kërkesë sot do të marrë ndihmë nga kryqi i kuq”, thuhet në përshkrim të fotografisë së publikuar në Facebook nga kjo llogari, shoqëruar me flamurin e Kosovës. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se postimi përdor fotografi të vjetra nga vende të huaja e se klikimi në artikull çon në faqe të dyshimtë me artikull të rremë. (këtu)

Është gjetur e publikuar një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, në mbishkrimin e së cilit pretendohet se është hapur një konkurs pune, ku kërkohen 100 paketues aparatesh medicinale. Vegëza është publikuar (10 maj) nga një faqe në Facebook, me emrin “WK Service”. Por, në vegëzën e paraqitur, pas klikimit, nuk paraqiten informatat e nevojshme për aplikim në konkursin e pretenduar. (këtu)

Manipulim i fakteve

Është publikuar një video-material, që shfaq momentin e arrestimit të një zyrtari të komunës së Gjilanit, i dyshuar për korrupsion. Videoja është publikuar në disa llogari në TikTok me datë 12 dhe 13 maj, madje në njërën prej tyre pretendohet se i dyshuari, është i afërt me kryetarin aktual të Gjilanit, Alban Hysenin. Por, pas verifikimit nga hibrid.info, është gjetur se bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në vitin 2018. (këtu)

Clickbait

“Rasti tronditës, 14-vjeçarja përdhunohet nga 12 persona. 11-vjeçari bënte rojen”, është titulli i artikullit të shoqëruar me një fotografi të një pylli, i publikuar në portale informative me përmbajtje në gjuhën shqipe. Belgjika është vendi për të cilin është raportuar se ka ndodhur përdhunimi nga 12 persona i një 14-vjeçareje. Megjithatë, në artikujt e publikuar të hënën (13 maj), mediumet informative në gjuhën shqipe “a2news.com”, “botapress.info” e “oranews.tv” nuk e kanë përmendur lokacionin në titull. Përmbajtja e artikullit është e njëjtë në të tri mediumet. Qysh në fillim të artikullit tregohet se po raportohet për një rast që ka ndodhur në Belgjikë. (këtu)

U pretendua se gjashtë futbollistë me prejardhje shqiptare do të jenë pjesë e kombëtares së Zvicrës në Kampionatin Evropian. Artikulli u publikua nga portali informativ “ina-online.net” me datë 17 maj dhe mban titullin “Publikohet lista! 6 shqiptarë do të jenë pjesë e ekipit të Zvicrën në Euro 2024”. Kombëtarja e Zvicrës ka publikuar listën preliminare prej 38 lojtarëve, në të cilën gjendet edhe emrat e gjashtë futbollistëve me prejardhje shqiptare. Por, ende nuk dihet se sa nga ta do të përzgjidhen në listën përfundimtare për Kampionatin Evropian. (këtu)

Lajm i rremë

U pretendua përmes një video-materiali se Putin ka thënë se do ta sulmojë Shqipërinë. Por, pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi është i rremë. Duke u bazuar edhe në audion e bashkëngjitur në këtë video-material, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se bëhet fjalë për lajm të vitit 2022, atëkohë kur Rusia kishte miratuar një listë me vendet, siç i quan, jomiqësore, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. (këtu)

Share With Others

Translate »